Sigal

Të premten, më 23 Nëntor 2018, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), 1944-1991 postoi në faqen e tij facebook, një deklaratë me të cilën njoftohet publiku i gjerë shqiptar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, mbi atë që cilësohet si “Institucionalizim i marrëveshjeve së AIDSSH me “Zërin e Amerikës” dhe Federatën Pan-shqiptare “Vatra”. Është kjo një nismë, nga ana e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, sa e mirëpritur aq edhe historike, nga një ent zyrtar i shtetit shqiptar me një organizatë aq e njohur, siç është Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, e cila ka luajtur role të rëndësishme në periudha të ndryshme por vendimtare në historinë e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe si organizata më e vjetër e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe marrëveshja e (AIDSSH) për bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” në gjuhën shqipe është gjithashtu historike. Si “Vatra” ashtu edhe “Zëri i Amerikës” kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm dhe historik në jetën e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe si gjithmonë edhe sot vazhdojnë të luajnë një rol kritik në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë e Kosovës dhe midis dy kombeve tona në përgjithësi. Një delegacion i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), 1944-1991, i kryesuar nga Zonja Gentiana Sula, do të vizitojë javën që vjen, Nju Jorkun dhe Washingtonin, për të nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, me drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe Zërit të Amerikës. Prania e delegacionit të (AIDSSH) në Nju Jork dhe Washington do të kulmojë me nënshkrimin e marrëveshjeve, por do ndihmojë gjithashtu pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët mund të jenë të interesuar për procedurat e aplikimit, për zbardhjen e dosjeve të tyre. Më poshtë pason deklarata e plotë me hollësi të mëtejshme në lidhje me vizitën e delegacionit të Autoritetit në Shtetet e Bashkuara dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim midis tij dhe Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe “Zërit të Amerikës”.

Zonja Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991

“Tiranë, 28 nëntor 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në datat 28 nëntor-3 dhjetor, i ftuar nga Federata Pan=shqiptare “Vatra”, në vijim të bashkëpunimeve me komunitetet brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaritë janë të hapura për publikun. Autoriteti ka zhvilluar aktivitete me në fokus kujtesën që në krijim të tij, duke u përqendruar në specifikat e bashkësisë ku është organizuar veprimtaria. Ekipi që do të kryejë vizitën në Amerikë po bashkëpunon me komunitetin tonë atje për organizimin e takimeve mbi kujtesën kolektive, nisur nga hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit; për vënien në jetë të projekteve të përbashkëta që do të diskutohen me shqiptarët atje; për projektin e dëshmive gojore, (që sapo finalizoi botimin e parë) duke e zgjeruar ndjeshëm hartën e tij me dëshmi të të mbijetuarve të diktaturës që sot jetojnë në SHBA. Vizita e AIDSSH në Nju Jork dhe Uashington, – veç komunikimit të drejtpërdrejtë me bashkësinë shqiptare në Amerikë dhe ofrimit të shërbimeve në bashkëpunim me Federatën Vatra, që lehtëson procedurat e aplikimit duke i asistuar të interesuarit, – kulmon me firmosjen e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe funksionon në zbatim të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Socialiste Popullore të Shqipërisë”. Si organ i lartë shtetëror i pavarur, në bazë dhe në zbatim të dispozitave të veçanta të ligjit 45/2015, AIDSSH e vë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, duke inkurajuar dialog shoqëror pa komplekse për diktaturën, në emër të së vërtetës, pajtimit, lirisë dhe demokracisë.

Në këtë kuadër, AIDSSH synon të firmosë marrëveshje bashkëpunimi me Zërin e Amerikës, për zgjerimin e projektit të dëshmive gojore, duke e pasuruar ndjeshëm arkivin digjital të institucionit. Intervistat gojore të dëshmitarëve që u japin zë viktimave ruhen sipas parametrave në Autoritet, krahas dosjeve të Sigurimit, instrumente të pushtetit komunist. Në simpoziumin që organizohet nga Federata Vatra, veç prezantimit të projektit të dëshmive gojore dhe punës për muzealizimin e kampit të Tepelenës, të konkretizuar në botimin e parë të librit të dëshmive dhe në mbjelljen e pemëve të Memorialit të fëmijëve që humbën jetën atje, do të shfaqet filmi që e dokumenton këtë rrugëtim dhe do të shpërndahen publikimet përkatëse. Autoriteti dhe Vatra synojnë ta institucionalizojnë bashkëpunimin mes tyre me firmosjen e një marrëveshjeje të zgjeruar bashkëpunimi. Në vijim prezantohet puna e AIDSSH për hedhjen dritë në të shkuarën, duke hapur dosjet e përfaqësuesve të emigracionit shqiptar, si dhe duke paraqitur shërbimet e institucionit, fizike dhe online. Në mbyllje, të pranishmit mund të plotësojnë formularët e aplikimit dhe të marrin përgjigje për rastet individuale. Ndërkohë, bashkëpunimet e AIDSSH me komunitetin shqiptar në SHBA dhe arkivat në këtë vend do të vijojnë, me fokus krijimin e kuadrit të plotë historik, social e politik të periudhës së komunizmit të Shqipëri, duke thelluar kërkimin shkencor dhe zgjeruar mundësitë e studimit në arkivat përkatëse të kësaj periudhe, brenda dhe jashtë vendit.

Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë. Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.”

Vizita e përfaqësuesve të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Nju Jork dhe në Washington, javën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – është edhe një dëshmi tjetër se Autoriteti, përfshirë Kryetaren Gentiana Sula, është serioz në zbulimin e së vërtetës në lidhje me atë periudhë të tmerrshme të historisë shqiptare. Autoriteti është për tu rekomanduar edhe për këtë nismë, me vizitën në Amerikë, për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “Vatrën” dhe me VOA-n – duke bërë kështu edhe komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë të përpjekjeve dhe bashkëpunëtor, që kanë për synim, siç thuhet edhe në njoftimin më lartë, “Kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve”, duke ndërmarrë projekte ambicioze dhe komplekse, “që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.”