Frank Shkreli: Protestat anë e mbanë botës dhe politikanët e papërgjegjshëm

607
Sigal

Nga Frank Shkreli*

Kohët e fundit janë venë re protesta në shumë vende të botës, disa prej tyre madje edhe protesta me dhunë ku kanë mbetur shumë protestues të vrarë e të plagosur, gjë që ka shkaktuar që Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres t’u bëjë thirrje politikanëve, anë e mbanë botës, që të përballen me atë që ai quan, “deficiti në besueshmërinë e popullit” ndaj tyre.

Në një njoftim nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, botuar të premten që kaloi, citohet Shefi i Organizatës Botërore të jetë shprehur se, “Njerëzit po vuajnë dhe se ata kanë nevojë që zëri i tyre të dëgjohet” nga udhëheqësit politikë për nevojat dhe problemet me të cilat përballen njerëzit kudo.

Duke folur me gazetarët në Kryeqendrën e OKB-së në Nju Jork, Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se, ndonëse “çdo situatë është unike”, ekzistojnë, njëkohësisht faktorë të përbashkët, në shumë vende të botës, të cilët, sipas tij, paraqesin “kërcënime në rritje e sipër” ndaj “kontratës sociale” midis qeverive dhe të qeverisurve – midis qytetarëve dhe klasës politike.

Antonio Guterres u bëri thirrje udhëheqësve politikë në mbarë botën që, “të dëgjojnë problemet reale të njerëzve realë”, siç u shpreh ai.

“Njerëzit”, theksoi ai, “duan që të gjithë të kenë një mundësi të drejtë dhe të barabartë për të dalë me sukses në jetë, përfshirë krijimin e sistemeve shoqërore, ekonomike dhe financiare që të funksionojnë barabar për të gjithë”, duke mos përjashtuar respektin për të drejtat e njeriut dhe që të kenë një zë në vendim marrje për çështje të rëndësishme që i prekin ata drejtë për drejtë, ka thënë Z. Guterres.

Zyra e OKB-së që merret me të drejtat e njeriut u tha gazetarëve në Gjenevë, se demonstratat dhe protestat e kohëve të fundit kanë përfshirë vende si Bolivia, Hong Kongu, Kili, Ekuadori, Egjipti, Guinea, Haiti, Iraku dhe Libani, ndërsa më herët ka pasur protesta anti-qeveritare në Algjeri, Honduras, Nikaragua, Malawi, Rusi, Sudan, Zimbabwe, Francë, Spanjë dhe në Angli.

Zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut u tha gazetarëve, se Kombet e Bashkuara kanë marrë raporte nga disa vende për përdorimin e forcës nga ana e policisë kundër protestuesve, duke përmendur, ndër të tjera, Bolivinë e duke iu bërë thirrje të gjitha palëve, përfshirë udhëheqësit politikë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të ulin tensionet. Një mesazh i njëjtë thuhet se iu dërgua edhe politikanëve në Bagdad, ku të paktën deri tani më tani janë vrarë 157 dhe janë plagosur pothuaj 5,500 të tjerë, anë e mbanë Irakut. Sipas Kombeve të Bashkuara ka raporte të besueshme për shkelje serioze të drejtave të njeriut, përfshirë vrasjen e protestuesve të pa armatosur, përdorimin e forcës së tepruar dhe shkeljen e lirisë së informacionit nga ana e qeverisë.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet zëdhënësit të tij, shprehu shqetësimin e Shteteve të Bashkuara mbi gjendjen e krijuar në Irak, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga dhuna. Zëdhënësi amerikan shprehu gjithashtu shqetësimin e Washingtonit për presionet që po i bëhen medias në lidhje me protestat. “Liria e shtypit është e pazëvendësueshme për reformat demokratike. Ne mbështesim të drejtën bazë të lirisë së shprehjes, e garantuar nga kushtetuta për të gjitha mediat si dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën e tyre në një hapësirë të sigurt”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, në lidhje me protestat me dhunë në Irak, ku sipas OKB-së, humbën jetën 157 veta dhe afër 5.500 të tjerë u plagosën në protestat e fundit anti-qeveritare.

Në njoftimin e Kombeve të Bashkuara flitet gjithashtu edhe për akuzat në lidhje me shkeljen e të drejtave të demonstruesve në Kili, të cilët po protestojnë nda pabarazisë, kostos së lartë të jetesës e të tjera. Po kështu dhe për gjendjen në Liban ku me “Dhjetëra mijëra protestues paqësorë, përfaqësues të gjitha besimeve fetare po shprehin zemërimin e tyre, për ato që ata cilësojnë si disa dekada korrupsioni dhe keq-qeverisje”. Kryetari i Kombeve të Bashkuara tha se nuk ka asnjë arsye për përdorimin e dhunës dhe shtoi se ishte tepër i shqetësuar për humbjen e jetës në protestat me dhunë. Në mesazhin e tij, ai nënvizoi, se qeveritë kanë për detyrim të mbrojnë lirinë e të shprehurit, mbledhjet paqësore dhe të sigurojnë hapësirën ku njerëzit mund të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar.

Por, ndërsa udhëheqësi i Organizatës Botërore shtoi se forcat e sigurisë duhet të ushtrojnë përmbajtje në maksimum karshi demonstruesve, protestuesit gjithashtu e kanë për detyrë, tha ai, “të ndjekin shembullin e Gandit, Martin Luther Kingut dhe kampionëve të tjerë të protestave paqësore që kanë vepruar për të bërë ndryshime pa përdorimin e dhunës”, për të realizuar objektivat e tyre.

Antonio Guterres e përfundoi mesazhin e tij drejtuar udhëheqësve të botës duke thënë, se dhuna duhet të mënjanohet me çdo kusht nga të gjitha palët. “Mbi të gjitha”, përfundoi ai, “Unë u bëj thirrje udhëheqësve anë e mbanë botës të dëgjojnë problemet reale të njerëzve realë, në vendet e tyre. Bota jonë ka nevojë për veprim dhe ambicie për të krijuar një globalizim të drejtë, për të forcuar kohezionin shoqëror dhe për t’u përballur me krizën klimaterike. Me solidaritet dhe me zbatimin e politikave të mençura, udhëheqësit politikë anë e mbanë botës, mund të tregohen solidarë dhe të kuptueshëm ndaj nevojave të popullit, duke ecur në një rrugë që çon drejt një bote me të drejtë”, ka përmbyllur mesazhin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

 Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë*