Çobani 80-vjeçar në Kuçin e Labërisë dhe “Gryka e Vetëtimës”…

1131
Sigal

Kristo MËRTIRI

-Përsiatje nga cikli “ Antiharresa-

Nuk besojmë të gjendet lehtë shembull tjetër si ky, miku ynë! Se na mbyti e përmbyti ditë e natë Polit(h)ika pa lyrë e pa pikë morali. Hallet dhe dertet e njerëzisë nuk po i qajnë dot as malet me dëborë. Ekranet dhe faqet e gazetave, liderë-kalanderët e partive etj. u bien teneqeve plot e përplot me Babale e Pordhale, duke shushatur e tulatur miletin në qytete e fshatra ku sfiliten për të siguruar bukën e përditshme. Pardje, ti vure celularin në vesh dhe dëgjoje meloditë me zile e këmborë, direkt nga malet e Kurveleshit, nga kullotat e Kuçit. Dhe kuvendove fare pak me Mehmet Zekën që ngiste kopenë me dhi, ashtu mbi 80-vjeçar e kokëplot me rrëfime historike e këngë të padëgjuara më parë. Nuk u cingërisët hiç për Polit(h)ikën e metropolit e të gjolit, ku njëri i bie trokes, tjetri i bie këmborës. Se është “si ajo bushtra që i bën qentë të grihen me shoshoq”. Ai çoban i moçëm, nuk e heq librin nga gjiri, bashkë me një fletorkë shënimesh të mbajtura nganjëherë edhe nën dritën e hënës mbi stane. Sapo kish mbyllur së lexuari një monografi për Ataturkun dhe po shfletonte një roman të ri. Ndokujt ndoshta i duket e pabesueshme, por ai burrë i mençur ka bërë vetëm 5 klasë shkollë! Sepse jeta nuk të hedh vetëm lule. Konkretisht, Mehmetin tonë e ka qëlluar edhe me gurë të pamerituar. Ka 15 vjet që i është tharë goja e buza për të kënduar labçe, që kur i iku përgjithmonë një dritë syri, një nga bijtë e tij më të mirë. U shua atje, nëpër skërkat kujemëdha të Këndrevicës, 27 vjeç… Për ne, Mehmeti do të mbetet kurdoherë i nderuar, sepse u ngjan atyre burrave që nuk i bën më Nëna. Burra me karakter stralli e aspak të përkulur e qaramanë. Sepse siç thotë një miku yt poet:

Në këtë botë të pamatë,

Të rrosh, përkthehet: Të luftosh !”.

Aq më tepër kur cenet dhe hithrat në “biografinë politike” ndiznin urët paradoksale të luftës hileqare të klasave dhe digjnin padrejtësisht e pa mëshirë jetën e njeriut të mirë dhe pa vese egërsire e errësire. Shkurt, kusuret e dikujt, i paguanin të tjerët në fis e në sua, në krushqi e miqësi… Çdo kohë ka edhe dramat e saj pikëllimtare. Fjala vjen,në Peshtan e në Grykën e Këlcyrë-Mezhgoranit, mëma juaj gojëmjaltë mbahet mend edhe për këngën e saj të preferuar e të drithëruar:

“Fushat me lule, malet me dëborë,

Qaj moj Shqipëri e ulëri moj e gjorë,

Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë,

Me djepe ngarkuar, me foshnja në dorë,

Treqind e ca burra brenda në Hormovë

Si deshtë te kasapi në thikë i shkojnë

Qaj moj Shqipëri e ulër moj e gjorë !”…

Nëpër Kuç e Labëri, pyjet dhe drurët pa fund të kësaj krahine lavdimbuluar, ndoshta më tepër se kudo “gjelbëruan me plumbat në trup”. Ish “kulaku” Mehmet, sot e kësaj dite e shikon historinë e vërtetë në sy, pa përbuzje e pa urrejtje, pa hakërrima e ulërima, pa shpagime e pa dëmshpërblime monetare. Këtë e shikon, e prek dhe e ndjen në çdo bisedë me të, por edhe në shënimet e tij të shumta për vendlindjen, për fisin Zekaj e Gjoleka etj. Dinjitoz e qytetar i rrallë, që di të kapërcejë shtrungat e stanet, nometë e llabanet. Madje, di të nderojë edhe Dëshmorët e fshatit me më shumë dëshmorë në Shqipëri. Pa asnjë teserë partiake në xhepa, si në monizëm dhe në pluralizëm! Me shpirt të veçantë poeti e historian. Këto ditë vjeshte ai ecën nëpër kullota e pyje dhe i duket vetja “si në Galeritë e Artit”. Ruan e mbarështon dhitë e bekuara bravare. Më të rinjtë i heqin kapelën. Edhe kur u thotë shpesh me zemër : Gjej njëherë bari, pastaj shko e bli dhi !…Vetëm ndonjë i paditur e i lig nuk ia vë veshin. Gjithë jetën, Mehmet Zeka nuk ishte kurrë i zoti për të qëruar të bardhën e syrit ose më shqip : të ishte i hedhur e i shkathët për të mashtruar e vjedhur dhe as për ta çuar ujët nën rrogoz. I ndershëm në ndershmërinë e tij gati proverbiale ! U bë lypës i veçantë në vite, por askush nuk e ndihmoi. Të kuptohemi, nuk lypte asnjëherë bukë e para lëmoshe. Lypte vetëm Dituri e Shkollë. Kur do vinte për herë të dytë Enveri në Kuç, vendosa ta takoja. Por nuk më lanë të shkoj në miting, më izoluan në shtëpi, sepse “kesh pirë ujë me poçe”. Pra,”shtigjet për të u ndodhën të zëna. Ishte vërtet stërnip i trimit Meto Zeka, nip i Lucajve, bashkëkohës e bashkëluftëtar i legjendës kombëtare Zenel Gjoleka”. Veçse jeta, biografia me njolla e të tjerëve nganjëherë të çjerr edhe atje ku s’arnohet e nuk mund të ndreqet më. E megjithatë, ai dëgjon e respekton edhe jehonën e asaj këngës së pavdekshme

“Gryk’ e Kuçit, gryk’ e keqe

Një mijë e treqind dyfeqe”…

Jo rastësisht librin e tij me rrëfime historike, çobani lab e pagëzoi në Tiranë me titullin “Gryka e Vetëtimës”. Sepse dashuria për Kuçin dhe për fiset Zeka e Gjoleka, ishte e mbeti si një dashuri pa mort. Shënimet e tij të befasojnë. Bisedat me të, të ngazëllojnë. Ai e peshon dhe e qëndis fjalën si çobankat mandilezeza labe nëpër qilima e sixhade, jelekë e çorape të leshta, ku buron dhe derdhet frelëshuar pranvera. Ndonjërit që rrudhos buzët, miqtë e tij e përcjellin sipas festes me një “Ku di dhia ç’është tagjia!”. Vlerat flasin vetë. Mehmeti e thotë troç e publikisht tashmë, hapur e sinqerisht : “…Për fat nga Spaçi shpëtova, sepse bëra mik Librin, mora një çelës Tutius dhe e qepa. (Nuk e harroi mençurinë: Fjalës nga fjala i vjen rreziku!). Se njëherë një ujk, një çakall dhe një dhelpër u bënë vëllezër. Ujku si më trimi mori një mish dhe i tha çakallit: Ndaje, paç uratën! Dhe çakalli filloi e ndau në 3 pjesë të barabarta. Si e pa mirë e mirë, ujku e kapi për gryke, e tundi dhe e vërviti poshtë. Pastaj i tha dhelprës: “A s’na e ndan prapë këtë mishin?”. Dhe dhelpra si shumë e zgjuar, mori gjysmën e mishit më njërin krah dhe një leshe me pak gjak në anën tjetër. Mori prapë edhe gjysmën, por nga vuri të parin domosdo nga pjesa e ujkut dhe një un nga ana e vet. “Tani, ha të keqen motra!”. Ujku duke lëpirë buzët, i tha: Ku i more këto mend, zonja dhelpër? – Të keqen motra, këto mend ia dha merhumi që dredh bishtin atje poshtë. Edhe puna ime kështu është. Duke parë të tjerët, shyqyr Zotit shpëtova nga burgu, por kulak u cilësuam…”. Në qershor ’56, kur i paharruari proletar Gogo Nushi më dha publikisht triskën e hequr të Frontit, dola në tribunë dhe thirra sa kisha në kokë: Të rrojë Partia dhe Ju, shoku Gogo!…(Tani vonë mësova se Mehmeti është kushëri me juristin e palodhur e mikun tim Agim Gjoleka. Por edhe me ish-mësuesin tonë të 8-vjeçare në Tepelenë, intelektualin e rrallë që e ngrysi rininë dhe jetën 23 vjet nëpër qelitë zezona të burgjeve, Daut Gumenin e papërkulur, mendjehollë e penëmprehtë si ai). “ I kesh folur dikur për atë “zarfin e zi”. Dhe shumë vite më vonë, ma kujtoi jo pa mirënjohje e dhimbje…”. Çobanit të lexuar 80-vjeçar, mosha nuk ia ka rënduar ende hapin e sorkadhit. Mori shumë plagë, por nuk u dorëzua. Te ky njeri i veçantë që nuk hyri dot asnjëherë te “Fatlumët” dhe mbeti brenda gardhit përvëlak të “Fatkobit”, sot mund të dallosh qartë e dukshëm vetëm një plagë të pambyllur: Ëndrrën vetëtimë të Shkollimit që arratisej shpesh si vetëtimat e beharit! Plagë që mbeti përjetësisht një dhimbje e pasosur, një “hidhësirë që nuk m’u largua kurrë”. (Harruan babë Arshinë, që gjatë Luftës hapi shtëpinë e vet dhe e ktheu në shkollë!). Nga goja e tij e shkyçur në pluralizëm, mund të dëgjosh pa u mërzitur hic (edhe kur mërzejnë bagëtia) me qindra e qindra vargje popullore të lashta e të reja nga treva e Labërisë, sikur të kesh hyrë në një Institut Folklori jo dosido. Por edhe për romane e monografi cilësore të kohës.

“Mbeti Gjolekë spanoi

mbeti vet’ i dymbëdhjetë,

dimërin në mal e shkoi

sa u mbush pylli me fletë”…

Se Mehmeti nuk e lëshoi Kuqeziun, as zemrën plot lëngime. I ka zët ata që mbledhin lëmosha nga të tjerët, por edhe të pabesët dhe shpirtkëqinjtë e pandreqshëm. Prandaj nuk u bë asnjë çast dhjakonar. As në të ri e as në pleqëri… Miku im kuçiot, poeti i veçantë Ilir Balili, flet bukur e me shumë dashuri për Mehmetin. Dhe në çdo fjalë i shpaloset vendi ku i ka rënë koka, por edhe motërzeza Kano që prehet sypagjumë në Gjohelm dhe këndon si kanarinë vetëm kur i vjen vëllai nga Tirana te pllaka e varrit që kullon lot e serë… Lexon shënimet e çobanit 80-vjeçar dhe arratiset ndër vitet e fëmijërisë. Jetëmbytur me tallaze, derte e maraze… Te “Gryka e Vetëtimave”, sikur të shoqëron vetiu një dritë e fortë e që flakëron edhe qiellin me re. Mirëpo, siç na thotë Mehmeti, po s’vetëtiu nuk gjëmon! Ndërsa ironia e hollë dhe e sertë labe, shkreptin shpesh. Bashkë me mençurinë që qesëndis bukur ndonjë drejtues të paaftë e “të katandisur si ai çobani pa bagëti”. Dhe as duhet vendosur ujku në krye. Dhe as ndonjë cjap që nuk është për atë zile! Sepse cjapi edhe pa mjekër cjap mbetet, apo jo? Aq më keq kur është i zgjebosur dhe me bishtin përpjetë. Ja, si e mbylli bisedën 3 ditë më parë: “Një nga këta me mjekër po i qepej trungut të një peme. Kur arriti të kapte degët me gjethe, i hyri vetja në qejf, pa mjekrën e zgjatur, qëroi pakëz grykën dhe foli me veten: Përse të mos bëhem edhe unë Dhespot?… Mirëpo, prapa pemës, nga një guvë e vogël nxori kokën një ujk dhe iu përgjigj menjëherë: – Mirë e ke zotrote, po në të lënça gjallë unë!… Rrëfimet te “Gryka e Vetëtimave” nuk mund të firasin. Ato vetëtijnë vazhdimisht. Dje, sot e nesër. Nuk ka heshtje historia. Sidomos aty ku çdo grusht dheu pikon gjak e sakrifica për mëmëdheun. 6 vjet më parë, e tha saktë e rrufeshëm Goliku i Bënçës:

Këtu hordhitë e mëdhaja

Hynë bejka, dolën llaja…