Çdo popull që është ngritur në këmbë ka hapur shtigje e ka shtruar udhë të sigurta për një ardhme më të mirë. Çdo popull që ka ngritur zërin gëzon sot begati dhe demokraci. Çdo popull që ka heshtur e nuk ka guxuar është shtypur dhe është shuar. “Njerëzit janë zotër të fatit të tyre: Fajin nuk na e kanë yjet por vetja jonë, sepse jemi të nënshtruar,” shkruan Shakespeare tek vepra Jul Çezari. Ndaj, ka ardhur koha që asnjë shqiptar të mos e vërë kokën mbi nënkresë e të dremisë me indiferentizëm. Sa më shumë ëndrra tek yjet e më pak veprim aq më e pasigurtë e ardhmja. Aq më shumë do shtypemi e do vuajmë nga një dorë oligarkësh që do drejtojnë fatet tona. Në këtë mjerim, pasiguri, papunësi, shpopullim, gjëja më e keqe që mund të bëjë një shqiptar është të bëjë asgjë. 3 milionë shqiptarë duhet ngrihen në këmbë. 3 milionë shqiptarë duhet të votojnë sepse në këto kohë të vështira për vendin vota e gjithësecilit është akti më patriotik që ndryshon të ardhmen e vendit. Kur ne votojmë rikthejmë tek vetja forcën për të zgjedhur, për të ngritur zërin, për të mbështetur ata që vuajnë më shumë, njëri-tjetrin dhe një të ardhme më të mirë për familjet tona. Vota është e çmuar. Është mjeti më i fuqishëm që ka një popull ndaj duhet, duhet, duhet të përdoret. Zgjedhja për të mos votuar nuk është rebelim por nënshtrim. Ndaj shqiptarë ngrihuni në këmbë, ngrini zërin, votoni dhe nuk do ketë më asnjë diktaturë t’ju ndalë, t’ju nënshtrojë e t’ju vrasë shpresën.