Gentian Çala: Një rast në media dhe diagnozat e dyfishta psikiatrike

451
Sigal

Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimin të Drogave dhe të Trafikimit të Substancave të Paligjshme , ku unë po shtroj një diskutim një temë që ka të bëjë me një kategori të caktuar të personave që abuzojnë me substancat…

Nga Gentian Çala – Psikiatër

Rasti i një pacienti nga Korça me diagnozë të dyfishtë, të abuzimit me substanca dhe të Skizofrenisë, u bë publike në një nga televizionet kombëtare nga nëna e pacientit. Njëri nga shqetësimet e saj, kishte të bënte me refuzimin e hospitalizimit të pacientit në Spitain Psikiatrik në Elbasan, me faktin se nuk mund të trajtohen në këtë spital pacientët që kanë probleme me abuzimin e substancave. Lotët e nënës dhe shqetësimi i saj, më bënë që ti shkruaj këto rreshta, sepse nevojitet një zgjidhje institucionale lidhur me rastet e bashkësëmundshmërisë, posaçërisht te rastet e sëmundjeve madhore psikiatrike me abuzimin/varësinë nga substancat. Përgjithësisht kam konsideratë për punën që bëhet në Spitalin Psikiatrik në Elbasan, me gjithë mungesat dhe sfidat që ka ekipi që punon atje aktualisht. Qëndrimi mbi refuzimin e trajtimit spitalor të diagnozave të dyfishta më duket një praktikë e udhëzuar jo mirë ose e zbatuar jo si duhet. Diagnozat e dyfishta nuk mund të trajtohen në Shërbimin e Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike në QSUT, për një arsye të thjeshtë: mungesa e Psikiatërve në këtë shërbim dhe e ambientit apo stafit që menaxhon një gjendje akute psikiatrike. Si mund të trajtohet në këtë shërbim një pacient me Skizofreni të ekzacerbuar dhe Abuzim me kanabis?! A do të mjaftonte një konsultë psikiatrike nëse pacienti ka nevojë për një trajtim intenziv psikiatrik?! Mendoj se zgjidhjet shabllon nuk mjaftojnë për trajtim adekuat. Këtu nuk diskutohet nëse ka një, dy apo disa diagnoza, por cila është prioritare për tu trajtuar prej tyre. Duke u bazuar te ky vlerësim duhet bërë edhe hospitalizimi. Nga praktikat që kam ndjekur në disa vende europiane, diagnozat e dyfishta (përjashtim bën abuzimi me alkool) trajtoheshin në ente psikiatrike të urgjencës dhe më pas në repartet subakute psikiatrike. Madje edhe atëhere kur kishim një çrregullim psikiatrik të shkaktuar nga abuzimi me substanca ndiqej e njëjta strategji. Adiksioni apo Abuzimi/Varësitë nga substancat psikoaktive janë domen i Psikiatrisë dhe pjesë e kurrikulës së edukimit specialistik, madje edhe subspecialitet i Psikiatrisë. Në shumë vende, për shkak të përhapjes së fenomenit janë krijuar struktura jo domosdoshmërisht psikiatrike që merren me trajtimin ambulator apo spitalor të pacientëve, por pa humbur lidhjet apo supervizionin nga strukturat e shëndetit mendor. Në praktikë rastet e diagnozave të dyfishta janë të shpeshta dhe duan zgjidhje elastike, të cilat nuk i pamundësojnë pacientëve trajtimin spitalor psikiatrik. Rishikimi i këtyre vendimeve që mund të jenë administrative dhe institucionale nga MSH, nga Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor, apo nga struktura spitalore, duhen konsultuar dhe përshtatur në mënyrë që shërbimi të jetë adekuat dhe i orinetuar në nevojat e kërkuesve të shërbimeve. Bërja e protokolleve të trajtimit dhe trajnimi i stafeve do të krijonte lehtësira për stafet e spitaleve, pasi fenomeni nuk do të mund të përballohet vetëm nga një shërbim në vend, si ai në QSUT. Kjo do të bënte që mos kishim raste të tilla si ai që e bënte një nënë të përlotej dhe të linte një pacient pa trajtimin e nevojshëm.