“Letrat e Krye-Kreut dhe 2 Qershori si ftesë për të mos harruar”

753
Sigal

Nga Ardit Gjinali

Vendi është në një krizë politike të paprecedentë prej muajsh për shkak të qasjes autokratike disa vjeçare të një individi të ashtuquajtur politik i cili ka mbyllur të gjitha shtigjet e një dialogu të qenësishëm dhe real me një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që përfaqësohen politikisht nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj në koalicionin e opozitës së bashkuar. Njeriu simbol i përdhosjes së dialogut politik prej 6 vitesh që ka shtrirë tentakulat e tij malinje në thuajse çdo qelizë të kësaj shoqërie rreket ti hedhë hi syve opinionit publik duke dërguar disa letra me të ashtuquajturën kërkesë për të dialoguar.

6 Letra janë shumë pak për të eklipsuar 6 Protesta të mëdha Kombëtare dhe për të justifikuar 6 vite të mëkateve të panumërta që kanë kërrusur shpinën politike të Krye-Kreut; e kërrusur që në ngjizjen e një rrugëtimi qeverisës plot të panjohura. Tekstet e të gjashtë letrave janë një enumeracion bajat hileje, talljeje, nënvlerësimi, përçmimi, përbuzje ndaj kujtdo që nuk është në llogoren e tij imagjinare. Këto tekste janë dëshmia më e qartë e hedhur në letër mbi synimin e një njeriu që ka marrë gjithçka nga ky vend dhe sot po tenton ta polarizojë skajmërisht me qëllimin e vetëm për të ruajtur fronin e tij. Letrat janë demaskimi më i qartë që tregon me gisht nga vetja në mënyrë të pandërgjegjshme përgjegjësinë e tij individuale për një krizë e cila nuk do të arrinte në këto përmasa nëse politikën nuk do e kishte shndërruar nga një arenë e konkurrimit të platformave politike në një arenë xhungle ku aleanca me të “fortin-simbol të nëntokës” është elementi thelbësor që garanton fitoren politike.

Protestat e mëdha kombëtare gjatë këtyre muajve kanë dëshmuar vullnetin e palëkundur të qytetarëve nën udhëheqjen e Opozitës së bashkuar për të dënuar dhe hedhur poshtë një simbol të një modeli që ka përdhosur çdo vlerë të konkurrimit politik.

Letrat e Krye-Kreut janë monologu që tregon synimin e tij për Shqipërinë që i duhet-totalisht të heshtur, nënshtruar, të pashpresë dhe me mungesë të theksuar reagimi ndaj çdo mëkati të një ansambli mëkatarësh që i shërbejnë zellshëm grykësisë politike të Krye-Kreut. Protesta e 25 Majit tregoi që qytetarët nuk impresionohen nga e njëjta fabul bajate e përsëritur çdo herë që Krye-Kreu ndjen që froni i tij po lëkundet. Pjesëmarrja e gjerë qytetare në çdo protestë kombëtare është përgjigja ndaj letrave boshe, mashtruese të cilat nuk kanë qëllim zgjidhjen reale të një krize të thellë që ka kapluar vendin.

2 Qershori nuk është thjesht protesta e radhës kombëtare, por ftesa për pjesëmarrje për këdo që mendon që këto 6 vite nuk ka pasur zë për kauzën e tij. 2 Qershori është ftesë për të treguar që qytetarët shqiptarë nuk harrojnë prangat e padrejtësisë në emër të shtypjes së të pamundurit Sepse Nuk ka paguar dot energjinë elektrike; rritjen e paligjshme të çmimit të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm; rritjen e çmimit të transportit publik duke marrë një shërbim më të keq; uzurpimin e hapësirave publike të banimit në emër të parkingjeve me pagesë; rritjen e tarifave të studimit në arsimin publik; largimin nga vendi të 300 mijë qytetarëve sepse humbën shpresën gjatë këtyre 5 viteve; prishjes së paligjshme të shtëpive të banimit në emër të babëzisë për të vjedhur; taksat e larta dhe kufizimi i lirive ekonomike për biznesin; rinia e pashpresë që shpresën e vetme shikon largimin nga vendi; largimin e profesionistëve nga administrata publike. 2 Qershori është ftesë për të mos harruar! Kujtesa qëndron në themelin e çdo kombi të qytetëruar. Të gjithë bashkë nuk duhet të harrojmë dhe 2 Qershori është ftesa për të mos harruar. Mos harro!

Protesto më 2 Qershor!