Askush nuk mund ta marrë peng Partinë Demokratike!

268
Enver Bytyçi 
Në fillim të shtatorit, pas një interviste të Sali Berishës në Euroneës Albania, ambasadorja Juri Kim, sipas Lapsi.al, i kishte shkruar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se “Pakti u prish, tani është radha jonë të flasim”! As ambasadorja Kim, as kryetari Basha nuk e përgënjeshtruan këtë lajm. Por të gjithë donin të dinin se cili ishte pakti midis tyre, i cili atë ditë u prish?! Tri ditë më vonë, më 9 shtator, ose një ditë para hapjes së punimeve të legjislaturës së re parlamentare, zoti Basha shpalli vendimin e tij personal për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Kësisoj zonjës Kim iu dogj radha për të folur! Prej asaj kohe të gjithë kemi pyetur njëri-tjetrin se çfarë kishte për të thënë ambasadorja amerikane në adresë të Lulzim Bashës dhe pse ky i fundit u detyrua në minutën e fundit të marrë një vendim të imponuar! Mbrëmë në Durrës Eva Kokalari zbuloi enigmën. Eshtë një dosje, tha ajo, në ambasadën amerikane, me të cilën Lulzim Basha është kërcënuar për marrjen e vendimit të përjashtimit të zotit Berisha nga grupi parlamentar. Po si qëndron e vërteta e kësaj dosjeje?
Sigal

Më 18-20 maj 2018 ishte për vizitë në Shqipëri një personalitet europian, Prof. Dr. Franz Schausberger, asokohe këshilltar kryesor i Johannes Hahn. E kisha ftuar vetë në bashkëpunim me Universitetin e Durrësit dhe e shoqërova kudo, përjashtuar në takimin e tij me kryeministrin Rama. U takua edhe me zotin Basha e zotin Berisha. Por kur doli nga takimi me zotin Rama më pyeti: “Si qëndron e vërteta për aferën e Bashës me një kompani ruse në SHBA”? I thashë se nuk e di të vërtetën, por kam idenë se është një shpifje, sepse mesa e njoh unë Bashën, ai nuk ka lidhje me rusët. Ju do ta takoni vetë dhe do të krijoni një përshtypje tuajën. U takua me zotin Basha mbas dite dhe nga ky takim doli me përshtypje të mira. Diçka ndryshoi mendim për atë që i kishte thënë Rama, por nuk u bind.

Mbrëmë doli në publik përmbajtja e dosjes në fjalë. Bëhet fjalë për një pagesë prej 570 mijë dollarë për një fotografi me presidentin amerikan, Donald Trump. Kjo aferë ka kaluar edhe në gjykatën shqiptare dhe është mbyllur. Sipas dokumentit është mbyllur për shkak se dëshmitari dhe lobistiiI kontraktuar nga zoti Basha, Nick Muzin, atë kohë nuk ka pranuar të flasë për prokurorinë shqiptare, edhe pse ajo i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë në SHBA përmes pikës së kontaktit DoJ në Ambasadën Amerikane, që Nick Muzin të dëshmojë për këtë aferë. Muzin ka refuzuar të flasë në mënyrë vullnetare. Në këto kushte prokuroria shqiptare nuk ka mundur të vërtetojë akuzën dhe gjykata e ka mbyllur çeshtjen. Kjo dihet.

Por më vonë Nick Muzin ka folur me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve. Ky Departament i ka ofruar atij mbrojtjen e kërkuar nga vetinkriminimi. Dëshmia e Muzin-it u mor nga zyra e prokurorit, Maryland. Në këtë dëshmi lobisti i kontraktuar nga zoti Basha, ka dëshmuar se pagesat ishin dakordësuar midis tyre. Në këto pagesa bënte pjesë edhe ajo prej 500 mijë dollarë amerikanë e kaluar përmes kompanisë Biniatt Trade. Sipas Muzin, kjo shumë nuk ishte dhënë për lobim të Partisë demokratike, por si konsulencë për shoqata shqiptaro-amerikane të interesuara për investimet amerikane në Shqipëri. Ky lloj përshkrimi është gjendet i shkruar gjithashtu në kontratën që Muzin kishte lidhur me Biniatt Trade. Sipas dëshmisë së Nick Muzin rezulton se transaksioni ka ndodhur në korrik 2017. Dhe marrëveshja është bërë menjëherë pas zgjedhjeve të atij viti. Nuk dihet nëse Muzin thotë të vërtetën ose jo, por ai ka deklaruar se këtë transaksion nuk e kishte deklaruar si favor që donte t’i bënte zotit Basha, i cili, sipas tij, donte të fshihte origjinën e këtyre parave.

Kjo dëshmi ka mbërritur në ambasadën amerikane në pranverë të këtij viti. Thuhet se për shkak të kësaj afere zotit Basha i është ndaluar udhëtimi në SHBA. Por dosja në fjalë, më miratim të Departamentit Amerikan nuk është dorëzuar në prokurorinë shqiptare. Ambasada e ka mbajtur atë për ta përdorur si presion ndaj Lulzim Bashës për marrjen e vendimit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Eshtë përdorur edhe si presion për moskandidimin e zotit Berisha në zgjedhjet e 25 prillit. Nëse kryetari i PD-së nuk do ta merrte atë vendim, ai do të shpallej “non grata” në SHBA për korrupsion dhe pastrim parash, ndërkohë që Sekretari i Shtetit do të kërkonte hapjen e hetimit ndaj tij në SHBA për konspiracion për të shkelur ligjet amerikane.

Gjithë historia e kësaj afere dhe dosjeje është një rast ideal për skenar filmash. Edhe pse kreu i PD-së mund të mos jetë thelluar, edhe pse ende besoj që ai nuk ka lidhje me rusët, afera në fjalë e bën atë fajtor për shkelje të ligjit amerikan. I ndodhur përballë kësaj trysnie e presioni të jashtëzakonshëm zoti Basha zgjodhi të marrë një vendim arbirtrar kundër zotit Berisha, ta përjashtojë atë nga grupi parlamentar, madje pa u konsultuar me strukturat, sikur kishte të bënte me një person pa asnjë lidhje me Partinë që e drejton. Por dosjen ai nuk e ka zhdukur. Ajo është aty në çdo rast, kur dikujt, përfshirë dhe Georg Soros-in, t’i interesojë ta përdorë për ta bërë Lulzim Bashën të marrë vendime kundër vullnetit të tij!

Nga ana tjetër demokratët shtrojnë pyetjen: – Kur merren vendime nën presion kundër Sali Berishës, themelues i PD-së, ish-kryeministër dhe ish-president i vendit, a ndjehen të mbrojtur demokratët e tjerë nga piramida e partisë deri te seksioni i saj prej kryetarit të tyre?! Edhe pa këtë krizë mosbesimi ndaj Bashës në parti ishte I madh, por tani është një hendek i pakapërcyeshëm. Çdo demokrat nuk është më i shqetësuar për fatin e Sali Berishës sa është i shqetësuar për fatin vet e të Partisë Demokratike. Kjo është arsyeja pse demokratët e përkrahin me kaq entusiazëm dhe masivisht liderin historik. Kjo është arsyeja gjithashtu pse zoti Basha duhet të dorëhiqet dhe t’i hapë rrugë një lidershipi që merr vendime në mënyrë të pavarur dhe përmes institucioneve të partisë. U tha se Partia Demokratike do të padisë zonjën Kokalari në gjykatë për “shpifje”, pse ajo zbuloi ekzistencën e kësaj dosjeje në ambasadën amerikane! Të gjithë e dinë se Partia Demokratike nuk janë tri apo katër zyra në godinën e kësaj partie. Partia Demokratike është ajo që shqiptarët shohin në sallat e sheshet e qyteteve të Shqipërisë në pritje të Foltores së Sali Berishës. Dhe kjo partia e vërtetë nuk përfaqësohet në atë padi kundër zonjës Kokalari. Prandaj do të ishte e udhës që padinë ta bënte vetë zoti Basha, sepse asnjë fjalë nuk thuhet në adresë të PD-së.

Unë do të doja që zoti Basha të kishte edhe pas kësaj një rol në Partinë Demokratike. Por kjo varet vetëm prej tij. Nëse ai jep dorëheqjen dhe i hap rrugë procesit të reformimit rrënjësor e pa trauma të kësaj partie, atëherë ka shumë shanse që ai të mbetet një nga kontributorët në këtë parti. Këtë mesazh po ia japin gjithnjë demokratët. Ia dhanë edhe mbrëmë nga Durrësi. Në takimin e mbëmshëm ishin ajka e qytetarisë durrësake, prej tetë vitesh krejt indiferente ndaj Partisë Demokratike. Vetëm tre-katër eksponentë të dëgës së PD-së Durrës nuk iu bashkuan foltores. Durrësakët e urtë e të zgjuar thanë fjalë me të cilat shprehën zhgënjimin e madh nga PD e drejtuar nga zoti Basha dhe për këtë i kërkuan llogari edhe Sali Berishës. Por tek të gjithë ndjehej shpresa se Partia Demokratike me zotin Berisha do të rikthehet! Lulzim Basha e humbi këtë shans. Marrja peng nuk të lejon të rikthehesh, as të arrish në destinacionin për ku je nisur! Çdo i marrë peng duhet të dijë të tërhiqet, t’i hapë rrugë një procesi të ri. Ky është shërbimi më i mirë për kauzën dhe në rastin konkret për Partinë Demokratike!