A DUHET TË SHKOJMË NË UNIVERSITET TONA?

500
Sigal

Nga Eduard Halimi

Sot Universitetet hapin dyert në Shqipëri. Mijëra të rinj e të reja do fillojnë një rrugëtim të ri drejt marrjes së njohurive, drejt arsimimit, drejt SUKSESIT dhe qëllimit për të gjetur një PUNË të mirë nesër. Por ditët kur shkoje në fakultet, diplomoheshe, gjeje një punë me një pozicion  të sigurt për 30-40 vjetët e ardhshme dhe dilje në pension i lumtur, KANË MBARUAR. Nuk ekzistojnë më.

FESTA MBAROI!  Kohë të reja kanë ardhur.

Tarifat çdo vit e më të larta, çmimet që rriten çdo ditë, rrogat e prindërve që ngelen po ato, e bëjnē padyshim këtë rrugëtim plot sakrificia. Po a ia vlen? A garantojnë  Universitetet në Shqipëri se këto sakrifica do shpërblehen pas 4-5 vitesh? Do gjejnë ata një punë të sigurt? A është këshilla e prinderve tanë “Një edukim i mirë, të hap çdo derë të jetës” e vlefshme ende? A është arsimimi dhe edukimi e njëjta gjë? Pse studentët që mbarojnë Universitetet tona nuk gjejnë dot punë? E ka fajin sistemi yne i edukimit apo studetentët që nuk i pershtaten tregut te ri te punës? Duhet të modifikojmë sistemin apo fëmijët tanë?

Përgjigjia e këtyre pyetjeve ndoshta na çon në përgjigjien e pyetjes kryesore të këtij artikulli. Unë e di se ju prisni nga unë që per shkak te profilit politik dhe publik t’ju them se fajin e ka qeveria, mungesa e vendeve të punës etj etj, por qasja ime në këtë shkrim është paksa ndryshe, pasi justifikimet ju i bëni më mirë se unë por ato nuk i ndihmojne ata që fillojnë sot Universitetin. Dhe unë dua të flas për të ardhmen, për ata që fillojnë sot duke u perpjekur qe mos jenë në kete gjendje që janë shokët e shoqet e tyre.

Unë nuk kam njohuri te thelluara mbi arsimin ne përgjithesi por njoh nga afër pjesën e edukimit dhe arsimimit juridik me eksperiencën time profesionale prej 26 vjetesh. Ndaj ky shkrim u dedikohet studenteve por më se shumti atyre per drejtësi që fillojnë Universitetin në 2021. Rreth 4.000 studente përfundojne cdo vit për drejtesi në fakultetet private dhe shteterore dhe nese pyesni as 20% e tyre nuk fillojnë dot diku në 2 vitet e para. Nese pyesni prinderit e tyre qe kane shpenzuar miliona leke, sakrifica dhe mund, ata do ju thonin se ndoshta i kanë këshilluar gabim femijet, por është vone ndoshta. Vete te diplomuarit jane jo vetem te zhgenjyer, te merzitur por mbi te gjitha nuk dine as ku do te shkojne. Nese para 4 vitesh kishin nje ender, nje vizion, nje plan, pas 4 vitesh ata jane edhe me konfuze.

Por qëllimi im në këtë shkrim nuk është që ti  bëj pesimistë. Lajmi i mirë është se ata që kanë zgjedhur këtë profesion, kanë berë një zgjedhje fantastike dhe qëllimi im është të perpiqem që kjo te mos ju ndodhe juve që filloni vitin e parë sot.

Para se te shkruaja librin “ Te bëhesh një jurist i mirë” një manual praktik, që orienton juristet te behen avokatë të mirëpaguar, unë studiova  programin e 3 Universiteteve te Drejtesise, FDUT/Tirana, La Sapienza/Rome dhe The Hague University/Hage. Bisedova me shumë prej pedagogeve në keto Universitete si dhe zhvillova me ekipin tim disa sondazhe me rreth 100 studentë. Përshkrimin më të hollesishëm, analizen dhe opinionin e tyre ju mund ta lexoni ne libër por ajo që dua të ndaj janë disa prej gjetjeve të mia dhe sugjerimeve për te arritur ne pergjigjiet e pyetjeve qe parashtrova në fillim.  Pyetja e parë dhe më e rëndesishme per kete është nese e kane fajin sistemi i edukimit apo studentet? Duhet te modifikojme sistemin e edukimit apo studentet?

Yuval N. Harari në librin e tij “Homo Deus” thotë se per te prodhuar studente te afte per tregun ndoshta duhet të modifikojmë fëmijët qe ata te perqendrohen me shume drejt profilizimit dhe mbron teorinë e nxitjes së përdorimit dhe modifikimit biokimik. “Në vitin 2012, më shumë se 3.5 milion fëmijë amerikanë marrin stimulantë për të rritur përqëndrimin. Në Britani 786 000 po ashtu”, – citon ai statistikat.

Robert Toru Kiyosaki, një biznesmen dhe autor amerikan, (themeluesi i “Rich Global LLC” dhe “Rich Dad Company) e cilëson sistemin e edukimit në Universitete në USA si problematik: “Unë di që shumë do thoni është gjyqësori i korruptuar, është politika, shëndetësia etj., por unë do thoja janë universitetet po aq dhe më shumë! Pasi ato refuzojnë t’i mësojnë studentët rreth tregut te ardheshem te punes, drejt profilizimit te ketij tregu, parave dhe inovacionit, rreth suksesit. Politikanët vrasin të ardhmen për 3 apo 4 vjet; edukuesit mediokër, e vrasin për dekada ”

Por unë nuk jam parashikues i së ardhmes si Yuval Harari dhe mendoj se ndermjet dy personaliteteve te kesaj dekade, Kijosaki ka me shumë te drejte. Duhet të modifikojmë shkollat. Duhet përmiresojme edukimin, t’i update ato, të përshtasim edukimin, kurikulat, burimet e informacionit me tregun e punes, ti orientojme studentet drejt tregut te ardheshem. Duhet te largohemi nga arsimimi i përgjithshëm në Universitete duke forcuar drejt edukimit te specializuar. Pasi arsimimi dhe edukimi nuk jane e njëjta gjë.

Napoleon Hill, autori i bestsellerit “Think and grow rich”, analizoi 500 njerëzit më suksesshëm të kohës së tij para se të shkruante librin. Ai pa se pjesa më e madhe e tyre nuk kishin mbaruar Universitetin. Ai trajton shumë gjatë figurën e Henry Ford industrialistit dhe bisnemennit amerikan më të suksesshëm të kohës, miliarderit te Ford Motor Company” që kishte mbaruar vetëm 9 vjet shkollë.

Në Shqipëri nëse shohim 10 kompanitë më të pasura dhe mësojmë rreth pronarëve të tyre, pjesën më të madhe të të cilëve i kam miq apo klientë të kompanisë që drejtoj prej rreth 4 vjetësh, historia e Henry Ford eshte aktuale. Ata ose nuk kanë mbaruar Universitetin ose nuk është se kanë shkëlqyer në Universitet, por ata janë të suksesshëm. Ata mund të mos jenë te arsimuar ne ato nivele qe thone arsimtaret tane, por ata nuk janë të paedukuar. Kush mendon se ata meqenëse nuk kanë shkëlqyer në Universitet, apo nuk kanë bërë fare një të tillë, janë të paedukuar e kanë gabim. Ata nuk kanë ndonjë arsimimi akademik te pergjithshem siç kanë shumë profesorë të historisë, drejtësisë, apo inxhinierisë të cilët krenohen sa në një sallë në tjetrën, sa në një studio mediatike në tjetrën, por kanë njohuri të posaçme të aktivitetit të tyre me shumë se kushdo.  Fakti qe kane me pak shkollim nuk do te thote se jane te paedukuar. Ata qe bejne kete gabim nuk i njohin nga afer keta njerez dhe as nuk  e kane te qarte fjalen “edukim”( latinishtja “educo” do te thote “deduktoj” nxjerr nga jashte ate qe zhvilloj nga brenda, aftesite dhe njohurite e posacme apo te specializuar). Celesi i suksesit te tyre nuk eshte arsimimi i pergjithshem, as vetem fakti se zgjedhin për të drejtuar kompanite njerëz të mençur, por nëse bisedoni me ta për fushën që ata zotërojnë, do të çuditeshit vërtet sesa informacion dhe edukim rreth tyre kanë. Ata ngrihen në mëngjes dhe gjeja e pare që bëjnë është update i informacioni të tyre të një nate më parë, shohin bursat, tregjet e naftës, energjise, lëndeve te para, hekurit, kromit, gjithshka që lidhet me abitatin e tyre. Ata janë njerez qe “edukohen” cdo dite!

E njëjta gjë me pak përjashtime ndodh edhe në tregun privat ku unë punoj prej më shumë se 4 vitesh. Avokatët më të sukseshëm që unë njoh nuk janë ata që kanë mbaruar me 10-ta fakultetin, por ata që nuk janë ndalur asnjë ditë pas mbarimit të Universitetit duke marrë njohuri. Ajo pra çka i lidh të gjithë më sipër me SUKSESIN e tyre në botën e sotme është fakti se ata kanë një formim të posaçëm për fushën ku operojnë. Ata kanë marrë një formim të përgjithshëm në universitet dhe nuk ka nevojë të kenë shkëlqyer aty por pas universitetit ata nuk janë ndalur por janë perfeksionuar në zonën e tyre të veprimit, kanë marrë çdo ditë njohuri në mënyrë të pavarur nga Universiteti dhe kanë arritur sukses.

Koncepti se studenti i 10-tës do të zgjedhë punën më të mirë, nuk funksionon në tregun privat. Mund edhe të funksionojë në Shkollën e Magjistraturës psh, ku unë vetëm kam qënë nismëtar 20 vjet më parë, për t’a bërë me ligj, por në tregun privat jo. Kompanitë, ashtu si dhe ajo që unë vetë kam, jemi të prirur të shohim jo vetëm të dhënat akademike por mbi të gjitha të dhënat të veprimtarive dhe personalitetit të kandidatit. Ajo që kërkohet nga kompanitë dhe tregu i sotëm dhe i nesërm janë specilistët, janë kandidatët që janë të specializuar në fusha të shkollave të bisnesit, të kenë kryer master specifikë dhe të kenë qënë njerëz aktiv në vitet e fundit të Universitetit.

Tregova shembujt më sipër per tju thene se arsimimi dhe edukimi nuk jane e njëjta gjë. Unë jam i bindur se investimi më i mirë për të ardhmen është edukimi. Por sistemi yne yne i edukimit eshte PROBLEMATIK. Nuk e ka fajin mungesa e kërkesës. JO. Kompania ime dhe e shumë avokatëve të tjerë kërkojnë çdo ditë juristë për të filluar punë. Qindra aplikantë vijnë (përfshi dhe javën e fundit) tek ne apo të tjerët, intervistohen dhe largohen pa e fituar vendin e punës, sepse ata nuk ndjehen të aftë të shkojnë në gjykatë, në prokurori, në institucione, nuk dinë asgjë për të bërë një padi, një ankim, një rekurs, nuk dinë si të hyjnë në gjykatë, si të sillen në gjykatë, prokurori, më keq akoma nuk dinë si të shkruajnë, të flasin si jurist, mos flasim pastaj se kur i pyes nëse mund të këshillojnë një korporate, një kompani, nafte, gazi, një kompani që prodhon energji, taksat vendore qendrore, ata ngrejnë supet sepse në shkollë nuk kanë mësuar asgjë për këtë.

Ndaj Universitetet duhet të ndryshojnë. Duhet të ndryshojmë fort pjesën e edukimit dhe t’i orientojmë studentet drejt profilizimit dhe jo edukimit të përgjithshëm, drejt inovacionit, drejt të ardhmes, drejt tregut të punës së dekadave që vijnë sic thote R. Kiyosaki. Sepse problem është se sistemi yne i edukimit është vertet problematik.

Universitetet, trupa akademike duhet të pranojnë përgjegjësi, duhet të ndryshojnë kurikulat, duhet të marrin përgjegjësi për orientimin profesional të studentëve.

Universiteti i Oxfordit, në vitin 2013 publikoi një studim shumë interesant në lidhje me të ardhmen e punësimit “The future of Employement”[1].

Sipas dy profesorëve që kanë bërë studimin bazuar në të dhëna statistikore dhe ecurisë së teknologjisë në SHBA pas 20 viteve, pra në vitin 2033 ka shumë mundësi që 47 % e punonjësve atje të jenë me rrezik të lartë duke përfshirë që nga shoferët,arkëtaret në banka dhe deri tek ekspertët paraligjorë në një masë nga 80-99%.

Eksperti i inteligjencës artificiale, Terence Mauri, në një intervistë në 20 tetor 2020 në “Daily Mail” dhe “The Telegraph” tregonte se për 2 vjet kishte përfunduar një studim  që do publikohet në 2022 për drejtësinë digitale dhe  synonte të krijonte gjyqtarët robotë në 2070.

Por pavarsisht se teknologjia ecën shpejt në Silicon Valey (SHBA) nuk do të thotë se në 2033 do të ketë të njëjtin ritëm në Europë, Ballkanin Perëndimor apo Shqipëri. Kështu nga projekti që vetë jam përfshirë dhe që është duke u zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, dhe implementimi i tij në sistemin bankar në 2020, humbën punën gati në 15% e operatorëve dhe po kaq edhe në atë tregut të sigurimit. Në Shqipëri projekti synon të aplikohet në vitin 2022 ku parashikohet që për çdo degë të largohen jo më pak se 2 persona, që do të thotë se më shumë se 100 persona për çdo bankë, afërsisht 600-700 persona do të duhet të lënë punën ose të ndërrojnë pozicionin e tyre.

Në avancim të këtij projekti në 2021, ne po punojmë për largimin e paraligjorëve në sistemin bankar të cilët bëjnë check in të dokumentave ligjore për marrjen e një kredie bankare dhe po ashtu projekti synon edhe reduktimin e noterëve apo juristëve që vertetojnë pasuritë e rregjistrave të pasurive të luajtëshme dhe të paluajtëshme. Projekti mund të jetë gati në 2022 në Europë por për vende të pazhvilluara apo me problem të forta në rregjistrat e pasurisë si Shqipëri, Kosova dhe Bosnja mund të zgjasë deri në 2025. Por ama do të bëhet, dhe detyra e gjithë Universiteteve është që t’i përshtasin leksionet e tyre drejt tregut të ardhshëm të punës.

Ajo qe dua të konkludoj është se nëse do vazhdojmë të nxjerrim juristë me njohuri te përgjithshme duke i dhene atyre nje diplome ku tregohet se jane te arsimuar, ata do ngelen serish pa pune si 80% e atyre qe jane sot ne kete gjendje. Shembujt me lart tregojne se ne vitin 2030 ata do jene edhe me te pashprese. Por nëse i orientojmë ata drejt tregut te punës, i edukojmë në fushat specifike që ka nevojë ky treg, si teknologjia, bankat, nafta, energjia, atëherë kerkesa për punesimin e tyre do jetë e madhe. Univeristetet dhe profesorët duhet të bëjnë përpjekje që mundi, djersa dhe shpenzimet e studenteve që fillojnë sot studimet mos të shkojnë kot. Nëse nuk e bëni, nëse nuk ndërroni librat dhe leksionet e para 10 vjetëve, një ditë shumë si unë do t’u thonë femijëve: Mos shkoni në Universitet!

Studentëve u them që shkoni në Universitet, mos u mjaftoni me arsimimin por edukohoni, mos u mjaftoni me njohuritë e përgjithshme që merrni aty, por mundohuni të specializoheni edhe gjatë kohës së studimeve. Nëse verifikoni se librat që ju japin pedagogët nuk janë update me paketën e 50 ligjeve që ndryshuam ne 2017, thuajeni atë, ndrojeni fakultetin ose mësoni vetë. Biblioteka është vendi magjik i marrjes së njohurive, bota digitale është e pafund. Ndiqni kurse online edhe gjatë kohës së studimeve, mësoni dhe përgatituni për të nesërmen.

Këtë e keni në dorë ju, më shumë për të ardhmen duhet të shqetsoheni ju, që sot.

Suksese

Eduard Halimi

Avokat dhe ekspert i së drejtës private

(Marrë pjesë nga libri “Të bëhesh jurist i mirë”)

[1] (https://www.oxfordmartin.ox.ac.uk/downloads/academic/The_Future_of_Employment)