Hyqmet Zane: Demokratët duan shpresën, jo errësirën që mbolli qeverisja e Rilindjes së zezë

194
Sigal

 

“E ardhmja e kombeve u përket patriotëve, jo globalistëve” – Donald Trump

 

“U krye” edhe rizgjedhja për kryetarin e Partisë Demokratike. U bënë zgjedhjet dhe u konfirmua Prof. Dr. Sali Berisha në krye të demokratëve. Ishte një rrugëtim që e pati fillesën pas zgjedhjeve të humbura për PD më 25 prill dhe pas një “rrufeje në qiell të pastër” që Sekretari amerikan Blinken e shpalli “non grata” Sali Berishën. Qartazi u pa se ishin bërë ca kalkulime ogurzeza nga “organizimi” i strukturuar antiBerisha të Edi Ramës të PS në bashkëpunim me Lulzim Bashën e PD dhe ndihmuar nga segmetet, që diktojnë lënien në errësirën e mafies të një vendi dhe të një populli.

Shpesh përdoret një shprehje “sa të thella paskan qenë këto punë” sa u konsiderua si një përpjekje e dëshpëruar për të përballuar furinë e ligësisë të mirëmenduar nga këshilltarët sorristë për ta zhytur PD dhe Sali Berishën në humbjen e shpresës dhe pranimin e “verdiktit” të popullit edhe pse me votime të blera dhe ndikimin e paligjshëm të pushtetit me banda, patronazhistë dhe policia në fuinksion të kësaj ideje.

Se si rrodhën punët, këtë të gjithë shqiptarët e panë me sytë e tyre, e dëgjuan me veshët e tyre dhe e gjykuan me mendjen e tyre duke nxjerrë konkluzionin se një dorë e zezë antishqiptare kishte bërë, që të arrihej deri aty sa të kërkohej edhe përjashtimi i liderit historik të PD nga grupi parlamentar më 9 shtator 2021. U mblodhën demokratët dhe intelektualët e denjë e të papërkulur dhe vendosën rregullat sipas statutit dhe programit të PD më 11 dhjetor. U votua për ndryshimet më 18 dhjetor, u inskenua bashkëpunimi i pushtetit policor me grupin e humbur, që blindoi selinë blu, u bënë zgjedhjet e pjesëshme më 6 mars ku grupi i rithemelimit doli forcë e dytë dhe fitoi bashkinë Shkodër, u sanksionua Kuvendi më 30 prill dhe më në fund 22 maji 2022 vulosi rikthimin e Sali Berishës në krye të PDSH.

Duhet thënë se shqiptarët dhe ne demokratët duam dhe kërkojmë një shpresë për të ardhmen e Partisë Demokratike. Sot atë shpresë e solli Sali Berisha sipas parimit “një anëtar një votë” për të qenë lokomotiva e drejtimit të trenit të demokracisë në shinat e duhura. Dëshira e çdo demokrati është që të çohet përpara kjo shpresë dhe që duhet të pasohet në të ardhmen më tej në brezat e demokratëve dhe atyre që janë bashkëshoqëruesit e këtij fituesi të madh.

U tha e çfarë nuk u tha, u anatemua emri i liderit historik. Ndihmoi në këtë rrugëtim të errrësirës edhe ambasadorja Yri Kim dhe lobingu sorrist që thanë se demokratët do hanë bar po zgjodhën  apo bashkëpunuan me Sali Berishën ??!!

Amerikanët e kanë dëgjuar dhe e kanë kuptuar se mesazhi i Nobelistit Martin Luter King se “Errësira nuk mund ta dёbojë errësirën; vetёm drita mund ta bёjë kёtё”. Kam bindjen se kjo perde e errësirës nuk mund ta errësojë dritën që demokratët e duan. Ushqyerja e urrejtjes për Sali Berishën, që u stimulua nga bashkëpunimi Rama – Basha – Gazi 69 me Enkelejdin pas me ndihmën e ambasadores Kim gjeti murin e dashurisë që shqiptarët kanë për Sali Berishën që e votuan 40.820 demokratë nga 43.680 pjsëmarrës në votime, duke bërë që për kandidatin tjetër  Ibsen Elezi të rezervoheshin vetëm 2.532 vota.

Me të gjitha bateritë e makinerisë antidemokratike u tentua që t’i ulej koka dhe të krrusej kurrizi i demokratëve. sepse kështu donte detashmenti i së keqes mafioze, që ka kapëluar Shqipërinë. Por askush nuk mund tё kalёrojë mbi kurrizin e demokratëve, sepse demokratët  nuk u pёrkulën, ashtu siç edhe triumfuan 31 vjet më parë përballë makinerisë staliniste të diktaturës enveriste. Ata, pikërisht që inskenonin shantazhet dhe modelet putiniste në sjelljen ndaj demokratëve, nuk u ndjenë mirë, sepse ata harruan se në rrugëtimin e lirisë ky vend dhe ky popull ka parasysh mesazhet e presidentëve amerikanë, që e duan këtë komb shqitpar, edhe pse për një moment ka pengesa për t’ia fshehur dritën e shpresës.

Do t’i referohesha së fundi mesazhit të Presidentit Donald Trump në OKB më 2019 kur u shpreh si për të spikatur këtë situatë që ka sot mes demokratëve përballë socialistëve kur ai tha: “Nëse doni liri – bëhuni krenar me vendin tuaj. Nëse doni demokraci – kapuni fort pas sovranitetit tuaj. Dhe nëse doni paqe – duajeni kombin tuaj”. Po, shumë e vërtetë: Demokratët shqiptarë e kanë krenarinë të fituar më 22 mars 1992, e duan dhe luftojnë për sovranitetin, sepse duan kombin e tyre me emrin shqiptar.

Për Presidentin Trump “Udhëheqësit e urtë dhe të mençur gjithmonë vendosin të mirën e njerëzve të tyre dhe vendit të tyre ”. Pikërisht këtë pati si orientim edhe Berisha kur vendosi të turbullonte ujrat e fjetur dhe të qelbur të një situate të nderë brenda PD dhe në rrafshin kombëtar, që në bashkëpunim edhe me Presidentin Ilir Meta, kanë ideuar një lëvizje për të rikthyer shpresën dhe për të mos ia përulur kurrizin mafies që në Shqipëri ka pushtetin e vet, si në asnjë vend tjetër në botë.

Është kjo arsyeja që Trump porositi me largpamësi se “E ardhmja nuk i përket globalistëve, e ardhmja i përket patriotëve”. Pikërisht këtu qëndron ndryshimi mes demokratëve të vërtetë, që votojnë liderin historik përballë liderucëve dhe mafies së pushtetit.

Janë të ditura faktet siç ka pohuar Presidenti Trump se “Në shekullin e kaluar socializmi dhe komunizmi vranë 100 milion njerëz. Fatkeqësisht siç e shikojmë edhe në Venezuelë lista me numrin e të vdekurve vazhdon në këtë vend. Këto ideologji totalitare të kombinuara me teknologji moderne, kanë fuqinë të ushtrojnë forma të reja dhe shqetësuese të shtypjes dhe dominimit. Ne (amerikanët) nxisim çdo komb që është prezent për të bërë të njëjtën gjë. E ardhmja i përket kombeve sovrane dhe të pavarura të cilët mbrojnë qytetarët e tyre, respektojnë fqinjët e tyre dhe nderojnë dallimet që e bëjnë çdo vend të veçantë dhe unik”.

Sa e vërtetë kjo sa makineria e luftës së një diktatori si Vladimir Putin ka shkaktuar tragjedi dhe një genocid në zemër të Europës me sulmet pushtuese ndaj Ukrahinës sovrane. Këtu ushqehet filozofia e Open Ballkan e kryeministrit Edi Rama, që di vetëm të zbatojë rekomandimet e Sorosit për të bashkëpunuar me ata, që janë pjesë e antishqiptarizmit duke kërkuar të shuajë zërin e demokratëve që e demaskuan teorinë e praktikën e një njeriu që nuk njeh diplomaci, nuk ka krenari kombëtare, nuk e do sovranitetin e kombit të vet dhe në vend që të jetë patriot, bëhet kozmopolit me poturre shqiptare. Këtu qëndron madhështia e fitores së Sali Berishës në krye të demokratëve jo për fitore personale, por për të bërë detyrën para kombit në rrugën e demokracisë së një vendi që prosperon si i tillë për në Europën e Bashkuar.