Mimoza Erebara: Edukimi dhe ‘Terrorizmi’ brenda nesh

282
Sigal

Më  kot presim barbarët, ata nuk vijnë. Vjen dikush që  ka qenë  më  parë  aty dhe ka ikur. Po ne nuk e dimë  a kanë  qenë  më  parë  barbarët këtu. Na mësojmë  të  presim dikë, të  cilin e emërtojmë  me lloj –lloj emrash. E kemi kollaj ta bëjmë  këtë  me një  diçka që  nuk ekziston. Pa provo të  ndryshosh emrin e dikujt? Emrin personal, emrin e një qyteti, fshati, shteti? Sot kjo gati-gati është  e pamundur. Individi nuk të  lejon, sepse kështu ti cënon identitetin e tij, atë  që  e dallon nga të  tjerët të  përngjashëm. Shteti gjithashtu nuk të  lejon, përveçse me revolta e luftra edhe këto nëse ia arrijnë  qëllimit. Por me diçka inekzistente është  e kollajtë. I ndërrojmë  emrat sipas interesave politike e të  momentit. Do sjell këtu një shembull  në dukje tepër larg nesh:

Në  një  deklaratë  për shtyp të  Kryeminstrit Izraelit, Benjamin Netanjahu, midis të  tjerash ai thotë : “ Çdo nënë  e baba duhet ta dëgjojë  e ta mësojë  këtë. Fëmijët nuk duhet të  luajnë  me balona,(tullumbace) të  cilat “mbijnë”  papritur nëpër oborret e kopshteve e shkollave ku janë  fëmijët izraelitë, sepse ato janë  bomba të  maskuara si lojë  fëmijësh”.

Nuk më  takon mua të  bëj vlerësime, por si një  qytetare e thjeshtë  e Botës e vlerësoj edhe këtë  herë  kujdesin e paçmueshëm për shtetasit e  Kombin të  tij, posaçërisht për fëmijët.

Dhe trishtimi, ky armik ekspasionist, më  mbërthen. Mendoj për fëmijët tanë  të  cilët rriten në  mesin e këtyre “tullumbaceve terroriste”. Është  njëlloj tjetër terrorizmi që  na vret të  gjithëve ngadalë, pa bujë  e zhurmë, por në  fund na ka vrarë. Nuk e ndjejmë  sepse rritemi me të, mësohemi me të  dhe çdo gjë  na duket normale në  anormalitetin e saj.

A nuk është  “tullumbace terroriste” zhdukja e Universitetit? Jo se nuk ke, ke, po nuk ka studentë  të  cilët janë  produktë  të  mësuesve e pedagogëve. Ti i ke vrarë  ata duke u vënë  në  duar këto “tullumbace”. I ke mësuar se shkolla është  një  vend ku mund të  kalojmë  kohën, ku mund të  paguajmë  për të  zhgarravitur shkresurina që  vërtetojnë  injorancën e vulosur me kënaqësinë  e një  loje me tullumbacë. A nuk është  “tullumbace terroriste” zhdukja e modelit të  Punës? Jo se nuk punohet, por ajo është  aq e papërfillshme, sa ata që  vazhdojnë  të  punojnë  ndershmërisht, përçmohen, përbuzen, shkelen me këmbë  me të gjitha mjetet që  pushteti u ofron, si e si që  të  kapardiset llumi, hipokrizia, snobizmi. A nuk është  “tullumbace terroriste” konvertimi i çdo gjëje vetëm me para? Vlerësimi i dikujt vetëm nga llogaritë  bankare, ndërkohë  që  talentet e  vërteta mendojnë  për bukën e përditshme, përditë ? A nuk është  ky shkatërrimi i vërtetë  i vlerave të  njeriut, e më  tej, të  vlerave si komb? A nuk na çon e gjitha kjo drejt një  zhdukjeje të  butë ?…dhe lista mund të  vazhdojë  me drejtësinë, shëndetësinë, ushtrinë, ushqimin, -shkurt çdo gjë. A nuk është  “tullumbace terroriste” sllogani i lirisë  së  fjalës së  lirë ?  Në  këtë  rast tullumbacen e kemi gëlltitur që  të  gjithë, megjithë  fijen me të  cilën e kemi lidhur dhe bashkë  me të  shkojmë  nga fryn era derisa po ajo, të  na pëlcasë.

Pyetja që  nuk më  le të  qetë  është  kjo: Po Fëmijët tanë dhe prindërit e tyre, të  gjithëve ne, kush do të  na  mësojë  të  mos u afrohemi  këtyre “tullumbaceve terroriste” brenda nesh?