Jam pro shkëmbimit të territoreve me Serbinë, kundër ndarjes

453
Sigal

Nga Prof. Rexhep Qosja

Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, e bërë publike shumë vite më parë, por e përditësuar dy muajt e fundit, tashmë është ngritur në nivelin e çështjes për të cilën po flitet në gjithë hapësirën shqiptare, madje edhe në diasporë. Çështja e shkëmbimit të territoreve është çështje, çështje politike e kombëtare e madhe, sepse është çështje që i përket tërësisë territoriale të Kosovës, tërësisë territoriale të Serbisë dhe, rrjedhimisht, qëndrueshmërisë në rajon, para së gjithash në rajonin e të ashtuquajturit Ballkanit Perëndimor. Çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është çështje që, ndoshta, ndoshta mund të shtrohet në bisedimet mes shqiptarëve dhe serbëve në Bruksel dhe, si e thonë disa nga vëzhguesit e tyre, mund të shtrohet në mënyrë demagogjike prej kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të shtrohet kur e kur edhe mistifikueshëm prej kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe mund të shtrohet qartë prej përfaqësueses së BE-së në këto bisedime, Federika Mogerini. Si u pa, në këtë shumësi pikëpamjesh tona për çështjen e shkëmbimit të territoreve u shprehën edhe disa paqartësi kuptimore dhe nocionore. Në një sërë rastesh çështja e shkëmbimit të territoreve u mbulua me togfjalëshit korrigjim i kufijve, lëvizje e kufijve apo, madje, dhe ndarje e Kosovës. Keqkuptim të veçantë të çështjes së shkëmbimit të territoreve përfaqëson togfjalëshi ndarje e Kosovës. Me këtë togfjalësh në disa raste synohet zhvlerësimi i skajshëm i çështjes së shkëmbimit të territoreve, i korrigjimit të kufijve, i lëvizjes së kufijve, që në asnjë rast nuk kanë qëllimin, prandaj as kuptimin e ndarjes së Kosovës. Të gjithë ata që sadopak e dinë historinë e çështjes së Kosovës dhe të gjithë ata që qoftë si njerëz politikë qoftë si intelektualë janë marrë dikur me këtë çështje e dinë se farkëtues të idesë së ndarjes së Kosovës ishte politikani dhe shkrimtari serb, Dobrica Qosiq, me mirëkuptimin frymëzues të ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Uoren Cimerman. Ideja e shkëmbimit të territoreve, koncepti i shkëmbimit të territoreve tashmë i ngritur në nivelin e çështjes, ishte, pra, ide e jona, e disa intelektualëve tanë, të cilët me të e mohonin idenë e ndarjes së Kosovës. Edhe me këtë ide, me idenë e shkëmbimit të territoreve atëherë në të vërtetë mbrohej ideja e tërësisë etnike dhe historike shqiptare të Kosovës me Luginën e Preshevës dhe mbrohej, sepse Kosovës i merrej territor, por dhe më shumë i bashkohej territor.

  1. Do të duhej të dihej se sot midis të pushtuarit dhe pushtuesit njëshekullor, domethënë midis shqiptarëve si të pushtuar dhe serbëve si pushtues të Kosovës gjatë, gati një shekulli, nuk bëhet dialog, por bëhen bisedime, bisedime zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike. Për çështje madhore siç janë; liria e pavarësia, siç janë kufijtë, siç është mëvetësia e shtetit nuk bëhet dialog po bëhen bisedime zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike. E shkencore. E jo dialogë.
    2. Do të duhej të dihej se prej Kongresit të Berlinit, në të cilin do të vendosej rend i ri botëror, para së gjithash evropian, fizionominë politike e shtetërore të Ballkanit e përcaktonin Fuqitë e Mëdha evropiane: Britania e Madhe, Franca, Rusia, Gjermania, Italia. Prej Konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919 në përcaktimin e fizionomisë politike e shtetërore të Ballkanit do të marrin pjesë me rol vendimtar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, do të duhej të dihej se Fuqitë e Mëdha, varësisht prej rastit e çastit, kur më pak e kur më shumë i kanë lëvizur dhe mund t’i lëvizin parimet e kriteret në bazë të të cilave e kanë caktuar dhe mund ta caktojnë fizionominë politikë e shtetërore të Ballkanit a hapësirave të tjera.
    3. Fuqitë e Mëdha politike dhe botërore, me institucionet e sotme botërore, kur më drejtpërdrejt e kur më ndërmjetsueshëm i mbikëqyrin apo, madje, i përcaktojnë bisedimet midis popujve e shteteve të konfliktuara, apo të pa pajtuara, që ende nuk i kanë zgjidhur të gjitha çështjet e tyre politike e shtetërore.
  2. Fuqitë e Mëdha botërore, në të vërtetë faktorët ndërkombëtarë që i mbikëqyrin apo, madje, i përcaktojnë ato bisedime midis popujve e shteteve, zakonisht, nuk e kundërshtojnë fushas marrëveshjen që në mënyrë paqësore e arrijnë dy palët në bisedime dhe nuk e kundërshtojnë ashtu edhe në qoftë se ajo marrëveshje arrihet në sajë të disa zgjidhjeve që nuk janë në pajtim me ndonjë parim të politikës së tyre ndërkombëtare, siç janë, fjala vjen, korrigjimi i kufijve, lëvizja e kufijve, shkëmbimi i territoreve, apo, madje, siç ka ndodhur mes dy luftërave botërore, zhvendosja vullnetare e pjesëve të popullsisë.
  3. Në bisedimet zyrtare shtetërore, politike e diplomatike midis dy popujve, dy shteteve, siç janë bisedimet e sotme midis Kosovës dhe Serbisë për çështje madhore politike e kombëtare zakonisht nuk shkohet me mendje dogmatike, nuk shkohet me një qëndrim.
  4. Në bisedimet zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike, midis popujve e shteteve, siç janë bisedimet për çështje madhore mes Kosovës dhe Serbisë, zakonisht nuk flitet me kategori folklorike e romantike dhe nuk flitet me kategori të tilla sepse ato janë kategori të fëmijërisë së kulturës politike e shtetërore.
  5. Në bisedimet zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike midis popujve e shteteve, siç janë bisedimet e tanishme midis Kosovës dhe Serbisë, zakonisht duhet të njihet në tërësi jetëshkrimi politik i pjesëmarrësve, në mënyrë të veçantë, i krye/pjesëmarrësit të palës tjetër në këto bisedime. Po të pajiseshin me të dhënat e duhura prej fillimit të bisedimeve për jetëshkrimin politik të krye/përfaqësuesit të Serbisë në bisedime, Aleksandër Vuçiqit, përfaqësuesit e Kosovës do të duhej ta “kushtëzonin” pjesëmarrjen në bisedime me largimin e tij.
  6. Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e tanishme me përfaqësuesit e Serbisë do të duhet ta dinë se, siç na mëson historia, asnjë rend botëror s’është i gjithmonshëm: Çdo rend botëror më herët a më vonë zëvendësohet prej një rendi tjetër botëror.
  7. Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e tanishme me përfaqësuesit e Serbisë do të duhej të dinë, se edhe më tej, shumë, shumë serbë, në të vërtetë, numri më i madh i tyre, besojnë në mitologjinë mesjetare serbe.

Nuk e quaj mençuri zgjidhjen e hamendësuar të konfliktit të gjatë historik shqiptaro-serb me arnime të përkohshme! E quaj mençuri politike e historike zgjidhjen e këtij konflikti me zgjidhje të përhershme, me zgjidhje historike, që nënkupton shkëmbimi i territoreve, i shfaqur si gjasë pothuaj e papritur sot, për brezin tonë. Nuk mund të mos supozohet sadopak, ndërkaq, se roli i tillë historik i shkëmbimit të territoreve e ka shtuar numrin e zyrtarëve të sotëm dhe të mëparshëm politikë e shtetërorë në SHBA-të dhe në BE-në dhe në disa vende të tjera, që janë shprehur në favor të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë. Dhe, në fund, le të thuhet haptas e qartë edhe ky mendim që mund t’i hidhërojë feudalët politikë e intelektualë në Kosovë sot: Shkëmbimi i territoreve të sipërthëna, i arritur në paqe, me Marrëveshje midis shqiptarëve dhe serbëve, me pajtimin në fund të faktorëve ndërkombëtarë, me pajtimin e SHBA-së dhe të BE-së, do ta bënte më të madhe se ç’është sot mundësinë politike, kombëtare e ndërkombëtare, për zgjidhjen përfundimtare, historike, të çështjes së Kosovës: për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ashtu qoftë!