Majlinda Keta: Universitetet dhe transparencë e të gjithë të zgjedhurve

313
Sigal

Transparencë e të gjithë të zgjedhurve nga modeli politik

Nga Majlinda Keta

Zgjedhjet e sapopërfunduara për autoritetet drejtuese dhe senatet akademike në universitetet publike në vend, do të mbahen mend si zgjedhjet me procesin më të gjatë zgjedhor, mbi 6 muaj, refleksion ky i dy situatave  e fatkeqësisë  natyrore që konsumoi vendi, tërmeti dhe pandemia covid -19. Në këto kushte secili nga universitetet dëshmoi aftësinë dhe kapacitetin institucional në fushën e bashkërendimit të përgjegjësive të secilit aktor dhe faktor për një proces zgjedhor të ligjshëm dhe transparent. Në 12 universitetet dallueshëm u vërejtën cilësi të ndryshme të përgjegjësisë së sjelljes institucionale nga rektorët që vijonin në detyrë. Kështu, patëm rektorë që morën përgjegjësitë në cilësinë e kryetarëve të senateve, menjëherë pas Urdhërit të 14 janarit të Ministres,  pati të tjerë si ish -rektori UT-së,  që hyri në rrugën e spekulimit dhe moszotësisë  për të vepruar për detyrimet që i ngarkonte Rregullorja e Zgjedhjeve,  pasi kishte prodhuar konflikte në 3 vite me të gjitha organet kolegjiale në UT-ë. Kjo histori qe shkoi deri në konfliktim të vendimarrjes së Ministrit të Arsimit dhe Presidentit të Republikës,  duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë me rizgjedhjen e 12 rektorëve të rinj. Çdo rektor duhet ta ketë të qartë që vjen nga vota akademike, por nuk duhet të abuzojë me këtë fakt pasi Ligji, Statutet, Rregullulloret në IALP  në vend,  kanë dhe duhet të kenë të fortë vendimarrjen e organeve kolegjiale. Çdo njësh në pushtet zerohet kur abuzon me të. Së dyti, bashkuar edhe frymës së një pjesëmarrjeje  të shkëlqyer në shifra të personelit akademik në këto zgjedhje,  duhet të forcohet detyrimi për transparencë e dhënie llogarie, të të gjithë të zgjedhurve duke shënjuar një largim nga modeli i politikës dhe i politikanëve. Akademizmin, parlamentarizmin akademik, duhet ta imunizojmë nga klonimi me sëmundjet e atrofizimit nga transparence llogaridhënies. Mbetet kritike nga këto zgjedhje pjesmarrja e studenteve në zgjedhje, shumë e largët me atë të pjesmarrjes akademike. Kjo lloj sjellje si dhe ajo e 4 viteve më parë, apo për zgjedhjet që nxorrën përfaqësuesit e tyre në Bordet e Administrimit, do i lejë pak shanse lëvizjeve jashtëuniversitare për më shumë ndikim të votës studentore në zgjedhjet për autoritete dhe senat. Politikat studentore në universitete, duhet të reflektojnë mbi këtë apatizëm, 3 herë rresht nga miratimi i Ligjit 80/2015, i cili do cënojë demokracinë studentore, por dhe do fuqizojë autoritarizmin universitar. Të zgjedhësh për të zgjidhur, kjo ishte një filozofi që oksigjenon procesin zgjedhor. Referuar kësaj, për mendimin tim, jo çdo gjë shkoi pro një garë mes kandidatesh sidomos për rektor e dekan. Duke mirëkuptuar dhe pranuar të ligjshme rimandatimin,  kur votuesi miraton vijëmësinë e asaj fryme institucionale.  Mendoj se gara mes 3 kandidatëve  për rektor në UT,  është shumë here më e vlerësueshme në emergjencën që shprehte nevojën e ndryshimit të rektorit, por nga ana tjetër fton dhe zgjon më shumë debat demokratik. Një refleksion i rëndësishëm  është që Rregulloret e Zgjedhjeve, të parat që u hartuan nga vete universitetet e kaluan me sukses provën dhe dëshmojne kapacitetin institucional, por nga ana tjetër nevojiten të amendohen për disa normativa sjellje institucionale të individëve dhe strukturave ku të shmangin çdo tentativë  pengmarrëse nga autoritarizmi i sëmurë i ndonje pushtetari akademik dhe mundësie përplasje të institucioneve  të larta me kompetenca të ndara mbi arsimin e lartë. E fundit, por jo për nga rëndësia, universitetet duhet të prodhojnë programin e votimit elektronik pasi këto nuk janë të vetmet zgjedhje që do të kryhen pas këtyre.  Kështu zgjedhjet për këshillat studentore, komisionet  duhet të përmbushen pa u mbyllur ky vit me qëllim që e gjithë udhëheqësia universitare  të rioksigjenohet nga autoritarizmi, apatizmi që e fut institucionin universitar në karantinë institucionale.