Hyqmet Zane: Ndërkombëtarët ti thonë jo, diktaturës së re

188
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Të bërit fakt të punëve të zeza qeverisëse në Shqipëri po kthehet  një ritual që po merr terren dhe mbështetje edhe të ndërkombëtarëve, për fatin e keq. Kështu mendojnë më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare që po provojnë mbi kurrizin e tyre elementë tipikë diktature, që po vret shpresat dhe ekonominë shqiptare.  Çdo gjë po shihet qartazi dhe po përjetohet frikshëm në një truall ku pritej të lulëzonte jeta me “rilindje” dhe ku gjithçka po vritet. Po vritet jeta si pa të keq në mes të ditës dhe natën, në rrugë dhe në pragun e shtëpisë, vret burri gruan me sëpatë dhe vëllai motrën për para, vret shoku shokun për një gërvishje makine, vret djali babanë ose nënën dhe “vritet” një adoleshente me përdhunim në kolektiv, vritet mafiozi nga mafiozi dhe mbi të gjithë, vritet rehatia qytetare. Mbi të gjitha vritet shpresa njerëzore, në një kohë që policia e shtetit bën sehirin dhe mban “saktë” statistikat dhe e paaftë për parandalimin e vrasjeve, se edhe vetë policia të vret me pa të drejtën dhe në kundërshtim me ligjin.

“Pas 8 vjetësh, ikja nga Shqipëria po bëhet nga sjellja e qeverisjes që blen vota për të qëndruar në pushtet, për të vazhduar abuzimet dhe ndërkombëatrët, që me forcën e vendit që përfaqësojnë, po i dalin garant kësaj qeverisje”

Nëse pas 2013-ës, shqiptarët nisën të iknin nga mosgjetja e shpresës dhe mospunësimi apo nga mbytja me korrupsion e jetës së përditshme, tashmë, pas 8 vjetësh,  ka arritur kulmi, se ikja nga Shqipëria po bëhet nga sjellja e qeverisjes që blen vota për të qëndruar në pushtet, për të vazhduar abuzimet e 8 viteve dhe ndërkombëatrët që me forcën e vendit që përfaqësojnë, po i dalin garant kësaj qeverisje me të thëna dhe të bëra. Analistë seriozë dhe me besueshmëri po vërejnë se dalja në krah të qeverisjes dhe pushtëllëqeve të saj nga disa ambasadorë, ka rritur mosbesueshmërinë ndaj atyre dhe vendeve që përfaqësojnë. Kulmi i këtij realiteti u tregua me vendimin “non grata” të Sali Berishës, si një qershi përmbi tortën e sjelljes abuzive ndaj popullit me “avokatinë” e ambasadorëve  që i kanë bërë së keqes në Shqipëri.

Dita-ditës shohim se çfarë bëhet në mes të qyteteve të vendit ku të fortët e tyre po zaptojnë territore publike me krijimin e hapësirave për kafene dhe ngushtimin e trotuareve, ku duhet të kalojnë njerëz. Tipike kjo duket në qendër të Elbasanit dhe nuk ka inspektoriat që t’i ndalojë se gjithkush ndërton e ndërton, zë territore dhe i manipulon ato gjoja me lule, por që janë kthyer në shqetësim qytetar që, për fatin e keq, nuk shqetëson vetëm pushtetin vendor që ka humbur pozicionin e vet në shërbim të qyetarëve.  Bile përgjatë një rrugë të tillë ka kaluar edhe kryeministri, kalojnë edhe ministra, por edhe ambasadorë dhe kanë folur e folur për gjithçka, por nuk u kanë plasur sytë të shohin se çfarë po bëhet. Dhe mandej nuk dëgjojnë as “krismat e vrasjeve” që po prishin jo thjesht imazhin e Shqipërisë, por po u prishin mendje qytetarëve që e kuptojnë se po bëhet aq e vështirë për të jetuar në qytetin dhe shtëpinë e tyre.

Do të doja t’i bëja një memo kryeministrit që t’i tërhiqja vëmendjen se rehatia e qytetarëve është prishur ndjeshëm edhe nga bokset e muzikave të shumta që buçasin me një kakofoni llojesh sa çdo gjë mund të jetë, por relaks për qytetarët nuk është. Kush duhet të përgjigjet për këtë ndotje akustike. Po për atë ndotje të vërtetë plehrash që i shohim në çdo qytet dhe askush nuk shqetësohet edhe kur ndërhyhet në strukturat e kateve të para të pallateve dhe zaptohen territore të gjelbërta pa lënë një vend sado të vogël për lojrat e fëmijëve apo qetësinë e moshave të treta që më shumë mbyllen në shtëpi, se sa do të duhej të ndjenin ndikimin e oksigjenit, por kanë ndikimin e muzikës së xhazit në çdo kohë, pa ndalim, me pretekstin se, “nuk duan qytetarët t’u dëgjohen bisedat”. O Zot, çfarë idiotësie tipike shqiptare!

“Jemi në rrethana tipike të një diktature të re me forma moderne dhe praktika diktatoriale, sikur duan të të thonë, “hesht ti, se nuk ta kemi ngenë, se kemi punë të tjera” gati sa nuk të thotë se “rri urtë se ta tregojmë ne vendin ty”.”

Të gjitha këto janë nën një sjellje diktati të qeverisjes që flet për gjithçka, sidomos për opozitën, por jo për shqetësimet e qytetarëve. Tipike në rrethana tipike të një diktature të re me forma moderne dhe praktika diktatoriale, sikur duan të të thonë “hesht ti, se nuk ta kemi ngenë, se kemi punë të tjera” gati sa nuk të thotë se “rri urtë, se ta tregojmë ne vendin ty”. Dhe pas një ore e pas një dite, dëgjon se u vra ky dhe ai, në shtëpi apo në rrugë, u vra për pazare dhe trafiqet që bëjnë jashtë shtetit, por vetëm policia apo drejtuesit e saj nuk flasin ose, edhe kur flaisn, mashtrojnë pa pikën e turpit.

Ky realitet ka bërë sundimin e atmsoferës shqiptare që e përjetojnë të gjithë dhe e vuajnë të gjithë, por veç ndërkombëtarët  nuk po e shohin ose bëjnë sikur nuk e shohin. Duket sikur këta ndërkombëtarë që janë në Tiranë, po bëjnë klloçkën, për të mbajtur të ngrohtë qeverisjen që në vend të produktit të vërtetë, dalin poshtërsi pas poshtërsie që marrin dhenë. Kjo sjellje që po na fshehin të vërtetat me “pushtimin” e vendit nga krimi e kriminelët që nuk kapen, pa folur për trafiqet që po dalim “kampionë” në botë me grupet mafioze me rrënjë të shtrira në Tiranë e në qytetet shqiptare.

Jemi kthyer në delja e zezë e Evropës sot, në shekullin e 21 dhe në vitin 2021, tamam ashtu siç konsiderohej Shqipëria në kohën e diktaturës. Nëse vërtet atëherë e meritonim atë nofkë për shkak se ishim bërë si donkishotë që luftonim me mullinjtë e erës, por si është  e mundur që nuk na u hoq kjo njollë e “deles së zezë” sot, kur pretendojmë se jemi në demokraci ? Janë pikërisht këta të majtë të rinj me emrin mashtrues “rilindje”, tamam si të vjetrit, baballarët e këtyre që na lanë në turpin e Evropës.  Dhe për këtë kanë “meritën” e tyre ndërkombëtarët e atashuar përmes ambasadorëve që nuk duan të shohin të vërtetat. Edhe pas 1944-ës e lanë regjimin e Enver Hoxhës të bënte çfarë të donte dhe ai bëri diktaturë staliniste. Më pas thoshin atë dhe këtë, se Shqipëria është vend diktatorial etj. e njejta gjë po ndodh edhe sot, pas 77 vjetësh, që po i bëhen parzmore qeverisë së Edi Ramës, që po po etiketohet si “qeveri antikorrupsion”. Kjo do të thotë t’ia bësh ‘bam’, sepse një gjë që shqiptarët e prekin me dorë dhe ambasadorët na thonë që ne nuk po shohim të vërtetën, atëherë kjo hapur do të thotë që “ne nuk lejojmë njeri të na prekë qeverisjen”, çka po duket sheshit.

“Vritet shpresa njerëzore në një kohë që policia e shtetit bën sehirin dhe mban “saktë” statistikat dhe e paaftë për parandalimin e vrasjeve, se edhe vetë policia të vret me pa të drejtën dhe në kundërshtim me ligjin”

Dhe nga ana tjetër, i bëhet luftë Presidentit Ilir Meta me çdo mjet, me propogandë, me parlament, me ndërkombëtarë, me sajime e pushtllëqe që po na bëhen pjesë e jetës, a thua se kjo është demokracia e vërtetë. Gjithashtu i jepet Sali Berishës “non grata”  ish- president dhe ish- kryeministër, a thua se ky “burrë shteti”, siç e ka thënë ambasadori amerikan Arvizu, është e keqja e shqiptarëve.  Hidhet baltë ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha,  duke thënë që edhe ai nuk lejohet në SHBA, ndërkohë që nga ana e qeverisjes, blihen votat e qytetarëve votues, përdoret gjithë administrata në shërbim të zgjedhjeve.

Vlen të kujtohet ajo fabula e ujkut me qengjin kur u takuan në kroin e fshatit. Ujku nga lart, i tha qengjit se përse po e turbullon ujin, dhe qengji iu përgjigj se, si po e turbulloj  unë ujin që jam poshtë dhe ti je lart. Dhe ujku i tha që unë do të të ha, se gjyshi yt m’a ka turbulluar ujin. Nuk ka nevojë për koment sepse të bërit parzmore e një qeverisje të superkorruptuar dhe me namin më të keq në opinionin evropian dhe atë ndërkombëtar, të jep përshtypjen  se  disa ambasadorë dhe disa ndërkombëtarë po u ngjasojnë klloçkave që ngrohin zogj, kurse këta po e mbajnë ngrohtë një qeverisje që meriton ndëshkim për zullumet që i ka bërë këtij vendi në 8 vjet qeverisje dhe 10 vjet në krye të bashkisë së Tiranës ky që sot është kryesocialist dhe dikur kryebashkiak. “Nuk ka se çfarë të bëjë shkrimtari, kur faktet flasin vetë”, ka thënë Balzaku.

Ish- Presidenti Amerikan, Franklin D. Roosevelt, sjell në vëmendje këshillën e tij të madhe se, “Në demokraci, liria rrezikohet nëse populli toleron rritjen e pushtetit personal deri në pikën kur ai bëhet më i fortë se vetë shteti demokratik. Në thelb, ky është fashizëm,  kapja e qeverisjes nga një individ, nga një grup, a çfarëdo kontrolli nga pushteti privat”