“Mjafton të vijë në Gjirokastër e të shohë”, ish-ministri: Rama projekte vetëm në 3D

607
Sigal

Ish-ministri/deputeti i PD Tritan Shehu i pikturon një tablo të errët kryeministrit Edi Rama nga Gjirokastra por jo vetëm.

Në një postim në “Facebook” ai shkruan se projektet e tij janë vetëm në 3D dhe se premtimet e përsëritura çdo vit prej 2014-ës kanë mbetur në 3D.

Ndërkohë ai thotë se mjafton të vijë në qarkun e Gjirokastrës dhe të shohë si po tkurret Universitetit, si u mbyllën spitalet e Përmetit dhe Tepelenës e po atrofizohet ai i Gjirokastrës, si po degradon bujqësia e po varfërohen, ngelin pa punë e pa shpresë njerëzit. Sipas tij, kryeministri ka vizionet e “Mbretit Lakuriq”.

POSTIMI I SHEHUT

Projektet e Kryeministrit për 2020 vetëm në 3 D, si ato për rrugët Kardhiq-Delvinë, Përmet- 3 Urat etj, etj të tilla!

Dëgjova mbrëmë Kryeministrin që shpallte projekte madhore për vitin tjetër, tunele, rrugë, aeroporte, etj, mund të ishte dhe Tuneli i Otrantos ndër ato, se në fund të fundit janë vetëm në 3D!

Mu kujtuan premtimet për Qarkun e Gjirokastrës, në fakt të përsëritura çdo vit prej 2014-ës, por të mbetura në 3D.

Mu kujtuan diskutimet për aeroportin e Gjirokastrës, që as në 3 D nuk e ka hedhur akoma, ndërsa premton të tilla plot diku tjetër…

Foli për të tjera “dhurata” ndaj “popullit të tij”, por mjafton të vijë në atë Qark dhe të shohë se si po tkurret Universiteti i Gjirokastrës, një vlerë e madhe ky për të gjithë Shqipërinë, si u mbyllën spitalet e Përmetit e Tepelenës e po atrofizohet ai i Gjirokastrës, si po degradon bujqësia, bizneset e po varfërohen, ngelin pa punë e pa shpresë njerëzit.

Kjo është tabloja në këtë fund viti e atij Qarku, qytetesh në rrënim e braktisje, e banorëve të tij të mrekullueshëm që veçse po largohen nge “sytë këmbët”, pavarësisht nga premtimet qeveritare të bëra në çdo prag Viti të Ri.

Por të trumbetuara vetëm në 3D nga Kryeministri, që siç duket ka vizionet e “Mbretit Lakuriq” në përrallën e tij.