Kisha e “Reformizmit Drejtësist”

722
Sigal

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

 

Mund të mos jetë e rastësishme që faqja online e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit (KPK) është ndërtuar mbi një model të gatshëm WordPress të titulluar “Kisha dhe Aktivitetet” (modeli shitet për 69 dollarë nga kompania ThemeForest).

Nëse gërmohet në faqen e KPK-së, mund të mbërrihet në një cep “të fshehur” të saj, ku shfaqen një sërë postimesh të paraformatuara për blogje për aktivitete kishtare, përfshi fotografi frymëzuese.

Që kur nisi të zbatohej në vitin 2016, Reforma në Drejtësi ka marrë tipare të asaj që mund ta quajmë fe Mesianike, të cilën këtu po e pagëzojmë me emrin “Reformizmi Drejtësist”.

Mesia, shpëtimtari i Shqipërisë, në këtë rast nuk është një personalitet i caktuar, por një abstragim i personifikuar i “Drejtësisë së Pavarur.” Mund ta përfytyrojmë si statujën e mirënjohur të Zonjës Drejtësi, me sytë e lidhur dhe shpatë e peshore në secilën dorë.

Sipas fesë së Reformizmit Drejtësist, ardhja e Gjyqësorit të Pavarur do të sjellë të premtuarin Shtet të së Drejtës, Epokën Mesianike të Drejtësisë, ku të padrejtët do të ndëshkohen dhe të drejtët do të shpëtohen.

Për t’u përgatitur për ardhjen e Gjyqësorit të Pavarur, Reformizmi Drejtësist ka ngritur një burokraci të vërtetë fetare në formën e Institucioneve të Vetingut: Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve (KPK), Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe Komisionerin Publik (KP).

Mund t’i mendojmë Institucionet e Vetingut si ato që do të bëjnë punën që bëri Jezusi kur përzuri fajdexhinjtë nga tempulli, ato do të pastrojnë gjykatat dhe prokurorinë. Këtë e bëjnë duke ndjekur një trupë ligjore të veçantë, që në Krishtërim do të quhej ‘E drejta Kanonike’, ndërsa në Islam ‘Ligji i Sheriatit’. Ky është një ligj fetar, që shpesh bie ndesh me “ligjet tokësore” të kombshteteve si Shqipëria.

Kanoni apo Sheriati i Institucioneve të Vetingut quhet “Paketa e Reformës në Drejtësi”. Ndër të tjera, ajo përfshin Ligjin e Vetingut, Ligjin për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor e Ligjin për SPAK-un. Paketa e Reformës në Drejtësi është ankoruar në Kushtetutën e Shqipërisë përmes Amendamenteve Kushtetuese të vitit 2016.

Kështu, nëse vërtet e shohim Paketën e Reformës në Drejtësi si Kanonin apo Sheriatin e Reformizmit Drejtësist, atëherë Shqipëria tashmë është duke jetuar në një teokraci.

Dhe si në çdo teokraci, klasa e klerikëve duket se qëndron përtej ligjit, sepse vetëm ata mund ta shohin dhe ta parashikojnë ardhjen e Gjyqësorit të Pavarur dhe të premtuarën epokë të artë të Shtetit të së Drejtës.

Dhe, tamam si në çdo fe, epoka e artë e premtuar, në të vërtetë, nuk mbërrin kurrë.

Ndërkohë që Vetingu, si një Inkuzicion i vërtetë, është kthyer në një pambarimësi mpirëse, të gjithë anëtarët e klerit të Reformizmit Drejtësist, që nga Peshkopi Luixhi Soreka, Kryepeshkopja Gjenoveva Ruis Kalavera, e deri te Kardinali Johanes Hahn, nuk reshtin s’u premtuari ithtarëve ardhjen e epokës së artë “së shpejti”, “në muajt në vijim”, dhe “përpara fundit të vitit”.

Ndonëse këto premtime kanë dalë të pavërteta në çdo rast, Teokracia mbahet ende e fortë. Sa herë e ka shpallur Judaizmi mbërritjen e afërt të Mesisë? Sa herë duhet të kishte ardhur Imam Mehdiu i Islamit? E sa sekte të krishtera e kanë gjetur Shpëtimtarin e tyre mes të vetëve?

Reformizmi Drejtësist funksionin njësoj.

Kleri ka nevojë, sigurisht, për mbrojtjen e një udhëheqësi tokësor, pikërisht ngaqë parashikimet e tyre nuk realizohen kurrë. Në rastin tonë, ky udhëheqës është Kryeministri Edi Rama.

Si gjithë klerikët, peshkopët dhe priftërinjtë e Reformizmit Drejtësist nuk preokupohen për mëkatet apo veset e këtij udhëheqësi, ai u duhet vetëm që të çojë përpara agjendën e tyre fetare.

Ashtu sikurse evangjelistët e krishterë amerikanë mbështesin një president narcizist e qefli, vetëm sepse ai mbështet pikëpamjet e tyre antishkencore dhe kundër abortit, ashtu edhe kleri i Reformizmit Drejtësist, me Selinë e vet të Shenjtë në Bruksel, mbështet Kryeministrin Rama, pavarësisht trafikut të drogës, korrupsionit dhe veprimeve antikushtetuese me të cilat mëkatojnë ai dhe drejtuesit rreth tij.

Për aq kohë sa Paketa e Reformës në Drejtësi mbetet e paprekur nga politika e botës tokësore, atyre nuk u intereson çfarë ndodh me jetët e njerëzve të zakonshëm. Rama le të rrëmbejë dhe plaçkisë Shqipërinë, mjaft që ta bëjë këtë në emër të Gjyqësorit të Pavarur.

Në vitin 1976, Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë, dhe në 1977-ën Kodi Penal sanksionoi dënim me 3-10 vjet burg për “propagandën fetare dhe prodhimin, shpërndarjen apo mbajtjen e literaturës fetare.” Ky ligj, sigurisht, u shfuqizua në vitin 1991, por feja në Shqipëri, për aq sa praktikohet,ka mbetur çështje private dhe jo pjesë e publikes.

Ndaj, mbase nuk është për t’u habitur që këtë boshllëk e ka mbushur Reformizmi Drejtësist, i cili është bërë feja kryesore në Shqipëri me përfaqësim të fortë parlamentar, përmes Partisë Socialiste.

Ashtu si Perandoria Romake solli Krishtërimin dhe Perandoria Osmane solli Islamin, Bashkimi Europian solli Reformizmin Drejtësist. E përballur me boshllëkun ideologjik pas rënies së Blerizmit, e majta shqiptare iu përgjigj thirrjes së këtij sekti të ri dhe e përdori atë për qëllimet e veta.

Sepse, ashtu sikurse feja keqpërdoret gjetkë në politikë, edhe Reformëzimi Drejtësist mund të përdoret shumë mirë në Shqipëri për të maskuar politikat e korruptuara me vellon e drejtësisë, duke siguruar, në rrugë e sipër, aleatë të fuqishëm pa ndonjë busullë të fortë morali.

Kjo situatë shihet gjithandej: Kisha orthodokse ruse dhe Putini, kleri hindú dhe Modi, hebrenjtë orthodoksë dhe Netanjahu, evangjelistët e bardhë dhe Trampi.

Dinamika është e ngjashme: kleri nënshtron gjer në bindje popullatën me përshkrimet e Ferrit dhe të Ndëshkimit (Kthimi i vizave! Shqipëria jashtë BE-së!), ndërsa politikanët i thithin palcën vendit, duke u shëllyer në legjitimimin që u kanë akorduar mullahët, priftërinjtë dhe rabinët.

Ndaj, sa herë të dëgjojmë Sorekën, Ruis Kalaverën apo Hahnin të na predikojnë Reformizmin Drejtësist, bëjmë mirë të pyesim: A po i shërbejnë këta vërtet popullit shqiptar, apo po bëjnë premtime aq të mjegullta dhe të papërcaktuara sa edhe Parajsa dhe Qameti, duke maskuar gjithçka që është e padrejtë dhe e pavërtetë në botën tonë të tanishme?