Gentian Çala: Agoni dhe vuajtje

406
Sigal

AGONI DHE VUAJTJE…

Nga Gentian Çala

As kreativitet dhe as besueshmëri nuk ka Kryeministri ynë. Deklaratat e fundit dhe daljet në publik po e zhveshin Edi Ramën, duke dëshmuar gjithmonë e më tepër se ai është thjesht një Kryeministër me kuota në rënie në sytë e publikut. Loja e tij me TVSH-në e biznesit të vogël, deklarimet kontradiktore me vendimet për jahtet, mohimi i paketës së tretë të ndihmës së ashtuquajtur prej tij të luftës, e plot si këto, po e bëjnë publikun të kuptojë sesi e ka drejtuar këtë vend. Ai jo vetëm që nuk jep zgjidhje, por po drejton një autokraci të dobësuar ndjeshëm ekonomikisht dhe përbën njē rrezik real për vendin e të ardhmen e tij.

Ka zëra brenda mazhorancës, madje ish ministra në dy qeverisjet e fundit të tij, që në biseda informale e pohojnë këtë rrezik dhe kuturisjen e tij për të qëndruar në pushtet. Driblimet deklarative në daljet publike nuk i joshin shqiptarët, që dallojnë hendekun e madh midis propagandës dhe realitetit në vend. Kjo duket edhe në nervozizmin e tij të shpeshtë kohëve të fundit. Rama duket i zënë në çarkun e qeverisjes së paaftë, jofunksionale dhe të kapur që krijoi vetë. Ai po e kupton pamundësinë e zhbërjes së saj dhe rrjedhimisht ndihet i pafuqishëm për ta justifikuar apo rikrijuar në mendjet e shqiptarëve. Ngrehina që ndërtoi vetë po e ze përfundi. Kjo ishte diçka e parashikuar shumë më herët nga analistë dhe politikanë.

Agonia politike e Ramës është mjaft e dukshme dhe nuk mund të maskohet as nga “ushtarët” e pëlqimeve në fejsbuk. Kjo duket aq vuajtje për të dhe shpurën e tij, e cila do ta çojë akoma më thellë në krizën e keqmenaxhimit të pushtetit. Tërmeti brenda Rilindjes sapo ka nisur dhe mbarimin e ka diku në Prillin e vitit të ardhshëm, ku shqiptarët do të kenë rast ti dëshmojnë mospëlqimin e tyre me votë. Deri atëhere, Rama do të vazhdojë të vuajë gënjeshtrat, pabesitë, izolimin, refuzimin dhe kritikat. Së paku, kjo do ti shërbejë për diçka: që lënien e pushtetit ta përjetojë si lehtësim nga një makth i madh.
Atëhere do të ulet me këmbë në tokë e me kokë mbi supe, e do të ketë gjithë kohën të kuptojë se misionari që kishte ëndërruar në fillim nuk ishte gjëkundi…