Deri kur qeveritë do të na mbyllin derën në fytyrë?

535
Sigal

Shqipëria, model i mosmësimit nga dështimi

Deri kur qeveritë do t’ia mbyllin derën në fytyrë një dielli që lind?

Prof. Dr. Xhevdet Zekaj

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, që e gjunjëzoi Shqipërinë, që mori dhjetëra jetë njerëzish e plagosi qindra të tjerë, është një arsye më shumë për t’u ndalur seriozisht në raportin tonë me natyrën, me ligjin dhe ndërtimet pa kriter, pa cilësi e standarde. Urgjentisht, në respekt të jetëve të humbura, në respekt të dhimbjes, në respekt të tmerrit që përjetuam dhe po përjetojmë çdo minutë, duhet të mendojmë se cilët jemi dhe çfarë duhet të bëjmë. Zia mbaroi, zyrtarisht, por ajo do jetë e gjatë në mendjen e këtij populli. Me siguri, përmasat tragjike të këtij tërmeti do të lënë pasoja në sjelljen dhe psikologjinë tonë të përditshme. Sigurisht, nuk duhet ta shtojë skepticizmin për të ikur sa më parë nga ky vend, por për ta ndryshuar Shqipërinë tonë të dashur e hallemadhe, edhe pa këtë dramë të madhe njerëzore. Thuajse tri dekada demokraci kanë dëshmuar me dhjetëra herë se këtë ndryshim (në fakt zbatim e respektim të ligjeve e standardeve) nuk mund ta bëjnë politikanët, por unë, ti, secili prej nesh. Të gjithë mendojnë si ta ndryshojnë Shqipërinë, shoqërinë, madje edhe njerëzimin, por askush nuk mendon si të ndryshojë vetveten. Pa ndryshuar vetveten, asgjë nuk kemi kuptuar. Politikanët tanë nuk mund ta ndryshojnë vetveten. Ata mund të hiqen si të pikëlluar, mund të nxjerrin edhe ndonjë pikë loti para kamerave të porositura mbi gërmadhat e tërmetit, por mbeten të njëjtët si emra dhe mentalitet dallkaukësh. Në fakt, për ta pushteti është si droga, nuk të ngop kurrë; kërkon gjithnjë doza më të mëdha. Mjafton të kujtojmë Zogun, Hoxhën, Berishën, Metën, Bashën, Ramën, Veliajn, Kryemadhin, Dulen, Shehin, Nard Nokën (nuk doja të rendisja këtu maliqër e kompani, të kthyer në liderë liliputë të parlamentit të sotëm mjeran e poshtë nivelit mesatar të shoqërisë shqiptare) që ta ëndërrojmë së koti ndryshimin. Pikërisht uria e shfrenuar e tyre për pushtet e para e ka çuar këtë vend në këtë derexhe ku jemi. Shpesh më kujtohet Tolstoi i madh, që thoshte: “Kur injoranca bëhet njësh me pushtetin, rezulton të jetë armiku më i madh, që drejtësia mund të ketë, ndaj e ardhmja bëhet një terr pa fund”. Natyrisht, ky është një shkrim ndryshe, i cili shpreh edhe përjetimin personal të tërmetit fatal. Nuk kam lëvizur nga shtëpia, së bashku me komshiun tim, edhe përse në katin e 14-të të pallatit. Pavarësisht se tronditja, lëkundjet e tokës janë të tmerrshme, nuk lëviza për dy arsye të mëdha nga “foleja”: së pari, sepse besoj te Zoti dhe ai më do shumë, e ka vendosur ai sa do të jetoj; së dyti, ndërtuesi i pallatit është komshiu im. Ai më thotë se ky pallat reziston deri në 8 ballë. Është ndër më të mirët. Por, jo të gjitha pallatet në vendin tonë të rrëmujshëm, me ndërtues të pangopur, janë të tillë. Ky tërmet e tregoi qartë se shqiptarët jetojnë si mbi “mina”, në pallate të ndërtuara edhe mbi rërë, pa standarde teknike. Parësore për ata pushtetarë që kanë dhënë lejet, por edhe vetë ndërtuesit, kanë qenë paratë. Jeta e qytetarëve që jetojnë në to as u ka interesuar. Shihni tmerrin e Durrësit këto ditë, sepse aty, në ato rrënoja, bëhen bashkë në korrupsionin e pafre pushtetarë lokalë e ndërtues anonimë, të ardhur nga hiçi. Natyrisht, nuk mund t’i fusim të gjithë në një thes. Ka edhe ndërtues, që kanë punuar me standarde e me cilësi, se jo të gjithë janë të pashpirt, mafiozë, pastrojnë paratë, janë të korruptuar, të pangopur, blejnë e shesin leje me politikanët etj., etj. Këto ditë kam menduar gjatë se cilat janë disa nga gjërat urgjente, që duhet të bëhen urgjentisht nga qeveria.

Një qeveri e aftë është ajo që i parashikon gjërat, i parandalon. Tërmetin jo, por mbrojtjen nga tërmeti po. Qeveria që mburret se kupton interesat e të gjithëve është gjë e zakonshme, propagandë; por kur përballet me pasojat, me rrënojat, me njerëzit fatkeq, që humbin jetën duke fjetur gjumë në shtëpinë e tyre, del si “mbreti lakuriq”. Në këtë pozicion është edhe qeveria jonë e ditëve të sotme. Natyrisht, pas kësaj ngjarjeje duhet një vetting serioz për ata që kanë dhënë lejet e pallateve të rrënuara, për ata ndërtues që kanë punuar shkel e shko, duke iu marrë kursimet e mundin e një jete të tërë qytetarëve për t’i futur në një “varr masiv”. Është alarmante nevoja për ngritjen e një taksë-force për të parë të gjitha kushtet dhe parametrat teknikë të pallateve të ndërtuara, sidomos në Tiranë e Durrës, dy zona të ekspozuara karshi tërmeteve. Nuk do asnjë mend të kuptosh se në Shqipëri, nëse ka ndonjë veprimtari kriminale, të tmerrshme, është dhënia e lejeve të shfrytëzimit të këtyre ndërtesave nga pushteti vendor symbyllurazi. Shkurt e shqip, kjo situatë kërkon identifikimin e përgjegjësve, që kanë dhënë “OK” e shfrytëzimit të këtyre pallateve, që kanë dalë garant për cilësinë e punimeve, standardet e ndërtimit apo zbatimit sipas lejes së miratuar.

-A janë verifikuar ndërtimet në fazat e punimeve ndonjëherë nga institucionet bashkiake?

-A janë zbatuar dhe kërkesat teknike ndërtimore për mbrojtjen nga tërmetet?

Në fakt, shumica e pallateve nuk plotësojnë as kushtet më minimale për mbrojtjen nga zjarri, jo më nga tërmetet, sepse babëzia e fitimit sa më të madh ka bërë që të ndërtohet me “mall kinez” e të shitet me çmime evropiane. Kot nuk thonë njerëzit se kostoja e banesave në Tiranë është më e lartë se në Athinë, Romë etj.

Po cilësia? Nuk është shumë larg qerpiçit të dikurshëm. Pa folur për katet e larta, që thyejnë çdo normë e rregull sizmiologjik të vendit tonë. Meqë pushtuam çdo metër katror hapësirë publike, tani lejedhënës e lejezbatues i janë vërsulur qiellit, më të pangopur se kurrë. Pasojat janë këto, që po përjetojmë plot ankth këto ditë, në Durrës, Thumanë, Tiranë, Laç e gjetkë. Që një qeveri e mirë të mos mburret me solidaritetin, edhe të atij pensionistit kosovar apo mbarëkombëtar, së pari duhet të shikojë aspektin ligjor dhe të ndëshkojë realisht e publikisht financuesit, ndërtuesit, kompanitë realizuese të pallateve të shembura e të pabanueshme tashmë. Ata duhet të jenë personat, që duhet të rregullojnë pasojat, edhe pse jetët njerëzore nuk kthehen dot më, sepse kanë fituar në të gjitha format, në dëm të cilësisë e sigurisë. Vështirë të behet kjo, sepse flasim për një vend ku 20 apo 30% të fitimit ua japin pushtetarëve për të përfituar lejen e ndërtimit. Kjo ua ka lidhur duart qeveritarëve të sotëm, ashtu si atyre të djeshëm, ndaj pak besoj se mund të ketë vetting për këtë tragjedi kombëtare. Dihet se është shumë e rrezikshme kur qeveria (pushteti qendror e vendor) bëhet bashkë me injorancën (mafian, oligarkët). Ky bashkim rezulton të jetë armiku më i madh, që drejtësia të funksionojë në vendin tonë. Dhe pastaj lutemi… Ati ynë që je në qiell, na jep forcën ta mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi asgjë për të thënë, sepse kemi frikë, sepse asnjë nuk dëgjon.

Po jap një shembull, nga duhet nisur. Në spitalin e Durrësit ka pasur dëmtime të pjesshme, por që kanë detyruar pacientë e mjekë të dalin jashtë. Kush ka bërë tenderin? Si janë kontrolluar punimet dhe certifikuar ato? Kush do të mbajë përgjegjësi? A duhen riparë kontratat në punimet dhe tenderët publikë? Shumë probleme, por dihet se duhet të ndryshojmë në tërësi. Kjo nuk bëhet me qeveri, politikanë e zyrtarë të korruptuar.

Do të duhet që të bëhet hataja, të derdhim lot, të bjerë ndonjë tërmet i befasishëm dhe i pashpirt si ky i 26 nëntorit, për t’u marrë me kësi gjërash, që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Në fakt, kryeministri foli për pabesi të natyrës, të Zotit, por sistemi i korruptuar qeverisës, në të gjitha nivelet, është pabesia dhe e keqja më e madhe e këtij vendi. Përtej kësaj është urgjente të modernizohet e kualifikohet gjithë sistemi i mbrojtjes civile. A ju kujtohet çfarë tha një zjarrfikës italian: “Ju jeni me mijëra vite mbrapa në strukturë, organizim, përgatitje, kualifikim, keni mjete teknike shumë të vjetra për përballimin e emergjencave civile.”

Përtej kësaj, një qeverie nuk i matet puna me fjalët e bukura, se mendon që është më lartë se të gjithë, i di të gjitha, por me punën e përditshme. Në vendin tonë nuk është e vërteta që bën ligjin, por forca, arroganca e pushtetarëve. Dihet se elementët më të natyrshëm në univers janë hidrogjeni dhe budallallëku, por politika, në radhë të parë ata që janë në pushtet prej 3 dekadash, kanë helmuar hidrogjenin dhe kanë rritur së tepërmi budallallëkun e tyre, po aq edhe mentalitetin tonë. Pasi ndodh tërmeti, gjithmonë del ndonjë sizmolog, që e kishte parashikuar. Edhe ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për t’ia shpjeguar popullit situatën, për ta edukuar me faktin se jemi në një zonë me rrezikshmëri permanente tërmetesh. Së këndejmi del për detyrë të sigurojmë jetën, pronën, banesën. Qeveria duhet të negociojë me kompanitë e sigurimeve për çmime më të arsyeshme dhe të përballueshme nga shqiptarët. Parashikimet me të vërtetë janë dokrra, por ia arrijnë më së miri t’i magjepsin budallenjtë. Dhe ne shohim ëndrra se do të bëhemi si gjithë Evropa, flasim për integrimin e negociata. Ka ardhur koha për të mos e lënë fatin tonë në duart e një grushti politikanësh të çdo krahu, që ndërrojnë pozicionet në demokraci, por kanë një të përbashkët: korrupsionin, hajdutërinë.

Të mos bëjmë zgjidhjen më të dhimbshme, duke braktisur Shqipërinë, por së bashku të bëhemi tërmet mbarëshqiptar kundër së keqes më të madhe të këtij vendi.