Xhaferr Korro: Muzeu që më zgjoi kujtimet e viteve studentore

132
Sigal

/Telegraf.al/ Muzeu kushtuar shkrimtarit të nderuar e të pavdekshëm Sterjo Spase, më zgjoi ndjenjat e mija studentore, kur isha i ri.

Kur mora lajmin se zona e Pustecit dhe e gjithë Prespës nderoi shkrimtarin Sterjo Spase me ngritjen e muzeut në shtëpinë e tij të vjetër në fshatin Gollomboç, ku ai lindi në vitin 1914, u gëzova pamasë. Me këtë rast përshëndes Bashkinë e Pustecit, që nderoi birin e saj të Prespës, por dhe të gjithë Shqipërisë.

E gjithë zona e Prespës mburret me të drejtë që nga gjiri i saj ka lindur një i tillë burrë, shkrimtar, mendimtar i madh, por mbi të gjitha një njeri tepër i dashur dhe shumë i thjeshtë.

Unë e kam takuar për herë të parë, rreth vitit 1955, në shtëpinë e shkrimtarit tjetër të madh, në shtëpinë e Petro Markos. Ata të dy ishin shokë të ngushtë dhe vazhdimisht i shikoje bashkë.

Kur shkova në shtëpinë e Petro Markos, Petro i thotë Sterjos:

-Këtë djalosh e kemi nga Përmeti dhe është një student i mirë dhe që e dashuron me pasion letërsinë.

Sterjo më përgëzoi dhe vazhdoi.-Djalosh! Je nga bilbilenjtë e Frashërit dhe të Kombit Shqiptar?…nëse e dashuron letërsinë do të bëhesh një shkrimtar i mirë.

Unë iu përgjigja:- jam nga Malëshova! Oh!…Je nga vendi i origjinës të Sejfulla Malëshovës? Po, i thashë unë. Më vonë, pyeta Petron për të më treguar diçka mbi jetën  dhe veprimtarinë letrare të Sterjos. Petro më tha se e kishte shok prej shumë e shumë vitesh. Të dy kishin pasur kohë të vështira në Tiranë kur nuk gjenin dot punë. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar shkruanin një grup shkrimtarësh të rinj, shkruanim edhe unë dhe Sterjo. Sterjo në vitin 1933 kishte shkruar romanin “Pse”, të cilën e botoi në Korçë në vitin 1935. Një ditë vazhdoi të tregonte Petro:-Sterjo më dha për të lexuar dhe më pyeti nëse mund ta botonte ose jo këtë roman? Mos e boto tani e këshillova. Vendin tonë e kanë lënë në errësirë kulturore regjimet që ka pasur dhe nuk do ta kuptojnë idenë e romanit. Po Sterjo e botoi romanin “Pse”.

Romani përgjithësisht u prit mirë, por pati dhe shumë kritika.

Petro ! Ti kishe të drejtë- i thashë.

Por nëse e lexon romanin e kupton se romani ishte me ide përparimtare për kohën, por fatkeqësisht mjedisi letrar i asaj kohe nuk e kuptoi idenë themelore të autorit. Dashakeqësit përhapën shprehjen: Pse-në nuk e gjeti as Sterjo Spase, të cilën e përdornin kur nuk dinin përgjigjen e një pyetje.

Petro më tregoi se për një kohë të gjatë kishin punuar së bashku, por për të gjetur punë ishte tejet e vështirë. Mbas shumë përpjekjesh- vazhdon Petro na emëruan si mësues

të parë në Derviçan të krahinës të Dropullit. Ishte vështirë për të shkuar atje, sepse nuk kishte transport. Në fillim fjetëm jashtë , nëpër varreza. Mëngjezeve- banorët e fshatit kur na shikonin në varreza bënin kryq tepër të çuditur. Edhe bukën mezi e siguronim dhe shpesh na e jepnin banorët. Më vonë na erdhën ndihma nga shokët e Sarandës. Hapëm shkolla nëpër shtëpi të banorëve. Shpesh banorët na ftonin për vizita në familjet e tyre – përfundoi Petro.

Më vonë lexova dhe i kam, pjesën më të madhe të veprave të Sterjo Spases në bibliotekën time: “ Afërdita” , “ Të fala nga fshati”, “Afërdita përsëri në fshat”, “Ata nuk ishin vetëm”, “Zjarre”, “Zgjimi”, “Pishtarë”, “Ja vdekje ja liri”, natyrisht dhe romanin që mbahet si kryevepra e tij “Pse”, që më bëjnë që Sterjo Spasen ta kem një nga shkrimtarët e mi më të dashur.

Poezi nga Xhafer Korro

Shkrimtari që skaliti me penë vëllazërimin e popullit

Si shqiponja Sterjo, fluturove mbi retë.

Valët e liqenit përplasen në buzën e tij lehtë-lehtë.

Ajkën e Pustecit e thithe si bleta nektarin;

nga bleta prodhohet mjalti me hoje të bardhë.

 

Sterjo! Si pema plakë, sot me gjethe të verdha,

që bren nga era,

në vesh më vijnë si nga thellësia këshillat me vlera.

Fjala jote e ëmbël si mjalti i Kaninës,

ajo ishte e qetë si cicërimë e kanarinës.

 

 

Ju skalitët me penë, thellë vëllazërinë;

Popullit, në vepra i qëndise dashurinë.

Bashkimi, dashuria, i the sjellin lirinë.

Në jetë, të kini suksese dhe begatinë.

 

Popujt në botë të kenë liri dhe barazi.

Lufta dhe urejtja helmon njerëzinë.

Këto porosi I skalite në vepra me penë,

Në artin letrar, si me sitë bëre vepra për Atdhenë.

 

 2 Dy figura të ndritura të kulturës shqiptare

Në Gollomboç, si lule çele plot erë ,

Pusteci të rriti, u bëre djalë me vlerë.

Me penën e artë qëndise vepra në letërsi,

Pustecin nderove dhe nënën Shqipëri.

 

Spase, në këtë botë kërkove drejtësi,

me librat që skalite mbolle dituri.

Si pëllumb i bardhë mbi Liqenas e Pustec kërkove liri.

Me Petron si vëllezër përhapët dituri.

 

Të dy, si pendë, çatë brazdën e diturisë

në ugarin e thatë.

Në Dropull si dallëndyshe pranvere hapët shkollën

e parë.

Dritën e diturisë si xixëllonja çelët tek vëllezërit

Minoritarë.

Dashurinë në popul kristalizuat, të jetë i pandarë.

 

Me penë në dorë punuat për dituri,

si bleta që mbledh nectar mbi lule

ju përhapët njohuri.

Do të kujtoheni në shekuj, si xixëllonja për barazi,

Atdheu në altarin e kombit si yje për liri!