Në gjykatën e Përmetit, hallexhinjtë në trotuar

794
Sigal

Petrit Brahollari

Atë e thonë dhe qytetarët që Gjykata e Përmetit ka gjyqtarë me integritet dhe të besueshëm mbi vendimet që japin. Pa qenë të tillë, nuk është e lehtë të stamposesh në opinionin qytetar. Opinioni veçon ndër të tjerë, zotin Dritan Hasani, për ndershmëri intelektuale dhe formim profesional, mjaft i kompletuar e model, që i përgjigjet disiplinës në fushën e kompetencës së ligjit. Në sallën e gjykatës, nuk jepet vendim për vendim, por drejtësi në vendim të arsyetuar bindshëm. Frytdhënëse është edhe ndihmesa e USAID-it në teknologjinë bashkëkohore në Gjykatë.

Në atë gjykatë, ajo që të entuziasmon dhe të zemëron është korridori i vogël. Nuk ka asnjë karrige për t’i shërbyer qytetarit, deri në momentin e futjes në sallën e gjyqit. Aty ndeshesh me një punonjës civil dhe një polic tjetër shërbimi. Pranë derës kryesore, nuk afrohesh se të largon polici. Ai s’të jep shpjegime, veç të thotë “Largohu se është e ndaluar!”. Qytetarët, e ofruar pranë gjykatës për gjyq, rrinë në trotuar, pranë derës dhe matanë rrugës, deri sa të thirren nga sekretarja jashtë dere. Ata rrinë me çadra për t’u mbrojtur nga shiu dhe vapa ose pa to, duke përplasur këpucët në trotuar nga të ftohtit.

Pra, Gjykata e Përmetit, s’e ka marrë për model atë të Administratës Tiranë apo rretheve të tjera, për t’u shërbyer qytetarëve me karrige brenda godinës.

Nuk di a do të quhej në shërbim polici që të thotë “Mos u afro!”, “Ndal, nuk lejohet as te pragu i derës!” si zonë ushtarake, por me një ndryshim, polici nuk mban automatik, me bajonetë ngritur.

Po e marrim një shembull, nga 15 janari 2019, ora 10:00, polici, i ëmbël në fytyrë, por fodull dhe sjellje jo korrekte, nuk të lejonte te dera e gjykatës. Për atë që vinte nga rreth tjetër, nuk i besohej se ishte në Përmet. E sa për ata që ishin përmetarë, nuk i besonin vetes. Në personalitetin e tij, dukej që s’u ishte bindur rregullave të qytetarisë, sepse nuk rrezatonte t’i kishte mësuar. Po të flasësh për anën profesionale, ka dhe kolegë të tij, që mund të kënaqen, po karakteristikë e gjendjes natyrore është kultura. Duket qartë, që ose s’ka të tjerë ose janë të privilegjuar, që prezantojnë autoritetin e policit, në dëm të institucionit.

Megjithatë, këto probleme për t’iu larguar rrezikut të komunikimit, ka instruktazhe, nga drejtuesit, por dhe më lehtë, me zëvendësime nga djemtë dhe vajzat e devotshëm, që mbarojnë Akademinë e Policisë dhe i japin një frymë të re vendit, duke iu përgjigjur kërkesave të kohës, me kujdes për vete dhe respekt për të tjerët. Policët e shërbimit rregullohen dhe karriget brenda gjykatës, në shërbim të qytetarëve vendosen. Ajo që është më e rëndësishme dhe na entuziazmon, është që në Gjykatën e Përmetit, ka gjyqtarë, që japin drejtësi. E sa për mungesën e kulturës së lindur, s’do shpëtojmë ndonjëherë.