Petrit Brahollari: Arti i dajakut në demokracinë komuniste

Tashmë në kurrizin e këtij populli, dajaku ka zënë vend. Ai e kupton që, po dole nga rreshti dhe po u ankove, shpërblehesh me dajak. Dajakut i duhen thurur vargje dhe t’i këndosh bukur. Ai që s’di të heshtë, vdes me dajak. Koha kalon dhe dajaku ka kultivuar urtësinë. Delen e ka mbajtur brenda vathës dhe dashit ia ka shkulur brirët. Dajaksit kanë shumë dashuri për popullin e urtë. E udhëheqin me dhembshuri dhe ndajnë kafshatën nga sofra e tyre. Kur e shikojnë që populli vuan, dajaksit nuk vënë gjumë në sy. Atë pak gjumë, e bëjnë me ëndrra për popullin e tyre dhe i zë mëngjesi me kokën e trullosur dhe sytë e ënjtur nga lotët e dhimbjes. Populli e kupton kush e drejton dhe si e drejton. Ai nuk është i aftë të ndryshojë asgjë, në të mirën e vet dhe është dakord me bijtë që e drejtojnë me dajak. Tek e fundit, djemtë e tij e rrahin dhe dashurinë e merr me dajak, i bindur që kush të rreh, të do. Modeli që përdor sot, pushteti i demokracisë komuniste, s’ka ndonjë ndryshim nga dajaku i komunizmit demokratik të djeshëm. Nuk është shpikje e re. Është ajo lloj marke, veç teknologjia e temperimit më moderne. Sa për stafetën, e mbajnë duart e besuara, të vazhdimësisë së diktaturës së rilindur. Ka mendime, se arti i dajakut është i lehtë. Ka dhe të tjera që thonë, shumë i vështirë. Kjo nuk ka rëndësi, sa i vështirë apo i lehtë është. Më mirë e dinë jo ata që e vuajnë, po ata që e përdorin artin e dajakut. Të kesh cilësinë e drejtimit me dajak, patjetër, që do talent. Do punë. Do gjen. Në kokë të kesh muskuj, jo tru. Të jetë trim. T’i ngjash dikujt që ka qenë i dëgjuar për dajak. Është art që do shkollë. Në master, të jesh i skanuar, shpirti i dajakut.

Universiteti i dajakut është i njohur në Shqipëri. Me artin e dajakut, fëmija lind dhe vazhdon derisa mbaron universitetin. Jo vetëm kaq, po e ka bashkudhëtar deri në botën tjetër. Fëmija hap sytë dhe gjëja e parë që duhet të mësojë nuk është të kapë gjirin për t’u ushqyer me qumësht, po të mos ankohet. S’di të flasë, por s’duhet të qajë. Të durojë dhimbjen e barkut dhe veshit, djegien e urinës apo temperaturën. Nëna, ia mëson frikën dhe i kafshon veshin. Fëmija hesht, sa herë që pushteti i nënës skërmit dhëmbët. Është fjala për “nëna dajakse”. Për nëna edukatore, që torturojnë fëmijët e çerdhes dhe kopshtit. Ato që janë shfaqur në ekran. Për ato, që me shqelma u kanë stamposur fëmijëve në të ndenjura këpucët me thumb të gjatë, për mosbindje. Të atyre, që u është prishur rehatia dhe shkëputur vëmendja nga SMS-të. Fëmijët, duhet të nuhasin erën e dajakut, pushtetin e edukatores, që e shqetësojnë krahët e një mize në fluturim. Dajaku, rri zgjuar në ciklin e ulët dhe gjimnaz. I kemi parë grushtet e pedagogut dajaks me nxënësit. Dajaku është nënshtrim, është pedagogji e shumë pedagogë shpërthejnë jashtë rolit të tyre. Dajaku është ngritur në sistem. Vet prindërit, paguajnë me taksat e tyre, policët, për t’u rrahur fëmijët. Jo shumë larg në kohë, kur ata tërhiqnin zvarrë studenten. Ata, e patën të lehtë ta zvarritnin prej flokëve të gjata. Atë bënë edhe me djemtë studentë. Me pantallona janë djemtë, me pantallona, vajzat.

Sigal

Policët janë të testuar për dhunë e dajak. Ata e mbajnë në këmbë qeverinë e dajakut. Kush e përdor më mirë nga ata artin ushtarak të dajakut?! Gjeneralët, që vijnë nga diktatura komuniste s’e kanë të vështirë t’i frymëzojnë kapterët, me artin e dajakut. Trashëgimia vazhdon. Ajo sot quhet rilindje e re, dajak i vjetër. Bukë me gjak, uri me dajak. Gjobë me dajak. Ujë dhe drita me dajak. Papunësi me vdekje. Propagandë falas. I rrahur nga komunizmi demokratik. I mbytur në demokracinë komuniste. Për ta ç’montuar artin e dajakut mbi kurrizin e këtij populli, duhet strategji, të cilën e ka studiuar drejtimi opozitar, më 16 shkurt 2019. A do funksionojë, po nuk pati zgjim? Ta shikojmë. Në betejë janë zgjimi dhe sundimi.