Gentian Çala: Boll me lojëra

362
Sigal

Iniciative e fundit për ndryshime kushtetuese nga Opozita e ashtuquajtur parlamentare, duket si përpjekie e Ramës për të hallakatur zonat zgjedhore dhe për ta nisur garën elektorale me disa mandate përparësi. Mjeshtria e tij e manipulimit me këdo për pushtetin e tij, nuk ka të sosur. Pas kërkesës për lista të hapura fshihet hileja e marrjes së një mandati të tretë, e cila duket se dështoi të bëhej me Reformën Zgjedhore. Mashat përdoren kur duhen. Ata po bëjnë atë që ju kërkon Rama, fillimisht refuzimin e votimit të Reformës dhe pretendimin për ndryshime kushtetuese. Rama nuk mundet ti pjekë vetë gështenjat nga presioni ndërkombëtar, por me duart e të tjerëve mundet. Ai nuk e ka për gjë të ngatërrojë shqiptarët e ta shpjerë vendin drejt një krize të re.

Them se nuk do të mundet t’ia dalë, por po përpëlitet të bëjë çdo gjë gjë për ta tensionuar më shumë atmosferën parazgjedhore. Kjo ka për tu kritikuar dhe ka për tu dekurajuar shumë shpejt, si nga Opozita e vërtetë, ashtu edhe nga partnerët, sapo ai të fillojë të hedhë hapin e parë për ta vënë në zbatim këtë plan. 2017 bis nuk mund të ndodhë! Ndryshimet u bënë për një garë elektorale më të drejtë dhe jo për të zgjidhur hallin e Ramës. Bishtat, satelitët apo mercenarët e pushtetit nuk mund të minojnë një konsensus të përkrahur dhe ndërmjetësuar nga partnerët tanë euroatlantikë.

Skenari kosovar i zgjedhjeve duket si një mundësi tjetër e Ramës për të mbetur në pushtet, ndaj në diskutim ka hedhur edhe koalicionet parazgjedhore. Zhbërja e mundësisë për koalicione parazgjedhore copëzon Opozitën dhe mund ti japë një mundësi që ai të marë më shumë mandate dhe të rindërtojë një mazhorancë në stilin e pazarit. Kjo duket e pamundur, por gjithësesi shashkat e tij duhen marrë seriozisht. Ramës i duhet dhënë një mesazh i fortë për të hequr dorë nga të gjitha tentimet për të tjetërsuar apo për të prishur konsensusin e arritur. Lojrat e tij me shqiptarët dhe të ardhmen e tyre duhet të marrin fund.