Disa konsiderata për shëndetin mendor të të shëruarve nga COVID-19

338
Sigal

Nga Gentian Çala – Psikiatër

Tashmë pacientë të shëruar janë rreth 86 000 në të gjithë botën. Dëshminë e përvojës së kaluar e kemi edhe nga pacienti 0 te ne, e bërë publike nga intervistat e tij në media, ku ai u shpreh se kjo ishte një përvojë mjaft e frikshme, madje më e frikshmja që kishte përjetuar ndonjëherë.

A mund të kemi disa konsiderata lidhur me rastet e shëruar nga Covid-19. Besoj se përvojat e mbledhura në Kinë, Kore të Jugut dhe në Itali, na ndihmojnë të kuptojmë se cilat janë sfidat e shëndetit mendor të të shëruarve. Më poshtë po përmend se çfarë mund të shfaqin:

– emocione mikste, ku ndjesitë pozitive të shërimit përzihen me ndjenjat e përvojës së shkuar. Pacientët duhen ndihmuar të ventilojnë ndjenjat e tyre, duke u dhënë mundësinë të shprehen hapur dhe duke i dëgjuar me empati.

– frika dhe shqetësimi për shëndetin e të tjerëve. Dalja nga strukturat shëndetësore (për rastet e hospitalizuara) apo përfundimi i karantinës (për rastet me pak simptoma ose pa simptoma), lajmi se janë negativ nga analizat (duhen dy të tilla) mund të jetë i shoqëruar me dyshimin për të besuar këtë fakt. Frika e ndikimit në shëndetin e të tjerëve vazhdon edhe për disa kohë. Është normal ky shqetësim dhe duhet pranuar. Nevojitet kohë që pacientët e shëruar të kuptojnë se janë të padëmshëm për të tjerët.

– stresi i monitorimit të vazhdueshëm dhe periodik të vetes dhe prej atyre që kujdesen (personel shëndetësor apo familjarë). Pacientë gjatë trajtimit/karantinës janë shumicën e kohës të monitoruar për gjendjen shëndetësore, gjë e cila përbën një stres të theksuar. Procedurat u duhen shpjeguar, ashtu si dhe trajtimet, mënyrën dhe efektet, kjo bën që pacientët të ndihen më të lehtësuar dhe me më pak stres. Ky monitorim vazhdon edhe disa kohë pas shërimit dhe kjo është një fazë tranzitore normale.

– ndjenjat e mërzitjes dhe të zemërimit nga sjellja shmangëse e të tjerëve nga frika e kontaminimit (kryesisht e familjarëve dhe miqve pas shërimit). Duhen kuptuar, pranuar dhe falur të gjithë, pasi frikën që kishim ne, e kanë edhe të tjerët. Kjo duhet diskutuar me empati me pacientët.

– ndjenjat e fajit. Në disa raste mund të kemi më shumë se një të infektuar në familje apo infektim të të tjerëve nga i sëmuri (personel shëndetësor apo të tjerë), kjo mund të shoqërohet me ndjenja faji. Pacientët duhen pyetur rreth ndjenjave të tilla, pasi ato mund të kenë mjaft ndikim në gjendjen emocionale të pacientëve. Askush nuk është fajtor për sëmundjen, shkujdesja apo frika mund të kenë qenë faktor për infektimin e të tjerëve. Ndjenjat e fajit mund të jenë të theksuara kur infektimi ka sjellë vdekjen e dikujt tjetër, posaçërisht të një të afërmi, ndaj monitorimi nga profesionistët e shëndetit mendor duhet të jetës i kujdesshëm dhe periodik.

Kjo përvojë mund të përjetohet në mënyra të ndryshme nga individët dhe nuk përjashtohet mundësia që për disa kjo përvojë të jetë traumatike dhe të kemi manifestime të sindromit të stresit post-traumatik.

Ekipet multidisiplinard të shëndetit mendor duhet të jenë të përgatitura dhe të gatshme për t’iu afruar asiatemcë dhe ndihmë këtyre rasteve të cilat mund të jenë të shëruara nga infektimi prej SARS-COV2, por mund të jenë duke kaluar vështirësi emocionale dhe të shëndetit mendor.
Në fund një mesazh për të gjithë ata:
“ju jeni prova e gjallë për të gjithë, se kjo e keqe tejkalohet dhe se ne mund t’ia dalim”.