Petrit Brahollari: Indiferentizmi i popullit ushqen sundimin

931
Sigal

Drejtimi i vendit ka në dorë të prodhojë më të mirën, por edhe më të keqen. Shoqëria shqiptare po përjeton një temperaturë të lartë përvëluese në rritje dhe për t’i shpëtuar asaj ka gjetur rrugën e arratisë. Pushtetit, që është maksimalisht i kënaqur, nuk i mungon asgjë përveçse urtësia dhe ndjeshmëria, kurse popullit vetëm liria. Themelet e shtetit të së drejtës kanë si bazë padrejtësinë me prokurorë dhe gjykatës aventurierë që nxjerrin nga burgu kriminelë të bujshëm dhe fusin brenda të pafajshmit fukarenj. Ata që livadhisin dhe i bëjnë njëmijë të zeza këtij vendi janë të paprekshmit; bosët e drogës dhe të ndërtimit e lloj-lloj mostrash të lidhur kokë e këmbë me pushtetin. Veprimtaria e gjyqësorit ndër vite asnjëherë nuk hetohet dhe reformat në drejtësi e vetingjet, e bëra apo në vazhdim, i skalit dikush dhe s’i beson askush. Të parealizuar mbeten ata që dashurojnë ligjin, jo pushtetin, dhe kështu anashkalohen bijtë dhe bijat e drejtësisë që përgjërohen për të. Në drejtësi ka gra të përkohshme me ngrohtësi pushteti të përjetshëm, por edhe burra që grimojnë fytyrën në parukeri grash dhe qethen me gërshërët e pushtetit në berberhanet e korrupsionit. Të përkohshëm në Gjykatën e Lartë dhe as të përkohshëm dhe as të përjetshëm në zinë e vdekjes së Gjykatës Kushtetuese. Ministret zhurmojnë ndërkohë që njerëzit vajtojnë shoqet dhe motrat e tyre të vrara nga burrat nga njëmbëdhjetë në çdo muaj. Tirani në një vend padrejtësish ku populli i rraskapitur nuk e shijoi të paktën një ditë demokracinë.

Kjo është një diktaturë tipike, e ngjashme me atë të djeshme, pa pluralizëm dhe ekonomi tregu pa konkurrencë. E gjithë sipërfaqja e vendit është përfshirë nga koncesionet. Pronarë apo zaptues trualli anonimë dhe oligarkë të frikshëm tek të cilët gjenden gjenet e fjetur të ish byrosë politike, të zgjuar sot në të ashtuquajturën “rilindje e byrosë që duam”. Babaxhanët e rilindjes i falin prona publike edhe lakmitarëve të Europës. Sofra shqiptare e shtruar për orekset e gjithkujt që di të mbajë iso. Ky vend me kufi dhe pa kufi. Parlamentarë që dinë të ulin menderen në kolltuk, dinë dhe të ngrenë dorën, por jo të lexojnë. Dinë të imitojnë, por edhe të qëndrojnë stoikë dhe ufo pa gojë. Sa për drejtësi shoqërore as që bëhet fjalë. Media me pronarë super të pasur të lidhur bythë e brekë me pushtetin. Misioni në shërbim të popullit është braktisur. Ajo tani i rri pranë pushtetit dhe zgjidh sikletet e tij. I bën fresk sa herë ka vapë dhe e fërkon sa herë ndien ftohtë. Populli i njeh gazetarët pa integritet që i qëndrojnë larg të vërtetës. I shikon sjelljet e tyre në ekran, i lexon ata në gazetë. U shikon kostumet që veshin. I ka në lagje, në qytet. I ka parë si janë rritur. I shikon kur futen nëpër vila, kur lahen si manushaqet e pushtetit. Jo pak prej tyre janë spiunë të ditëve tona, dhe bashkëpunëtorë të sigurimit të djeshëm. Në fushëpamjen e popullit janë dhe paparacët që mbajnë ndezur kamerat e falura nga pushteti. Me të drejtë thuhet se pushteti i katërt është shkrirë me pushtetin e pushtetit dhe i ka dhënë forcë të gjithëpushtetshme. Pushteti i katërt nuk është më pak borxhli ndaj popullit nga ai që e mëkon. Bashkësi të fshehta interesash mes të pavelurve dhe të pangopurve.

Politika është në krizë dhe vendi në një tragjedi të pandalshme historike. E ashtuquajtura betejë për mirëqenien e popullit është kthyer në një çekiç pneumatik që i shtyp kokën atij. Kjo betejë, që sundimi e ka të fituar, është pa nder dhe pa lavdi. Ajo është e ngjashme me betejat e Enverit nga fitorja në “fitorje”; sot madhështi janë arritjet dhe mburrjet nga skandali në skandal. Tashmë, populli i rrënuar dhe pa fuqi, i tulatur dhe i frikësuar, nuk reagon.

Taktika më e suksesshme e sundimtarëve për t’i shtuar vetes sundimin është përçarja në të gjitha nivelet e komunitetit. Një pjesë e tyre s’heq dorë nga kultura e zhdukur dhe tek përfaqësuesit e ndryshëm të komunitetit s’ka ekuilibër. Ky popull është kthyer në një tufë mizash që kafsha i tremb dhe i mban larg vetëm duke tundur bishtin. Votën ia vjedhin, ia blejnë ose ia rrëmbejnë me forcë. I thonë se do e lënë pa bukë dhe e mbajnë fjalën, e lënë vërtet pa bukë. Haptazi i marrin lirinë dhe popullit nuk i bën përshtypje kjo situatë, ku vdekja është shpëtim. Nuk e përjeton atë që identifikohet me vetveten. Çudi vërtet, nuk di a kemi qenë ndonjëherë në këtë farë derexheje, a thua se na ka helmuar diktatura me një helm me efekt të gjatë. Gjurmët e historisë po zhduken dhe po vritet identiteti. Nuk ka, ose janë fare minimale përpjekjet për të lartësuar më të mirën, zakonet dhe mënyrën e jetesës.
Çudi! Sunduesit në Shqipëri ia kanë marrë dorën popullit dhe dinë çfarë kërkon. Pak bukë, pak dajak, dhe shumë propagandë. Ja japin në kohën e duhur dhe duartrokitjet plot dashuri nuk pushojnë. Sytë nga ekrani kur del udhëheqësi që flet me dhimbje për hallet e popullit dhe i digjet shpirti. Ulet në gju më gju me popullin dhe populli mban shënim batutat e tij për t’i mësuar përmendësh.

Ky vend i vogël që pjell kaq koka të mëdha, që krenohen me ilegjitimitetin, paska qenë pasuri e pashtershme për të majmur e fryrë barkun e gjithë këlyshëve të oborrit. Tirana pa ajër, pa rrugë karakteristike dhe kinema; krejt e çnatyruar, ku çdo cep dhe hapësirë mbulohet nga betoni. Stadiumi i vjetër po shkelet nga i riu kullor. Teatri kombëtar po shembet dhe do rrethohet nga kulla qiellore parash të pista. Udhëheqja vendos nga kryeministria e Mehmet Shehut. Kryeministrat i kemi pasur në vazhdim autoritarë. Se çfarë quhet identitet e vendos udhëheqësi. Vendimet për të asgjësuar trashëgiminë janë thjesht një majë lapsi. Atë çka la mangët Kali i Trojës në Teatrin Kombëtar, e bënë policët e diktaturës duke tërhequr artistët zvarrë, pra djemtë dhe çunat e popullit. Aleanca qëndron stoike në mbrojtje të teatrit, por stoik qëndron edhe traktori i Stalinit për ta prishur atë.

Identiteti po shembet, por populli i Tiranës nuk po duket. Artistët që mbrojnë trashëgiminë e kujtesën sot, nesër s’do mbrojnë dot as emrin Tiranë, që s’do hiqet me ligj, por do harrohet vetvetiu. S’do quhet më Durrës as qyteti mbi të cilin po derdhen tonelata betoni dhe ku gjurmët ilire po flaken në det. Nuk do quhet më Përmet qyteti ku pallatin e kulturës e zaptoi prifti dhe ligji s’ka forcë mbi vendimin e tij. S’do quhet më Përmet qyteti ku eshtrat dhe fosfori i zhvarrosur nga varrezat e popullit ndër vite transferohen me emërtimin ushtarë grekë në varreza greke në territor shqiptar. I tillë duhet të jetë komuniteti tiranas, durrsak, përmetar apo populli në gjithë Shqipërinë?! Kaq i tulatur ndaj vendimeve të një kryebashkiaku në Durrës apo një prifti në Përmet, ku s’kanë derman as eshtrat e gjyshërve dhe të stërgjyshërve? As kalatë dhe as gjurmët ilire? Këtu, në vendin e çudirave, do ia heqin dhe patkonjtë kalit të Skënderbeut meqë ia shtruan oborrin me qilim të gurtë. Ndoshta dhe shpata e Skënderbeut të vjetër del jashtë loje kur në kohën moderne që po gëzojmë është e i nevojshëm topi i Skënderbeut të ri.

Populli autokton i Tiranës do fërkojë sytë kur një mëngjes me diell do shohë një pallat në vendin e Skënderbeut, viktimë e një vendimi unanim për ta degdisur në vendlindjen e tij meqë nuk është “tirons”. Nuk është mbrojtje trashëgimie as mësymja drejt Parkut të Liqenit Artificial, pazarit të ri, ose së fundmi, piketimi i Kopshtit Botanik me oreks katedralesh që po e fundos një herë

e përgjithmonë identitetin e kryeqytetit, i cili po bëhet një model i keq për qytetet shqiptare. Djemtë e pushtetit kanë nevojë të ndërtojnë, ndërsa djemtë e Tiranës nuk janë zgjuar ta mbrojnë. Popullit po i humbet kujtesa dhe është çekuilibruar aq shumë sa nuk i reziston dot situatës.

Një copë për ty, një copë për mua. Për këto shkruante Dritëro Agolli te poema “Nënë Shqipëri”, për bishat e huaja që copëtonin Shqipërinë. Por tani, grabitqarët vendas i janë sulur duke e zhvatur cep më cep pronën publike, dhe nuk mungojnë as lakmitarët e huaj që s’ia ndajnë sytë këtij trualli pa mbarim. Ngrihuni dhe bjeruni, thërriste Fan Noli dje, por sot populli i gjumosur me kokë të trullosur në detin e mjerimit e ka humbur toruan. Babanë e rreh i biri dhe ai nuk ngrihet dot në këmbë që t’ia shkuli veshin. Popull jam unë, je ti, është polici që merr urdhër nga komandanti për të votuar sundimin, është administrata që voton me qarkore, se ndryshe pushohet nga puna. Popull është dhe studenti që i ulin notën, e ngelin në klasë apo i pushojnë prindërit nga puna. Popull është pedagogu, popull është dhe i burgosuri të cilin gardiani, me urdhër të komandantit, e vë përpara drejt kutisë së votimit. Ndryshe s’i ulet dënimi dhe nuk e nxjerrin para kohe jashtë burgut. Popull është dhe lypsari, që po nuk shkoi te kutia e votimit, nuk e lënë të lypë. Komunitetin e varfër s’e lënë të mbledhë kanoçe te kazani i plehrave.

Kush nuk është popull!

Të gjithë ne jemi popull, por popull i rrahur ama, që po doli nga rreshti i vendosur nga pushteti, mbetet pa bukë dhe vdes si i pabindur ndaj pushtetit.

Në diktaturën pluraliste, jo vetëm duhet t’i bindesh urdhrave jo ligjorë kur krimineli të vë përpara për tek kutia e votimit, por në çastin e hedhjes së fletës, duhet të puthësh edhe emrin e ndritur që do të drejtojë. Ja arritëm ditës, o popull! I doli fjala Naimit të madh. “Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë”. Ama jo një zonjë e tillë që po i grisin këmishën dhe po e lënë lakuriq. Është zonja që të dha qumësht nga sisa e saj dhe të rriti në prehrin e saj. Ti e shikon ç’po i bëjnë. Ti e di si duhet t’ia mbash lart dinjitetin, të bukur e me nder, siç e njeh bota mbarë. Ti nuk je pjellë e një deleje të urtë, që nuk ngre zërin, por përpëlit vetëm këmbët kur të fut dhëmbët ujku në grykë. Sido që të jetë, ne quhemi popull. Edhe kur na rrëmbejnë lirinë, popull jemi. Popull i mbaruar, jo. Ndoshta popull i shkrehur.

 

Somario

Kjo është një diktaturë tipike, e ngjashme me atë të djeshme, pa pluralizëm dhe ekonomi tregu pa konkurrencë. E gjithë sipërfaqja e vendit është përfshirë nga koncesionet. Pronarë apo zaptues trualli anonimë dhe oligarkë të frikshëm tek të cilët gjenden gjenet e fjetur të ish byrosë politike, të zgjuar sot në të ashtuquajturën “rilindje e byrosë që duam”

 

Somario

Politika është në krizë dhe vendi në një tragjedi të pandalshme historike. E ashtuquajtura betejë për mirëqenien e popullit është kthyer në një çekiç pneumatik që i shtyp kokën atij. Kjo betejë, që sundimi e ka të fituar, është pa nder dhe pa lavdi. Tashmë, populli i rrënuar dhe pa fuqi, i tulatur dhe i frikësuar, nuk reagon