Kryetari i PD Lulzim Basha: Programi për biznesin: PPP-të do të hetohen, do krijojmë treg të lirë. Bllok për tendera kompanive “off shore”

219
Sigal

Lideri i opozitës Lulzim Basha prezantoi dje programin e biznesit dhe anti-korrupsionit: Do të kalohet në lupë çdo koncesion e PPP

Bllok kompanitë “off-shore”. Do të krijojmë treg me konkurrencë të lirë

Lideri i opozitës Lulzim Basha prezantoi dje programin e biznesit dhe anti-korrupsionit, ndërsa theksoi se objektiv i PD-së është që ta fus Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes. Basha deklaroi se PD do të vendosë një moratorium një vjeçar, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit. Po ashtu ai theksoi se të ulen dhe do ta kufizohen me ligj edhe numri i inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle të bizneseve dhe sqaroi se me ardhjen në pushtet të PD-së, do të ulet në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Basha tha se me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë, duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Basha tha se do të angazhohet në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive.

Qëllimi

– Të largojmë Ramën.

– Të godasim korrupsionin jo me fushata por në mënyrë sistematike.

– Dhe ta kthejmë Shqipërinë në një vend zhvillimi dhe suksesi për të gjithë.

-Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.

-Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave me më të mira europiane.

– Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Për këtë, ne do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licensave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror opo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin. Unë angazhohem të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë.

Së dyti, do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Partia Demokratike beson se ekonomia e tregut është sistemi i vetëm që mundëson zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe një ekonomi shkalle dhe prosperitet në vend. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare. Tek mbi 100 000 familje të vetëpunësuara në këto biznese që sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre në këto sipërmarrje.

Hapat thelbësore

  1. Transparenca dhe Mirëmenaxhimi.

– Çdo vendim i qeverise do jetë transparent, dhe çdo databazë shtetërore do të jetë publike. Duke filluar nga garat publike e deri te regjistri i pronës. Transparenca totale dhe digjitalizimi do të bëjë të mundur eleminimin e çdo kontakti të panevojshëm me përfaqësues shtetërorë.

– Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, për çdo biznes te huaj e vendas, duke ofruar parashikueshmërinë fiskale, që gjithë këto vite është shkelur me këmbë dhe ka larguar qindra investitorë dhe mijëra vende pune.

– Do të eliminoj çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrant, duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm.

– Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit.

– Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit.

Konkurenca e lirë

Në prezantimin e planit për biznesin kryedemokrati Basha u zotua të krijojë një mjedis favorizues për mbështetjen e çdo biznesi duke eliminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel, ku në qendër është individi dhe familja.

Beteja për një treg të lirë

– Angazhohem të krijoj mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesin duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel. Kjo do të jetë baza për një sistem të drejtë, të thjesht ku në qendër është invalidi dhe familja dhe shteti ka një rol dytësor.

– Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve.

– Nuk do te lejoj asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione. Duke nisur një betejë për të luftuar jo thjesht korrupsionin përmes këtyre praktikave por edhe luftën ndaj monopolit dhe kontratave abuzive që janë dhënë përmes këtyre skemave.

– Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lup çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite.

– Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën ne treg.

– Asnjë kontrate te re publike për ato kompani qe nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.

Sistem anti-korrupsioni si vullnet politik

– Unë angazhohem në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinoje përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive që do t’u dorëzuar përpara drejtësisë për ato subjekte që janë identifikuar në akte korruptive.

– Zbatimi i Ligjit Anti-mafia dhe parimeve të tij edhe për aferat korruptive duke zbatuar të njëjtat parime edhe për asetet që janë vendosur nga praktika korruptive.

– Vendosjen e detyrueshme të kontrollit për çdo kontrate publike koncesionare edhe nga Zyra e Auditit të Brendshëm përveç Kontrollit që ushtron institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit.