Ardi Stefa: Anija e të çmendurve

795
Sigal

Thuhet se në Europën e Mesjetës, disa popuj e kishin për zakon që t’i ngarkonin të çmendurit e tyre në anije dhe t’i dërgonin larg, në udhëtime pa fund dhe pa destinacion të përcaktuar. Kështu, ata shpëtonin, nga pesha e përkujdesjes të të çmendurve të tyre dhe kur vendin e tyre e vizitonte ndonjë anije tjetër, me të çmendur të tjerë, gjenin një pamje të pasur në ato çka bënin pasagjerët. U jepnin ndonjë farë ndihme, pa pasur përgjegjësinë për përkujdesjen e përhershme të tyre. Anija me të çmendurit ishte një zgjidhje praktike, por edhe një tregues i pamundësisë së njeriut që të përcaktojë fatin e tij.

Në disa momente këto vitet e fundit, pamja e anijes me pasagjerët e çmendur që grinden me njëri- tjetrin, pa pasur idenë se ku po shkojnë, do të mund të funksiononte edhe si metaforë se si, të paktën disa zyrtarë të lartë europianë e trajtojnë Shqipërinë: “Janë të detyruar ta ndihmojnë, mendojnë se problemi i Shqipërisë është vetëm problem i Shqipërisë, por, për sa kohë që problemi i Shqipërisë nuk zgjidhet me një mënyre që të bindë se Europa përkujdeset për demokracinë e popujt e saj, sëmundja do të transmetohet, anija pa destinacion do të përfaqësojë vetë Evropën, Demokracinë…” Kjo metaforë, ndoshta është hiperbolike, por sot në Shqipëri të gjithë kanë hipur në një udhëtim, i cili nuk dihet se ku do të përfundojë. Ose kur… Shqipëria nuk përballet as me luftë, as me pushtim, as me ndonjë katastrofë natyrore. Shqiptarët janë të detyruar të ndryshojnë sistemin e tyre politik dhe ekonomik, në shkëmbim të disa deklaratave për ecurinë e reformave, sidomos të asaj në Drejtësi, të cilat do të mbajnë pak a shumë në jetë shoqërinë shqiptare. Duke qenë se në epokën e sotme ekziston solidariteti ndërmjet popujve, qeverive, partnerëve strategjikë, partnerët e Shqipërisë në BE dhe disa zëvendës/ zëvendës/ zëvendës sekretarë të Departamentit të Shtetit në SHBA, i kanë ofruar Shqipërisë “ndihmë”, përpara se të shembeshin “muret” e saj. Kushti ishte që muret t’i rrëzonte vetë Shqipëria, me justifikimin se me paratë dhe me ndihmën e tyre do të ngriheshin mure të reja, me të qëndrueshme. Duhet shumë kohë dhe durim që të përmendet Shqipëria, të fillojë të prodhojë dhe të çlirohet prej gjendjes mjerane politike, ekonomike, sociale e krizës së përgjithshme e të thellë, në të cilën ndodhet.

  • Në kohën që Shqipëria dhe parlamenti shqiptar gjendej në situatën më të paprecedentë në historinë e tranzicionit të tejzgjatur;
  • në kohën që Shqipëria pas 29 vitesh pluralizëm është rikthyer përsëri në monizëm, (me votimet dhe jo zgjedhjet e 30 qershorit),
  • në një kohë që kriza politike ka kapur kulmin dhe kriza institucionale është më e thellë se çdo herë tjetër,
  • në një kohë që polarizimi politik i shoqërisë është më i ndjeshëm se kurrë, kur korrupsioni, arroganca dhe krimi (ordiner dhe i sofistikuar) janë ulur këmbëkryq, duke ndryshuar rrënjësisht jo vetëm jetën, por edhe themelet e deritanishme të Shqipërisë,

shumë burokratë evropianë apo përtej atlantikut, bëjnë deklarata të shpeshta, të cilat kanë ndoshta si synim të revoltojnë popullin shqiptar dhe të nxisin trazira në Shqipëri, pavarësisht se bëhen në emër të stabilitetit dhe pa pyetur për gjunjëzimin dhe nënshtrimin që i bëhet Demokracisë.

Nuk shpjegohet ndryshe fakti që, jo vetëm përpara, por edhe pas votimeve të 30 qershorit, burokratët evropianë e ata të SHBA-së flasin më tepër si zëdhënës së qeverisë, sesa si diplomatë.

  • Ata kanë mbështetur pa rezerva palën qeverisëse, duke e goditur sistematikisht opozitën.
  • Ata kanë treguar me gisht liderët e saj dhe përpunonin në zyrat e tyre sharlatanët e “opozitës së re”, për t’i servirur si kundërshtarët realë të qeverisë, në një vend ku gjithçka shkon normalisht.

Ky angazhim u bë edhe më i ndjeshëm me ardhjen e votimeve lokale.

  • Ata nuk u mjaftuan me thirrjet se opozita e bashkuar duhet të hynte në lojë, por marrja krah u bë më e qartë kur kriza u shndërrua nga politike në institucionale.

Një gjë është e sigurt: Me këtë lloj taktike, opinioni publik shqiptar, shtyhet në ekstrem dhe në një qëndrim anti-evropian.

Në rast se ky është synimi i tyre, atëherë, me të vërtetë që kjo po arrihet. Dhe këtu vijmë në një tjetër parametër, në atë që do të mund ta quaja “parlamentarizmi si guaskë”!

Personalisht, në emër të demokracisë, kam qenë pro djegjes së mandateve nga ana e opozitës, qysh në vitin 2017, kur u bënë zgjedhjet. Që atëherë nuk isha dakord me marrëveshjen e 18 majit, pasojat e së cilës po i paguajmë sot. Madje 30 qershori është produkt i kësaj marrëveshjeje. Djegia e mandateve duhet që ta bënte pozitën dhe kryeministrin të reflektonin, të uleshin dhe të gjenin një zgjidhje afatgjatë, e cila do të ishte në favor të popullit, qoftë edhe sikur të “shkeleshin” ligjet. Dhe jo të “dërgonte” letra, apo të cicëronte në Twiter e Facebook. As të flisnin për filxhanin, tepsinë, fallxhoren dhe artistin…

Madje, as opozita të bënte protesta part-time, e rrëzojmë sot, e rrëzojmë nesër Ramën, në rast se e kishte seriozisht rrëzimin e regjimit që po instalohet. Ligjet ekzistojnë që të arrihet tejkalimi demokratik i kundërshtive të tilla.

Por Demokracia nuk fillon e as nuk mbaron në fillimin e shumicës parlamentare. Kushtetuta përcakton procedura të qarta, në mënyrë që kjo vlerë (shumica parlamentare) të funksionojë në mënyrë të drejtë e krijuese dhe jo mekanikisht.

Me fjalë të tjera, deputetët duhet të votojnë pasi të jenë njohur me amandamentet dhe pasi projektligji është paraqitur, në provën e një kritike të mundshme. Vetëm kështu vota do të ketë vlerën e urdhrit të popullit. Po asgjë nga këto nuk ndodhi e as vlejti në votimet e parlamentit e, si në kohën kur opozita ishte në parlament, ashtu edhe tani që kanë hyrë në të deputetët më qesharakë, sharlatanë dhe më injorantë të Shqipërisë, natyrisht, nga listat e opozitës që sot është në rrugë. Kjo “opozitë e re” ka votuar çdo gjë në parlament, si ka dashur qeveria. Pa dalë nga radhët. Edhe kjo në emër të stabilitetit…?!

Presidenti, kushdo qoftë ai, i korruptuar ose jo, është institucion, ndaj nuk mund të sulmohet me fjalor banal e vulgar, si ai të cilin kemi dëgjuar të përdoret jo vetëm nga kryeministri, por edhe nga deputeti më ordiner i parlamentit tonë. Gjithçka bëhet në emër të shpëtimit të vendit. Por në Demokraci, asnjë qëllim nuk justifikon mjetin, veçanërisht kur shpëtimi sipas qeverisë, sipas opozitës çon në katastrofë. Fakti që të gjitha votimet e rëndësishme u bënë në çastin e fundit, nën presionin e dilemave shantaziste dhe presioneve asfiksuese, me procedura që përbëjnë shkelje të ligjeve, mund të dëshmojë se e gjithë kjo situatë në Shqipëri është studiuar dhe drejtuar në mënyrë metodike në këtë pikë. Në realitet, si “partnerët” evropianë e përtej Atantikut, ashtu edhe qeveria e konsiderojnë procedurën parlamentare, jo si një funksion të nevojshëm demokratik, por si një pengesë politike. Për këtë ndoshta edhe e anashkalojnë dhe e shndërrojnë në një guaskë, e vetmja gjë që u intereson është që: Me çdo mjet të marrin miratimin parlamentar dhe jo të krijojnë miratimin më të gjerë politik, atë të popullit. Sidomos tani që gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë, të zhgënjyer e të neveritur nga politika, po i kthejnë shpinën shtetit demokratik, duke konsideruar se e ka tradhtuar popullin…