Ja pse duhet të mësojmë nga dështimet e ekonomive të tjera. Kriza greke, shembull i reformave të vonuara

645
Sigal

Prof. Dr. Arben Malaj

Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje

Greqia – reformat e vonuara prodhojnë kriza të rënda dhe kosto sociale të dhimbshme

Kriza globale 2007 ishte dhe testimi i parë për ekonomitë e vendeve të eurozonës për faktin se këto vende kishin humbur sovranitetin mbi politikat e tyre monetare dhe njëkohësisht disa prej tyre ishin përfituese të mëdhenj nga politikat buxhetore te BE për reduktimin e hendekut të të ardhurave midis tyre dhe EU15. Humbja e sovranitetit mbi politikat monetare do të ishte pjesë e rëndësishme e debateve për efektin e saj mbi vendet që rezultuan të dobëta dhe që u goditen më rëndë nga kriza. Në këtë grup (të etiketuar nga gazetarët ekonomik si PIIGS ose GIPS të Evropës) u përfshinë Greqia, Spanja, Portugalia, Irlanda dhe Italia. E përbashkëta e disa prej këtyre vendeve qoftë edhe përkohësisht konstatohej në nivelet e larta të deficiteve të llogarive korrente si shprehin shkallën e ulët të aftësisë konkurruese dhe kjo për mungesë të reformave strukturore për një rritje ekonomike më të lartë, të qëndrueshme dhe më të drejtë në shpërndarjen e përfitimeve të saj. Duhet një rritje ekonomike që duhet të zbusnin dhe reduktonin plagët sociale, si niveli i lartë i papunësisë, varfërisë, pabarazisë, zbehje të kohezionit social, rritje të mbështetjes të populistëve dhe radikalëve edhe në vendet themeluese dhe frymëzuese të modelit evropian. Vende në krizë kishin deficite buxhetore dhe borxh publik më të lartë se vendet e tjera dhe me një kosto të rëndë për taksapaguesit. Problemet e mprehta të mungesës së profesionalizmit dhe eficiencës së administratës publike për shkak të nepotizmit, korrupsionit dhe rritja e kostos financiare e administratës, mbërritën në nivele krizë sjellëse. Problemet e miradministrimit të sektorit publik, kostot e rënda të subvencioneve, nivelet e larta të papunësisë dhe sidomos papunësisë për të rinjtë që arriti 35-50-%, nuk erdhën për shkaqe ciklike por kryesisht për shkaqe strukturore, duke mos I paraprirë modernizmit te ekonomisë, të tregjeve të punës dhe përshtatjen e niveleve të arsimimit me tregjet potenciale të së ardhmes. Skemat e politikave të pensioneve, papunësisë, ndihmës ekonomike u bënë shume bujare, por për subvencionimin e tyre përdoreshin burime nga projektet e BE-së dhe rritja e deficitit dhe borxhit publik. Të dyja këto burime do të ishin të përkohshme dhe çdo hap pas për reduktimin e këtyre përfitimeve/kostove që ulën aftësinë konkurruese të Greqisë, nuk do të ishte e lehtë. Lufta politike në emër të të varfërve do t’i varfëronte më shumë ata. Debatet brenda BE për rrugët e zgjidhjeve e krizës në vendet e prekura më rëndë, krijuan vonesa dhe pa qartësi në unifikimin e qëndrimeve të institucioneve vendim-marrëse. Gjatë viteve të kësaj krize, trendi përkeqësues i rritjes së kostos të financimit të ekonomive në krizë. rënia e ritmeve të rritjes ekonomike, rritja e deficiteve binjake, debatet për të ardhmen e euros dhe BE-së e përkeqësonte çdo ditë situatën e tyre sociale, buxhetore dhe politike. Krizat politike brenda vendeve në krizë impononin ndryshime të shpeshta të qeverive, ndryshimi i te cilave në kohë të shkurtër prodhonte më shume kosto shtesë se sa ndaljen e përkeqësimit të krizës. Fatkeqësisht këto vende nuk kishin krijuar hapësira fiskale për të financuar ekonomitë e tyre në situatë krize.

Borxhi I tyre publik dhe kostoja e e tij ishin shumë më tepër se limitet/tavanet obliguese të Mastrihtit apo të Paktit të Stabilitetit. Deklarimi i z Mario Draghi, President i Bankës Qendrore Evropiane, se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur euron, i shoqëruar me politika monetare lehtësuese dhe me institucione dhe instrumente të veçanta siç ishin edhe blerjet me kosto të ulët të borxhit të këtyre vende, pra financimi me kosto të ulët i ekonomisë së tyre për të krijuar premisat e rritjes dhe daljes nga krizat, gjeti mbështetjen e politik-bërësve të Trojkës. Gjatë gjithë viteve të krizës globale Greqia ishte në fokus të analizave të shkaqeve dhe recetave shpëtuese për disa arsye:

(i) Rrënjët e krizës ishin më të thella;

(ii) Fuqia e ekonomisë për t’u ringritur ishte shumë e ulët;

(iii) Plagët sociale ishin më të thella;

(iv) Instabiliteti politik ishte më i lartë.

Gjatë kësaj periudhe papunësia u rrit me 974 mijë veta, rreth 250.000 biznese u mbyllën. Largimi i njerëzve të mirë arsimuar u rrit ndjeshëm duke dëmtuar cilësinë e kapitalit human e social, i cili mund të prodhojë kosto afatgjata për ristrukturimin modernizues te ekonomisë greke. Dje BE deklaroi se Greqia përmbylli me sukses plotësimin e kushteve jo të lehta të tre paketave të shpëtimit, të cilat në thelb kanë qenë paketa shtrënguese. Në thelb kjo nënkupton, se pas kësaj dite Greqia nuk do të këtë imponime ndërkombëtare për rritje të taksave apo shkurtim të shpenzimeve sociale. Sot kryeministri Cipras nga vendi ku Odisea u kthye fitimtar pas 10 vite të luftës së Trojës, theksoi se nga sot Greqia rifitoi sovranitetin e humbur të politikave financiare në këmbim të përfitimit të një mbështetje të kushtëzuar nga donatorët, pa financimet të cilëve Greqia mund të shkonte drejt falimentimit. Greqia do të vazhdojë të mbikëqyret nga Komisioni Evropian për t’iu përmbajtur detyrimeve për pagimin e kreditorëve, të cilat janë rritur ndjeshëm nga fillimi i krizës deri në përfundimin e saj. Gjatë periudhës së krizës Greqia ka përfituar paketa financiare mbështetëse në rreth 260 miliardë euro ose rreth 300 miliardë dollarë. Borxhi publik i është rreth 179 për qind e GDP-së. Deficiti buxhetor arriti nivelin e tij të lartë në vitin 2009 me rreth – 15.1% e GDP-së. Kostua e pagimit të interesave të borxhit në Greqi është rreth 3.5 % e GDP-së nga 1.8 % që është në Eurozonë, pse dy herë më i shtrenjtë. Mbikëqyrja e Greqisë nga Trojka deri në pagimin e këstit të fundit të detyrimeve që lidhen nga borxhet e marra nëpërmjet paketave të shpëtimit nuk do të jetë thjeshtë një proces kontrolli i datë pagesave të detyrimeve por një proces mbikëqyrës nëpërmjet instrumentit te ri EU Semestër për reformat strukturore të cilat e ndihmojnë ekonominë greke të rritet, të modernizohet, të bëhet më konkurruese, të përmirësoj shëndetin e financave publike, si rruga më e mirë e garantimit të pagimit të kredive. Guvernatori i Bankës së Greqisë z. Stournaras paralajmëron qeverinë greke, taksapaguesit dhe opinionin publik grek se ekonomia greke arriti të dalë nga kriza e financimeve të kushtëzuara dhe mund t’iu drejtohet tregjeve të kapitaleve për të financuar borxhin e saj publik. Gjatë krizës ekonomia greke u tkurr/zvogëlua me një të katërtën (-25%). Ekspertët e analizave të krizave vlerësojnë se ;

  • Keq menaxhimi i sektorit publik;
  • Shkalla e lartë e informaliteti;
  • Shkalla lartë e evazionit fiskal/mos pagimi i taksave
  • Administrata e tej fryrë ishin gropa të thella për financat publike të Greqisë.

Guvernatori Stounaras nënvizon reformat e dhimbshme për të reduktuar deficitet binjake, atë të llogarisë korrente që kushtëzohet nga aftësia konkurruese e ekonomisë greke dhe deficitin buxhetore deri në 15% të GDP-së, që vinte kryesisht nga shpenzimet publike të mëdha dhe jo efektive. Ai thekson sfidat kryesore që ka përpara ekonomia greke si

  1. borxhi i lartë publik;
  2. kreditë për t’u paguar;
  3. papunësia e lartë;
  4. ikja e trurit dhe
  5. burokracia.

Një paralajmërim kritik i Guvernatorit për qeverinë ishte respektimi i grafikut të pagimit të detyrimeve për kreditë e marra, sepse çdo vonesë mund të krijojë tronditje deri në braktisje nga tregjet e kapitaleve. Kjo do ta bëjë më të shtrenjtë financimin e ringritjes së ekonomisë greke. Sipas tij besimi i tregjeve të kapitaleve bëhet akoma më kritik në kushtet e risqeve potenciale të ndikimeve negative në ekonominë e Greqisë nga zhvillimet jo pozitive në ekonominë e Turqisë, Italisë apo edhe ato globale. Historia e krizës dhe daljes së saj mund tju shërbej edhe studiuesve dhe politik-bërësve të vendit tonë, Më konkretisht : Reformat strukturore që rritin aftësinë konkurruese të vendit tonë nuk duhen vonuar. Këtu mund të përfshijmë, të drejtat e pronave, pavarësinë e gjyqësorit, anti-korrupsionin, administratën publike, ambientin e biznesit, industrializimin, kapitali human dhe sociale. Krijimi i një hapësire fiskale për të menaxhuar situatat e vështira të rritjeve ekonomike dhe goditjet asimetrike nga jashtë duhet të jetë pjesë jo vetëm e strategjisë së menaxhimit të financave publik por e kontrollit të thelluar parlamentar. Modernizimi I tregjeve të punës- përshtatja më e mirë e fleksibilitetit të tregjeve dinamike me ofertën e mirë arsimuar dhe kualifikuar. Ndryshimi thelbësor i menaxhimit të sektorit publik, për të reduktuar kostot e keqfunksionimit dhe dështimit te tyre. Hapjen e tregjeve të punës, lehtësimin e hyrjes dhe daljes prej tyre, pa cenuar të drejtat e punëmarrësve. Thithjen dhe mbajtjen e talenteve shqiptarë por edhe të talenteve nga vendet e tjera. Ne konkurrojmë në tregje globale dhe për te duhet të përdorim sa më mirë talente pavarësisht nga origjina e tyre. Kohezioni social duhet të jetë në qendër të çdo strategjie të menaxhimit te krizave por edhe te strategjive të zhvillimit. Stabiliteti politik duhet të ushqehet dhe garantohet nga arritje konkrete në jetën e përditshme, duke rritur besueshmërinë e tyre publik. Studimet tregojnë se kur njerëzit ndjejnë përmirësime reale ata mbështesin me mire reformat e qeverive. Reduktimi i çdo barriere burokratike dhe fizike që pengon rritjen e bashkëpunimit midis rajoneve të vendit dhe në nivel rajonal dhe ndërkombëtare. Identifikime i leksioneve që duhet të mësojmë nga kjo krizë globale mund ta gjallëroj debatin midis studiuesve jo si një qellim në vetvete por si një shërbim qe shkenca duhet ti bëj vendit të saj, për strategjitë afatgjata të zhvillimit si edhe në parandalimin dhe menaxhimin e çdo krize me të cilën përballemi sot ose në të ardhmen.