Modeli Edi Rama, një tiran dhe autoritar që zhgenjeu qytetarët

352
Sigal

Analizë nga publicisti Vangjush Saro/ Kryeministri aktual u shfaq fillimisht si një reformator dhe politikan që premtoi të sillte ndryshimin. Por shpejt, djali i përkëdhelur nga fati, u bë arrogant, i pasjellshëm, problematic me kolegët, me kundërshtarët dhe me shtypin. Figurën e zyrtarit e zunë abuzimet me tenderat, rekrutimet pa fryt në administratë, sjellja brutale, veshjet allosoj, batudat agresive, diktati dhe pabesia. Megallomania e tij në votimet e 25 prillit mund të formulohet nga një ‘JO’ e fortë prej qytetarëve të zhgënjyer

 

Debati politik ashpërsohet nga java në javë në afrim të 25 prillit dhe, si gjithnjë, në krye të sherrit e të shamatasë, mbetet i përkëdheluri i të gjitha kohëve, Edi Rama. Kakofoninë dhe mospajtimin në asgjë, e vinte në dukje edhe Komisioni Evropian në Paketën e Zgjerimit 2020. (“Mjedisi politik, thuhej në raportin e fundit, karakterizohet nga polarizimi intensiv.”) Aventura politike e Kryeministrit, nga mbledhjet e përbashkëta me qeverinë kosovare, në mbledhjet e përbashkëta me… qeverinë greke, flet për një demagogji tashmë të dalë boje. Në këto kushte merr përparësi problemi i lidershipit, në mos edhe i individëve; (tash tri dekada, ata sillen përqark në këtë çikë vend që i thonë Shqipëri e me këtë çikë popull që i zgjedh e mban mbi shpinë).

Prania e politikanëve në jetën e vendeve e të njerëzve, kudo, është bërë një barrë, që megjithatë njerëzit s’e hedhin dot nga krahët. Shpesh qenia e tyre, gjithkund, shfaqet si një pikëpyetje e madhe që të shtyp. Nga vijnë, çfarë kanë arritur, ç’lidhje e raporte mbajnë me aleatët dhe me njëri-tjetrin, si shfaqen në publik, cila është jeta e tyre familjare, miqtë që kanë, gjestikulacionet që bëjnë e batudat që hedhin, të gjitha këto na ndihmojnë të shohim dy modele politikanësh: Modeli i parë (që përgjithësisht mungon te ne) është ai i politikanit të cilit i është besuar një detyrë e vështirë e, në një vështrim të gjerë, përpiqet ta kryejë atë mirë dhe në harmoni me mjedisin përqark. Duke qenë se rezultatet maten me ndryshimet sa i takon sigurisë, mirëqenies dhe zhvillimit të një vendi, kjo deri diku përcakton jetëgjatësinë e tyre në pushtet. Kur ata arrijnë disa kuota, kur fitojnë besimin e njerëzve në një shkallë të konsiderueshme, ngrihen në sytë e njerëzve si liderë. Modeli i dytë është ai i politikanit ‘kaposh’. Zakonisht, këta janë njerëz të fryrë, egoistë, të pangopur me përfitime, e ushtrojnë pushtetin ‘me dorë të fortë’, ofrojnë vend e pa vend njëlloj imponimi, janë potenciale te pakuptueshme që nuk merret vesh sa ndërtojnë e sa shkatërrojnë. Me fjalë të tjera, këta politikanë paraqiten si autoritaristë, madje ndonjëherë shndërrohen edhe në tiranë.

Sado që për askënd e për asgjë nuk themi dot fjalën e fundit – sepse kjo është edhe çështje interesash, bindjesh, kulture e këndvështrimi – dy modelet përgjithësisht kanë qenë dhe mbeten të ndarë e të veçuar qartazi në sytë e publikut; në çdo kohë.  Perëndimi përgjithësisht sjell në poste drejtuese figura të modelit të parë, që bëjnë detyrën e, nga çdo pikëpamje, janë zyrtarë të përgjegjshëm, janë edhe individë me ndjesi ekuilibri. Këta zakonisht nuk bërtasin; flasin. Nuk bëjnë bishën me kundërshtarin politik. I fshehin me kujdes mëritë. Dinë edhe të degjojnë të tjerët. Ata, gjithashtu, kanë përgjithësisht një jetë familjare për t’u vlerësuar. Një i tillë zyrtar është ish-Presidenti i SHBA, Barak Obama. Një i tillë zyrtar është kryeministri i Kanadasë Xhastin Trudo. Një e tillë zyrtare është kancelarja gjermane Angela Merkel. Në vende si Austria, Suedia, Danimarka, Finlanda, Australia, Zelanda e re, etj. drejtues të shtetit dhe qeverive janë po të tillë zyrtarë, në mos edhe më ‘model’ se kaq. (“Një zemër guximtare dhe një gjuhë e sjellshme. Këto duhet ta udhëheqin njeriun nëpër xhunglën e jetës.” R. Kipling)

Në Ballkan – për të mos folur për rajone më të vështira – punët ndryshojnë. Për njëmijë arsye, herë pas here popujt nxjerrin në krye autoritaristë, në mos tiranë. Por nuk është e thënë të ketë qenë gjithnjë kështu; të jetë gjithnjë kështu, ca më pak. Shpesh tek i njëjti person bashkohen të dyja modelet. Le të ‘vizatojmë’ disa nga politikanët shqiptarë që kanë pasur peshë në qeverisje këto dekada dhe që do të jenë ende protagonistë: Fatos Nano, bie fjala, ishte një zyrtar tipik. Por ai nuk iu shpëtoi dot ngasjeve të pushtetit; gjithsesi, e reshtoi veten te politikanët që dinë ta mbarojnë fjalinë. (Me këtë nënvizim, dua të them që këta politikanë kanë një etikë e kulturë në të folur dhe i rendisin me qetësi argumentet. Në këto karakteristika – është një pështypje vetjake – ishin apo janë edhe Aleksandër Meksi, Ylli Bufi, Et’hem Ruka, Skënder Gjinushi, Pandeli Majko, Haxhi Aliko, Genc Ruli e politikanë të tjerë; pavarësisht qasjeve përkatëse, pavarësisht edhe fatit të tyre.) Që të vazhdoj me z. Nano, ai është, gjithashtu, një ndër ata që e vlerësojnë fasadën, di të përmbahet, nuk e rrëmben vend e pa vend mëria apo egoizmi i shfrenuar. Më në fund, për mirë a për keq, gjer më sot, është i vetmi politikan i lartë shqiptar që ka parë burgun (!)

Nga ana tjetër, Sali Berisha, me shumë ambicje dhe me një kulturë të fituar me vullnet të madh, ishte dhe mbeti një autoritarist. Është nga ata politikanë që ndjekin edhe pasurimin, edhe lavdinë, i duan të gjitha; dhe për t’i arritur mund të bëjnë gjithçka. Është tejet e trishtë që ai ende mëton të diktojë në politikën dhe jetën e vendit. Ilir Meta, një ndër figurat me karrierë tejet të suksesshme gjer më sot, ministër, kryeministër, aktualisht President i Republikës, gjithashtu anon nga një zyrtar. Edhe ai… e mbaron fjalinë. Nuk duket se e mposhtin mëritë dhe fiksimet. Krenaria e tepruar e ka larguar disi nga kahja e vet politike. Një tjetër zyrtar, Lulëzim Basha, është sot protagonist në politikë. Edhe ai i përgojuar, por në dukje më elegant se kundërshtari, më i sjellshëm, i qeshur madje; një nga ata që gjithashtu e mbarojnë fjalinë. Në krye të një partie të dobësuar dukshëm në vite, ai po bën çmos të justifikojë opozitën dhe të vijë në pushtet. Ka gjithë mbështetjen e një spektri të gjerë politik; por është pak për të marrë ‘timonin’, përveçse gjendet përpara një kundërshtari që vështirë të thyhet…

Dhe ky që po bën çmos të mos thyhet e të mos ikë, është Edi Rama. U shfaq fillimisht si një reformator, si një politikan energjik dhe që ka marrë përsipër të ndryshojë shumë gjëra… Por shpejt, djali i përkëdhelur nga fati, u bë arrogant, i pasjellshëm, problematik në marrëdhëniet me kolegët, me kundërshtarët dhe me shtypin. Fillimisht në Bashkinë e Tiranës e më pas Kryeministër, Edi Rama gjithnjë e më shumë u largua nga figura e zyrtarit, për t’u ‘dorëzuar’ si autoritarist. Atë për asgjë nuk e vë dot përpara. Ndërtimet galopante, abuzimet me tenderat, rekrutimet pa fryt në administratë, sjellja brutale, veshjet allosoj, batudat agresive e kështu më tej, asgjë nga këto nuk e diskuton dot me të; që do të thotë se në çdo temë ai shfaqet i papërballueshëm. Anipse, siç thotë populli, e keqja bën ‘Muuu!’ (“S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe…” Hegel)

Por si i thonë fjalës, ka edhe më, madje edhe më të hidhura se kaq. Ndryshe nga kolegët e tij, z. Rama ka hapur krahët të administrojë gjithçka; çdo fushë të jetës do ta mbulojë me mendim dhe me veprim, me diktat dhe pabesi. Ai ‘i di të gjitha’. Zgjedh, emëron e shkarkon sipas tekave të tij. Vendos kriteret. Dikton çmimet dhe kostot. Përzgjedh më të mirët e artit e të letrave. Ai dhe vetëm ai e di kush  bën ‘vezën e kuqe’, kush duhet përkthyer në gjuhë të huaj, kush është ‘maja e humorit shqiptar’, kush duhet dekoruar e kush jo, kush duhet të flasë e kush duhet të dëgjojë, kush duhet të jetojë e kush duhet të ngordhë… Një megalloman i tillë, na kujton autoritaristët më të pahir. Të vendit dhe të botës. E jo, neve na duhet një zyrtar i lartë sa më i përgjegjshëm. Kaq.

Unë e pranoj kokulur, sot është ndër të paktat raste që nuk e shmanga dot njëlloj turbullie; jam mbase disi konfuz, sepse vetë çështja është e tillë. Nuk e di si mund të shkojnë gjërat më tej. Por them me bindje se ajo që mund të frenojë autoritaristët, në rastin tonë Edi Ramën, është ‘traga’ që ka lënë pas, vetja e tij; që do të thotë: ashtu si kanë shkuar punët dhe si ai zhgënjeu qytetarët, ka gjasa që në votat e 25 prillit mund të formulohet një ‘JO!’ Po e shpjegoj. Unë, si qytetar, po shoh mendjemadhësinë e pafre të tij, po shoh që i ka hipur kalit mbrapsht, po shoh se si abuzimi është bërë mal, veças që kryeqyteti është betonizuar, po betonizohet pareshtur; dhe të gjitha këto, më kërcënojnë e më brengosin. (“Liria ka patur gjithmonë si kufi lirinë e të tjerëve.” A. Kamy) I vetmi ambient me pak ajër, Parku i Madh (apo Liqeni Artificial) gjithashtu po mbillet me kulla; një qasje e tillë, është tej çdo durimi e mirëkuptimi, flet për njëmijë pisllëqe të tjera dhe unë iu them ‘JO!’ këtyre pisllëqeve, kryeministrit aktual po ashtu.

Po si i bëhet për ndonjë ‘PO’?! Si i bëhet, sot e tri dekada, me këtë dilemë, me këto dilema?! Në Ballkan, jetë e mot, i kanë dashur autoritaristët; dhe unë nuk kam shumë informacion, po sidomos durim, zell ca më pak, të filloj nga e para ta shpjegoj këtë dukuri. Unë mund të them vetëm ‘JO!’ dhe prapë nuk di ç’vjen më pas…