Ilmi Qazimi: A ka vesh qeveria të dëgjojë?

462
Sigal

Nuk dua aspak  që të ndikoj  për keq, e ca më pak të fyej të drejtën e besimit të secilit individ në fe, ndonëse përgjithësisht  rreshtohem me ata  që përkrahin ateizmin. Por që të arrish të besosh aq thellë, edhe kur ke mbaruar studimet universitare, sa të vetflijohesh me besimin se do të ringjallesh, -ky është veprim paradoksal. Ngjarja e publikuar e Tiranës, ku një vajzë  e shkolluar mbahej në dhomë e vdekur me muaj të tërë, nga e ëma dhe e motra, po ashtu me arsim të lartë, se do të ringjallej, -është këmbanë alarmi  për shoqërinë e për qeverinë. Media njofton se ka edhe raste të tjera të tilla. Sadoqë, të tillët, të shfaqin ndonjë të metë mendore, në rrethanat konkrete, janë ndikimet fetare më superiore dhe  tekefundit, këto i përkasin epokës së primitivitetit e jo të teknologjisë  ultramoderne. Po qe se ndërmerret  një studim apo hetim serioz, me siguri do të dalin edhe më tepër individë që  kanë premisa për të tilla vetflijime, apo më saktë vetvrasje me stimulim të drejtpërdrejtë   nga një sekt i caktuar fetar. Është një ngjarje tepër e rëndë, sa nuk ka peshore ta mbajë, ndaj na duhet që t’i thërresim mendjes. Realisht feja që në krijim të saj ka qenë, është e mbetet  vetëm helm për shpirtin e njeriut të drobitur, është hipokrizi prej padronit barkngopur  dhe tmerr për fëmijët e porsalindur. Ndodhia  që  bëri bujë në një familje me vajza të shkolluara në lagjen e Tiranës që akoma quhet “kombinat”(dhe që akoma nuk po  gjendet ndonjë fajtor, e akoma më keq nuk ka prononcim të mirëfilltë nga administrata e shtetit), është fatkeqësi e madhe, jo thjesht e asaj familjeje, por edhe  shoqërore. Jo se iku një apo dy persona, por se hapet udha për të tjerët për veprime nisur nga një bindje jashtë realitetit objektiv shkencor. Pra shtohet  terri dhe rritet niveli i injorancës në përpunimin e brumit njerëzor që jeton në Shqipëri. Për ta thënë më troç, kjo ngjarje, veç të tjerash, tregon  në një farë mënyre se  frenat e edukimit, arsimimit dhe formimit të njerëzve tanë, në një shkallë të caktuar, i ka marrë në dorë feja, me sektet e saj aq të shumta, ku ka edhe  jo pak  syresh që janë radikale, çoroditëse, paniksjellëse dhe vdekjendjellëse. Ndaj del e domosdoshme  që të gjithë ato komitete, komisione, e ku di unë që ka ngritur shteti për marrëdhëniet e tij “të barabarta kushtetuese  me fenë” dhe sektet fetare, të punojnë që të sigurojnë barazi reale  dhe të njohin  se me kë ke të bësh e jo “ec, bab”, “derr, apo drapër në thes!”  A ka vesh qeveria që të dëgjojë për  këto  ndodhi   kaq asfiksuese? Kuptohet, krerët janë të zënë me pazaret e ndotura politike  për kreun e qeverisë e për  karrige deputetësh, por është fjala për  hallkat e tjera që edhe paguhen mirëfilli   për zbatimin e ligjeve  të kësaj sfere. Admiroj së tepërmi praktikën dhe statutin e bektashinjve, themelet ideologjike të të cilit për në Shqipëri i hodhi Naim Frashëri me shokë të Rilindjes së vërtetë, se pa atdhe nuk ka fe; se  feja e jonë është kombësia jonë, është shqiptarizma. Dhe për më tepër që, ashtu si gjithëherë, Kryegjyshata Botërore  e bektashinjve, me  drejtues virtuozë në vijimësi, ka  iniciuar aktivitete mbarëkombëtare për fuqizimin e  ndjenjës së shqiptarisë, këtë vit ajo çeli  vitin e Naim Frashërit,  poetit të madh të kombit tonë.