Parlamenti Evropian refuzon shovinizmin grek

610
Sigal

Dr. Qemal Lame

Me besimin e merituar që kishim tek demokracia evropiane, u dëshmua distancimi nga pretendimet e eurodeputetëve që shfrytëzuan pushtetin e tyre në mbështetësve të shovinizmit neonazist grek të maskuar me parimet e të drejtave dhe lirive. Parlamenti e hodhi poshtë kërkesën me vota të hapura: 48 në favor, 208 kundër, 200 abstenime. Refuzimi tregon në fakt edhe demaskimin e mashtrimeve për deklaratën mbi Shqipërinë, me pretendimet për rastin e dhunimit të të drejtave të minoritetit etnik grek në Epirin e Veriut dhe vrasjen e Katsifas. Parlamenti Evropian nuk u ndikua nga politika e grupimeve antidemokratike naziste greke të “Agimit të Artë”. U demaskuan presionet i eurodeputetit grek Epaminondas “Nótis” Mariás, i cili kishte kërkuar që në seancat e muajit nëntor të trajtohej edhe vrasja e Konstandinos Kaçifas si dhunim i të drejtave të minoritetit grek në Epirin e Veriut nga Shqipëria. Refuzimi është një goditje e fuqishme edhe ndaj eurodeputetes Eleni Theocharaus që u shpall person “non grata”, në Shqipëri. Neonazistët e Agimit të Artë marrin përgjigje të merituar edhe me shpalljen person “non grata” të deputetit të partisë “Agimi i Artë”, gjeneralit Eleftheros Sinadhinos. Shqipëria vendosi me të drejtë së fundi deklarimin “non grata” të 53 personave që rrezikojnë aktivisht sigurinë, sovranitetin e integritetin territorial, rendin publik, marrëdhëniet midis shqiptarëve me minoritetin grek në vendin tonë.

Reagimi i menjëhershëm i grupimeve të njohura antishqiptare, është një dëshmi tjetër e agresivitetit dhe barbarisë së shovinizmit grek në kundërshtim me qytetërimin e përparuar të demokracive perëndimore ku bën pjesë edhe vetë shteti i Greqisë. Është e çuditshme dhe e dënueshme nga opinioni publik shqiptar, grek, evropian dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare, aventura e ekstremistëve grekë që kërcënojnë me vraje 64 shqiptarë intelektualë, gazetarë, politikanë të njohur në mbrojtje të të drejtave e lirive të shqiptarëve në Shqipëri ashtu edhe ne Greqi, njëlloj si edhe të minoritetit grek. Përmes një deklarate të publikuar mësohet se, organizata e fshehtë, “Grupi i lartë i policisë” shpall në kërkim 64 shqiptarët e parë. “Do t’i ndjekim dhe godasim edhe brenda në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e tyre. Ata kërcënojnë edhe drejtuesit e televizionit shqiptar që sipas tyre bllokojnë sinjalin e kanaleve televizive greke në Jug të Shqipërisë. Në median evropiane nuk ka pasur lajme e komente për ngjarjen e inskenuar në Bularat nga neo-nazistët. Kjo tregon për injorimin e këtyre grupimeve politike dhe mbështetësve të tyre me funksione qeveritare. Qeveria dhe Parlamenti i Greqisë po reagojnë me kujdes dhe nuk lejojnë përshkallëzimin e situatës politike të nxitur nga ekstremizmi. Megjithatë, hedhja në front të gjerë e grupimeve ultra-nacionaliste neo-naziste në fakt demaskojnë e fajësojnë ndërkombëtarisht demokracinë e Qeverinë e Greqisë që nuk vë në kohë para përgjegjësisë penale ideatorët e nxitësit që demonstrojnë politikën neonaziste e neofashiste, bëjnë thirrje irredentiste, shprehen për vrasjen e shqiptarëve, lëshojnë me papërgjegjshmëri kërcënime raciste të shoqëruara me fjalë banale si në Shqipëri, ashtu edhe në rrugët e Athinës, të Selanikut etj. Analiza e fakteve të njohura deri tani evidenton përfundimet që kërkohet të vlerësohen me objektivitet dhe të ndalet propaganda antishqiptare apo antigreke.

  1. Ngjarja në Bularat u zhvillua me qëllime të mirëfillta politike. Në prag të zhvillimit të festës së Greqisë, e cila si çdo vit u organizua edhe në qendër të fshatit Bularat, në Gjirokastër. Policia kishte marrë masa për ruajtjen e rendit.
  2. Ultranacionalistët grekë dëshmuan politikën shoviniste dhe forcën e përdorimit të armëve për realizimin e pretendimeve të tyre për aneksimin e Vorioepirit. Përdorimi i armëve tensionoi situatën dhe rrezikoi rendin publik, jetën e forcave të mbrojtjes së rendit. Të shtëna me armë tronditën zonën, më 28 tetor 2018. Policia, e cila ishte stacionuar në qendër të fshatit për mbarëvajtjen e festës menjëherë është nisur në drejtimin nga janë dëgjuar të shtënat, ndërsa identifikoi edhe personin që qëlloi me armë.
  3. Policia ka përdorur armët në zbatim të Kushtetutës, të ligjit dhe detyrave të saj kundër një personi të armatosur që qëllon kundër forcave të rendit. Në çdo shtet të së drejtës, policia përdor armët për të neutralizuar dhe asgjësuar personat që i kundërvihen me armë. Kostandin Kaçifa, sapo pa shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij, ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë, duke rrezikuar jetën e tyre. Fatmirësisht nga të shtënat nuk u vra apo plagos asnjë punonjës policie, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën, ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin. Shtetasi Kostandinos Kaçifas u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.
  4. Forcat speciale të policisë veprojnë me të gjitha mjetet për të asgjësuar kriminelët e terroristët dhe rivendosur rendin publik. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Gjirokastër shkoi dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme dhe forcat speciale RENEA nga Tirana, të cilat bënë të mundur edhe lokalizimin e autorit. Por pasi nuk iu përgjigj thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, 35-vjeçari qëllonte me armë zjarri, ndërkohë që mbeti i vrarë.
  5. Është i padrejtë pretendimi për justifikimin e qëndrimeve të viktimës duke thënë se përdorimi i armëve kundër policisë është akt terrorist, por ai nuk donte të vriste policët.
  6. Ngjarja është një rast tipik i demonstrimit real të shovinizmit grek, sovranitetit e integritetit territorial, pasojave të rënda të politikës antishqiptare dhe të helenizimit e greqizimit artificial që zhvillohet hapur prej një kohe të gjatë pas ndryshimit të sistemit politik në vitin 1991-1992. Ngjarja në Bularat risolli në vëmendjen e politikës shqiptare, greke e evropiane rrezikshmërinë në rritje të ultranacionalizmit dhe neonazizmit e të neofashizmit. Prandaj mbrohet demokracia e vizioni i të ardhmes së përbashkët evropiane, luftohen me forcë idetë e qëndrimet që dëmtojnë demokracinë dhe izolohen e ndëshkohen sipas kritereve ligjore personat ekstremistë, fashistë, grupimet politike që shfrytëzojnë situata politike e vështirësitë në të cilat kalon Bashkimi Evropian. Parlamenti Evropian njeh politikën greke dhe atë shqiptare, ka vëzhguar dhe është bindur për marrëdhëniet e mira të shqiptarëve me minoritarët grekë, ka vlerësuar standardet e larta të ligjit, zbatimin, mbrojtjen, garantimin e tij praktikisht në Shqipëri. Dihet që Greqia nuk ka ligj për minoritete dhe shkelën të drejtat e liritë e të huajve e të pakicave kombëtare. Në Greqi janë masakruar nga Policia dhe Forcat e Kufirit 176 shqiptare gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit dhe asnjë person nuk është vënë para përgjegjësisë penale e dënuar. Për një shqiptar të helenizuar artificialisht, një terrorist që qëlloi me armë forcat e rendit, u inskenua një propagandë e gjerë politike me qëllime destabilizuese dhe demonstrim të revanshit për pushtimin e Shqipërisë së Jugut. Pretendimet për Vorio Epirin janë kundërshtuar sa herë që janë ngritur. Edhe gjenocidi, asimilimi e dëbimi i shqiptarëve njihet, megjithëse nuk bëhet objekt i temave të diskutimeve. Komisioneri Hahn iu tha eurodeputetëve grekë vitin e kaluar që të bisedojnë me autoritetet shqiptare dhe të gjejnë zgjidhje për problemet e mbartura nga historia. U ndërprenë kreditë e ndihmat që shfrytëzoheshin për politikën e helenizimit e greqizimit të shqiptarëve etj. Thjeshtë e qartë: Parlamenti Evropian kërkon marrëveshje midis Greqisë e Shqipërisë për të zgjidhur problemet me drejtësi e me barazi, të respektohet sovraniteti, integriteti territorial dhe bashkëpunimi me interesa të njëjta, forcimin e miqësisë shqiptaro-grek dhe integrimit të përbashkët evropian.