Gentian Çala: Zgarbët dhe Zarbat…

316
Sigal

ZGARBËT DHE ZARBAT…

Nga Gentian Çala

Jetojmë në një botë të lirë, ku secili thotë çfarë të dojë. Kjo e drejtë prevalon mbi çdo gjë. Por, deri në një pikë ama. Një i zgjedhur italian, Z. Zgarbi, figurë publike mjaft e njohur në vendin e tij, i shoqëruar nga një i zgjedhur shqipëtar, Kryetar i një Bashkie të madhe në vend, bën një deklaratë të pakërkuar mbi qytetërimin e vjetër ilir të Bylisit, duke e quajtur grek. Lapsus apo jo, sido që të ishte ai është i detyruar të japë një sqarim ose një ndjesē. Kjo deklaratë u bë publike nga portale online dhe në disa media të shkruara. Por, nuk pata rastin të shoh asnjë reagim. E gjitha kjo në praninë e një funksionari shqiptar që jeton vetëm disa kilometra larg vendbanimit të lashtë.

Zgarbët nuk mund të injorojnë të shkuarën tonë, as nuk duhet të na bëjnë më shumë lëmsh seç jemi ne ballkanasit, që u hapim derën dhe i presim buzagaz. Edhe nëse ata nuk e dinë diçka, nëse informohen më pas, duhet të jenë të kujdesshëm. Disa Zgarbë jo vetëm që duhet të shijojnë respektin dhe mikpritjen, por duhet të tregojnë respekt për vendin që vizitojnë dhe trashëgiminë e tij. Unë nuk besoj te gabimi i qëllimtë i Zgarbit, por do të më pëlqente korrektesa e tij në raport me ne. Madje edhe këtë po e shkruaj i nxitur nga ideja e dikujt që gabon me zë dhe figurë. Në bregun tonë perëndimor nuk ka pasur kurrë qytetërim grek.

Gjithësesi ky është një diskutim dhe debat që u takon historianēve, kurse të zgjedhurit duhet të respektojnë ndjeshmëritë. Një i zgjedhur shqipëtar duhet të kuptojë peshën e shiritit kuq e zi ceremonial dhe të pozicionit që mban. Ai nuk mund dhe nuk do të doja të ishte një zarbë që u bën fresk të huajve edhe kur ata nxjerrin nga goja të pavërteta mbi vendin dhe të shkuarën e tij. Çuditërisht ne jemi mësuar me këtë fenomen dhe kjo mbase është më e keqja. Në Ballkan gjërat ngatërrohen lehtësisht dhe kjo duhet ti bëjë të gjithë më të përgjegjshëm. Fjalët e Zgarbit nuk ndryshojnë asgjë, por liria për të thënë nuk duhet abuzuar në një vend mik.