Ilmi S. Qazimi:  Kryetarin e duam atdhetar e jo atdhevrasës 

167
Sigal

Jetojmë në kohë diversitetesh; nuk ka më, hëpërhë, ndonjë faktor të fuqishëm që të mbledhë grerëzat që kanë roitur nga foleja, prandaj na duhet që fillimisht të kornizohemi në hapësirë e në kohë, e më pas në këndvështrim dhe analizë që të mund të nisim një punë, një mendim shprehje apo një vendimmarrje. Jo me kot thoshin të moçmit tanë të mençur se çdo stan ka dhe kërkon çoban. Prandaj çdo popull kërkon që të ketë qeveri për ta drejtuar atë sa më mirë e jo ta mashtrojë për ta shfrytëzuar keq e më keq. Bëhen kritika gjithandej për kryetarin e qeverisë, atë të opozitës (ndonëse ata të opozitës tonë janë shkërmoqur e çakërdisur sa nuk ka më ku të vejë) e për të gjithë strukturat e tjera të shtetit. Prej specialistëve të të gjithë fushave, prej fshatarëve dhe qytetarëve të thjeshtë, prej pensionistëve dhe të gjymtuarve, çdo ditë bëhen kritika ndaj ministreshave, drejtoreshave, drejtorëve, gjykatësve, avokatëve, prokurorëve, etj, për paaftësi, pafytyrësi, mashtrime, madje edhe për mungesë të theksuar atdhetarie. Këtë vërejtjen e fundit ia drejtojnë më shumë kreut të qeverisë. Dhe kanë të drejtë. Ai, për tërë këto vite në kolltukun e kryetarit, si në bashki edhe në qeveri, ka punuar shumë, personalisht dhe me ekipet e tij, për të sjellë ndryshime të kapshme materiale e shpirtërore tek shqiptarët e këtushëm e tek ata që janë jashtë truallit të lindjes, por realisht nuk ka bërë asgjë për Atdheun. Sot, për ata që nuk e dinë, nuk duan ta dinë apo që e dinë dhe s’u intereson, se janë indiferentë, të shitur apo të paguar, na duhet që të ritheksojmë nocionin “atdhetar”. Atdhetar është ai që do atdheun e popullin e vet; që mbron me vetmohim interesat e vendit të vet; që është patriot; që jo vetëm shpreh dashuri për atdheun, por edhe frymëzohet prej saj. Atdhetar është ai që iu shërben me besnikëri, vendlindjes, popullit dhe vatanit të vet. Cili nga kryetarët e qeverive tona postkomuniste i ka treguar këto virtyte dhe cilësi për atdhetari? Aleksi, Saliu, Iliri, Pandi, Fatosi, apo Edi? Çfarë kanë bërë konkretisht kryeministrat tanë të viteve 1990-2023 për atdheun tonë? Fatkeqësisht, përgjigja është negative. Asnjëri dhe thuajse asgjë. Faktet e panumurta flasin që doemos atdhevrasësi i parë dhe më i zellshmi për t’iu shërbyer të huajve e për të varrosur njerëzit tanë, historinë tonë, ekonominë tonë, mbetet Sali Berisha. Por edhe Edi Rama me stilin e tij “rilindës”, në kohët e reja globale, për jetëgjatësi në vite si kryetar dhe bëma, vjen fill pas tij përsa i përket mungesës së atdhetarisë. Ka ardhur koha që këta të mbeten në koshin e historisë, i cili do t’i shoshisë sipas meritave. Mjaft me gënjeshtra. Duam kryetar atdhetar në krye të qeverisë shqiptare. Jo këmbët këtu e kokën te satelitët amerikanë, por kokë e këmbë atdhetar, që të mendojë për atdheun ku ka lindur. Dihet aksioma që ‘i madhi e mund të voglin’, dhe të thënat e tjera se ‘imperializmi amerikan sundon tërë globin’, që ‘të drejtat e njeriut’ janë slogan mashtrues, që i pasuri të ‘jep një thelë e të merr një pelë’, por dihen edhe rregullat e mundësitë se si të ndërtohet jeta e kombit dhe e popullit në këto kushte. Atëherë përse qeveritë tona nuk punojnë për atdheun, por për të huajtë? E para gjë që duhej bërë është të krijoheshin për të gjithë shtetasit kushte relativisht të mira jetese, mundësi punësimi, mundësi pagese të përafërt me ato të shteteve të rajonit. Krahas, duhej të ishin kryer disa angazhime e veprime që edukimi i tërë banorëve të synojë forcimin e jetës sonë këtu në Shqipëri e jo të nxitet, stimulohet dhe propagandohet braktisja, ikja e sa më shumë të rinjve dhe sa më parë. Nëse Berisha fjalën ‘edukim’ e ka transformuar në shpifje dhe mashtrim, vandalizim dhe shkatërrim, kryetari i qeverisë sonë sot, edhe fjalën ‘edukim’ edhe fjalën ‘atdhe’ i ka harruar. Në qoftë se Saliu mohoi edhe datën e çlirimit të Shqipërisë nga nazifashismi, Edi i ka harruar krejtësisht edhe faktet historike lavdiplote, që Shqipëria është çliruar nga nazifashizmi me forcat e veta, pa ndihmën e asnjë këmbe ushtari të huaj siç ndodhi në shtetet e tjera europiane; që Shqipëria ka qenë 45 vite shtet me njohje të gjerë, peshë të merituar dhe respekt të shtuar në tërë veprimtaritë botërore kapitaliste e socialiste. Ka qenë shtet që arriti të prodhojë bukën në vend, të ndërtojë bazë ekonomike të shëndoshë industriale, bujqësore e blegtorale, të eksportojë nga nafta tek preshi; arriti të ndërtojë uzina e fabrika, miniera e hekurudha. Arriti të ketë ushtri e polici, diplomaci, kulturë e arsim të përparuar. Po tani ku janë tërë ato? Këtu nuk ka nostalgji, por realitet objektiv. Vetëm ai që nuk është atdhetar, që nuk e do Shqipërinë, nuk i sheh këto të vërteta verbuese. Ky kryetar, Edi Rama i ditëve të sotme, i quan folklorike betejat për çlirim e për mbrojtje të paqes së kërcënuar që ka bërë populli shqiptar gjatë historisë së vet, edhe si shtet, e sidomos këto të gjysmës së dytë të shekullit të fundit në ndërtimin socialist. Kështu që, kur kryetari nuk mbështetet tek e kaluara e pamohueshme historike, si mund të mendojë ai për të arritur të tashmen e kërkuar dhe të ardhmen edhe më të mirë? Kryetari ynë i tanishëm i qeverisë nuk e rruan fare se po i ikën rinia dhe po mbetet në këtë vend vetëm mosha e tretë. Kjo mund t’i ndodhte edhe çdo kryetari tjetër që do të vepronte siç po bën ky, Edi Rama. Por kanë qenë e janë të gjitha mundësitë që kjo gjëmë të mos ndodhte në përmasat që ka pllakosur në ditët e sotme. Është e vërtetë që sot në botën e ndarë prej sundimit imperialist, në disa klase dhe shkallëzime të mirëqenies materiale dhe shpirtërore, nga që edukimin e bën vetëm paraja dhe mashtrimi me mafjen e terrorin, e bën kinemja dhe celulari. Fatkeqësisht sundojnë, disa mendësi e koncepte si “Atdheu është atje ku është paraja!”; „Unë nuk dua të punoj”; “për ne anglezët dhe amerikanët punojnë popujt e botës”; “ për mua ka rëndësi të bëj qejf dhe të fitoj sa më shumë”; “qëllimi im për të rritur fitimet, justifikon çdo mjet që do të përdor”etj etj. Globalizmi nuk njeh atdhe e komb por dollarë, qejf dhe konsum. Pastaj, ec bab! Gëzo të sotmen, harroje të djeshmen dhe s’dihet se si do të jetë e nesërmja! Ky është thelbi i këtij lloj edukimi dhe kësaj qeverisjeje. Zhvillimi kaotik kapitalist po shpie drejt shfarosjes së shumë koncepteve bazë të ekzistencës njerëzore. Por realiteti tregon se forca shpirtërore dhe ajo materiale e popujve që e duan atdheun, që respektojnë kombin, që kanë qeveritarë atdhedashës, mund t’iu vënë fre këtyre forcave dhe rrymave të errta. Historia ashtu siç ka ndodhur as nuk zhbëhet më e as nuk është politikë. Ajo është e do të mbetet në tërë kohrat taban për t’u mbështetur sa më fort për të siguruar të ardhmen. Është fakt se epidemia e Covid-19, (edhe kjo qe shpikje monstruoze e sistemit kapitalist),veç të tjerash, nxori në pah edhe forcën e madhe të kombeve, fuqinë e shteteve të mirëfillta atdhedashëse, aftësitë manexhuese e transformuese të vlerave të larta njerëzore si solidariteti, bashkëpunimi, organizimi, prodhimi e kursimi, etj. Dhe kjo është dialektike, pra jo vetëm e pakundërshtueshme por domosdoshmërisht për t’u zbatuar. Historia ka krijuar edhe pjesën më të madhe të ndërgjegjes shoqërore të një kombi, të një populli apo klase të caktuar, që do të shërbejë për të përmbysur në një kohë jo fort të largët këtë sistem atdhevrasës, kombshkatërrues dhe njeringrënës, që po instalohet edhe në Shqipërinë tonë, me kaq zell nga kryeqeveritarët tanë.