Sigal

Procedurat për ndërtimin me PPP të autostradës Tiranë-Durrës, grabitje ndaj taksapaguesve dhe shkatërrim për bizneset dhe buxhetin familjar. Sindikatat përgatiten për protesta masive, pasi koncesionet kanë rrënuar ekonominë dhe ministrin nuk ka ligj që e mbron…

Procedura për ndërtimin me PPP e autostradës Tiranë –Durrës, tender abuziv që prek direkt ekonominë e familjeve shqiptare

Vendimi i qeverisë për të ndërtuar me PPP autostradën Tiranë- Durrës të shtyhet deri në ndërtimin e linjës hekurudhore që lidh këto dy qytete. Ky është një tender abuziv që rëndon mbi qytetarët e shqiptarë dhe favorizon një kompani private dhe Arben Ahmetaj duhet të japë llogari përpara ligjit, pasi rruga është e ndërtuar dhe ka nevojë vetëm për zgjerim. Propozimi dhe akuzat janë bërë nga Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të KSSH, ku iu dërguan Ministrisë Financave një sërë propozimesh për projekt buxhetin e 2019-s. Nikollaj kërkoi të ngrihet një strukturë për monitorimin e mbarëvajtjes së koncesioneve, të cilat sipas tij kanë rrënuar ekonominë shqiptare. Kreu i Sindikatës ndërkohë propozoi që pagat e mjekëve të shkojnë deri në 200 mijë lekë ndërsa të infermierëve deri në 150 mijë lekë. KSSH i kërkon Arben Ahmetaj të rrisë pagën minimale deri në 28 mijë lekë si dhe të ketë rritje pagash për arsimtarët policët dhe punonjësit e administratës. Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës duhet të ndërpresin urgjentisht procedurën për ndërtimin me PPP të autostradës Tiranë –Durrës, pasi kemi të bëjmë më një tender abuziv që prek direkt ekonominë e familjeve në dy metropolet më të mëdha të vendit. Arben Ahmetaj njeriu, i cili po rrënon ekonominë shqiptare duhet të japë llogari për këtë koncesion, pasi në radhë të parë nuk kemi të bëjmë me ndërtim por me rikonstruksion, pasi kjo autostradë është ndërtuar me paratë e buxhetit të shtetit. Drejtuesit e mjeteve që kalojnë në autostradë për çdo litër benzinë që blejnë paguajnë 27 leke që shkon për mirëmbajtjen e e rrugës. Ky koncesion të mos na shitet si bamirësi. Qytetarët shqiptarë paguajnë aktualisht 180 milionë euro në vit taksë qarkullimi, të cilën qeveria e mbledh tek çmimi i karburanteve. Mbi 50 mijë mjete kalojnë çdo ditë në këtë segment rrugor, dhe kompania kërkon që veturat të paguajnë 2 euro e mjetet e tjera nga 5 euro, në një vend ku paga minimale është 24 mijë lekë. Kompania do ketë fitime kolosale në kurriz të shqiptarëve të varfër. Raporti i Gallup tregon qartë se mbi 78 % e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria e kjo duhet të alarmojë gjithsecilin prej nesh pasi shkaku kryesor i këtij eksodi të frikshëm është korrupsioni dhe taksat e larta. Ndërkohë duke parë shqetësimin e banorëve të Astirit, KSSH, i kërkon qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës të rishikojnë projektin. Në çdo rast nëse nis shembja e banesave qytetarët duhet të dëmshpërblen konform rregullave dhe t’u ofrohet bonus strehimi sipas nevojave. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon Ministrisë Financave të ngrejë një grup punë për të monitoruar mbarëvajtjen e koncesioneve, të cilat po rrënojnë ekonominë shqiptarë. Pjesë e këtij grupi punë duhet të jenë pjesëtarë të prokurorisë, policisë sindikatave dhe grupeve të interesit. Ato kompani që nuk kanë respektuar kontratat të japin shpjegime, tu anulohen koncesionet dhe të përgjigjen përpara ligjit. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon Ministrisë së Financave të rrisë pagën minimale me 5 mijë lekë të reja, pasi prej vitesh taksat dhe çmimet kanë njohur rritje. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kërkon rritje të pagës për të gjithë arsimtarët, punonjësit e rendit dhe të administratës. Duke parë me shqetësim largimin e bluzave të bardha Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i bën apel Ministrisë Shëndetësisë që pagat e mjekëve të shkojnë deri në 200 mijë lekë dhe të infermierëve deri në 150 mijë lekë. Këtë praktikë e kanë ndjekur vende si Bullgaria, Rumania, Turqia dhe Mali i zi, të cilat i përballen më të njëjtin problem. Degradimi i sistemit arsimor dhe largimi i mjekeve do ta çonte vendin në kolaps ndaj qeveria duhet të rishikojë menjëherë ketë propozim. Bluzat e bardha janë aset kombëtar e në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë njollosjen e kësaj kategorie. Arben Ahmetaj, mësuesi i anglishtes, i cili rrënoi ekonominë shqiptare me shpikjen e taksave, duhet të rikthejë në funksion Këshillin Kombëtar të Punës. Punëtorët shqiptarë shikojnë çdo ditë Ahmetajn që kapardiset në komisione dhe parlament duke folur për rritjen e ekonomisë, sakaq ata në fund të muajt detyrohen të marrin para hua për ushqime. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon opozitës të mos bojkotojë punimet e komisioneve ku diskutohet projekt-buxheti. Ky është një absurditet në një kohë që ekonomia duhet të jetë kryefjalë e zhvillimeve në kuvend, e jo telenovelat e Rrajës, Xhisielës, e Babales me Alizotin. Partia Demokratike është qeveria në hije dhe neglizhenca e saj duke bojkotuar komisionet do ketë pasoja fatale për ekonominë e vendit.