Vëmikasit, njerëz jetëgjatëgjatë si shqiponjat e Këndervicës

981
Sigal

Nga Mustafa Koçerri

Vërmiku i Kurveleshit është fshat me bukuri të rralla, me burime e ujëra të ftohta e të shumta, me peizazhe e gryka të bukura, me drurë, bimësi e lule të shumta, me faqe shkëmbore me pjerrësi të theksuar. Por Vërmiku është edhe fshati ku njerëzit e tij me virtyte e tradita të shumta si e gjithë Labëria është fshati me njerëz jetë me jetë gjatësi të lartë, ku do të gjeje si në fisin e Ali Muçajve, Mëzurajve, Çirakajve, Gjoni, Habili, Selajt, Koçerri, Tushaj, Boci, Kondi e të tjerë. Më poshtë midis tyre po përshkruajmë dy prej tyre. Zenel Sheremet Lloi, lindi në fshatin Vërmik të krahinës të Kurveleshit, lindi në një familje me tradita të hershme atdhetare e patriotike, e njohur në fshat e krahinë për mikpritje, bazë e luftës për liri si para LANÇ, ashtu edhe më pas me pjesëmarrjen aktive në Luftë për çlirimin e Atdheut. Nipërit e mbesat e tij, kur përmenden emri i gjyshit të tyre, të flasin me mallëngjim, për kujtimin dhe emrin e tij, sepse kanë mësuar dhe kanë marrë shumë në të gjitha aspektet e jetës. Ata të thonë se gjyshi jonë ka jetuar mbi 100 vjeç, ka lindur ne vitin 1884, dhe ndërroi jetë në vitin 1992, duke rrojtur 108 vjeç. Zenel Lloi njihet e mbahet mënd nga bashkë fshatarët dhe njerëzit e tij si një burrë me karakter të fortë, i muhabetit, i zgjuar, mikpritës. Edhe pse ishte mbi 100 vjeç, ai dallohej për një memorie të veçantë e të kthjellët për të gjitha dollitë e ngjarjet, jo vetëm ne fisin e tij, por edhe në tërë fshatin. Në shpjegimin e këtyre ngjarjeve të ndodhura si në fshat e në krahinë, ai shpjegonte rrjedhshëm, si pas kohës dhe vendit të ndodhur, si një cicëron i shkolluar. Nga goja e tij do të dëgjoje fjalë të mira për të gjithë bashkë fshatarë, ai ka ndikuar për bashkimin e ndenjes sa më afër të Vërmikasve si në kohët të vështira, në punë e në halle. Ai ka qenë pjesëtar aktivë në të 3 luftërat qysh në vitin 1914 në luftën kundër monarko fashistët grekë, në luftën e 1920, ku çeta e Vërmikut me pjesëtarët e saj ka luftuar për krah Selam Musait dhe i janë gjendur atij në momentet më të vështira në këtë luftë. Po kështu edhe në LANÇ, ai jo vetëm ishte anëtari i çetës territoriale të Vërmikut, por propaganda atdhetare që mbizotëronte në familjen e tij do të bënte që të 3 djemtë e tij Dervishi, Heqberi, dhe Pashua të lidheshin me këtë lëvizje e të rreshtoheshin me radhët e ushtrisë NÇL. Dervishi ka qenë partizan në Brigadën e 6 Sulmuese dhe ka marrë pjesë në të gjitha luftimet e saj nga Jugu në Veri të Shqipërisë për çlirimin e trojeve shqiptare, edhe matanë kufirit shtetëror. Djali tjetër Heqberi si pjesëtar i forcave territoriale ka marrë pjesë në shumë luftime në zonën e Kurveleshit dhe krahinën e Vlorës. Po kështu, edhe djali tjetër Pashua që në moshë të re 14-vjeç ka qenë pjesëtarë i Brigadës së 12 Sulmuese deri në çlirimin e Shqipërisë. Shtëpia e babait të Zenel Lloit ka pritur çetën e Çerçiz Topullit, i cili në vitin 1908-1910 ka ardhur në fshatin e Vërmikut dhe ka ndenjur një natë në këtë shtëpi. Çerçiz Topulli dhe pjesëtarët e çetës kanë bërë propagandë te banorët e fshatit për t’u ngritur kundër sundimit turk.

Në maj të 1942-shit Mustafa Matohiti, Sekretar i Partisë Komunistë për të gjithë Kurveleshit vjen në fshatin e Vërmikut për t’u folur banorëve për gjendjen e popullit nga pushtimi fashistë italian. Midis disa Vërmikasve, që kanë marrë pjesë në këtë takim në shtëpinë e Difo Brakës, ka marrë pjesë edhe Zenel Lloi. Të nesërmen e këtij takimi Mustafa Matohiti shkon në shtëpinë e Zenelit, zakoni i mikpritjes bën që Zeneli ta presë në mënyrë sa më miqësore e të ngrohtë, duke i dhënë fjalën se jo vetëm fisi i Lloit, por edhe gjithë Vërmikasit do të ishin strehë dhe aktivë në LANÇ. Më pas Zenel Lloi kur Mustafa Matohiti është larguar nga Vërmiku e ka shoqëruar atë dhe shokët e tij deri në vendin e quajtur Buza e Luadhit, në ndarjen administrative të fshatit Nivicë, duke i dhënë me vete edhe një armë. Po në këtë shtëpi nuk ka qenë vetëm burrat që kanë marrë pjesë në lëvizjen dhe luftën NÇL, një ndihmë konkrete ashtu si gjithë gratë vërmikasve kanë dhënë edhe ato të kësaj shtëpie. Kështu Zilfi Lloi gruaja e Zenelit, më 18 nëntor 1943 zgjidhet Kryetare e Këshillit të gruas antifashiste për Vërmikun, e cila së bashku me gratë e tjera Bule Çiraku, Akie Alimuçi, Mamudie Çipi dhe Merduri Kashta do të ishin një mbështetje e madhe, jo vetëm e çetës së fshatit, por edhe i forcave partizane që veprojnë në këtë fshat, si me ushqime, veshje, informacion e gjithçka që ato mundnin. Shpirtin e tij të madh e të dashur e dëshmon edhe fakti se Zenel Lloi ka rritur dy fëmijët e vëllait të tij ( një vajzë e një djalë ) të mbetur jetimë në moshë të vogël. Megjithëse në një moshë jo të vogël dhe i pa shkolluar këto nuk do ta pengonin Zenelin që ai të ishte përkrahës dhe të jepte mbështetjen e tij pas çlirimit të vendit në shumë aspekte të jetës në fshatin e Vërmikut, si në transformimin e jetës për të jetuar më mire, edhe në atë vend të largët, në luftën kundër zakoneve prapanike për fuqizimin e kooperativës, për ndërtimin e shkollës, Vatrës së kulturës, infermierisë, aksionin për ardhjen e energjisë elektrike në fshat dhe për të gjithë mbarëvajtjen e jetës shoqërore e familjare të banorëve të fshatit. Shpirti i tij rinor edhe në moshën 85-vjeçare shfaqet me pjesëmarrjen e tij në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, ku ai do të punonte pa u lodhur për krah të rinjve Pëllumb Alimuçi, Kujtim Mëzuraj, Margarita Selaj, Zenel Alimuçaj, Baki Xhuveli e të tjerë, duke dhënë kështu shembullin e tij se njeriu tërë jetën nuk duhet të pushojë së punuarit e kontribuar në të mirë të shoqërisë e familjes.

Lolo Rrapo Koçerri ka lindu, në 12 mars 1919, në fshatin Vërmik të krahinës së Kurveleshit. Ai rrjedh nga një fis e familje me tradita, që kanë kontribuar në të mirë jo vetëm të fshatit dhe krahinës, por edhe të Shqipërisë, pjesëmarrje me luftën me ushtrinë greke, në vitin 1912, e cila pas sulmit mbi Himarën u drejtua për të pushtuar edhe Kurveleshin, me pjesëmarrjen e ngritjen e flamurit, më 28 Nëntor 1912, në qytetin e Vlorës, me pjesëmarrjen në luftime kundër grekëve për mbrojtjen e Janinës duke dhënë edhe jetën, si Sulo Koçerri, me pjesëmarrjen në luftën e Vlorës më 1920, kundër ushtrisë italiane. Kushtet ekonomike si edhe për shumë bashkë fshatare të tjerë e rëndoi në këtë familje vdekja e babait të tij Rapo Koçerri, duke e lënë Lolon 2-vjeç, duke shtuar edhe më shumë vështirësitë e kësaj familje. Megjithëse se ai ka hyrë në vitin e 100-të jetës së tij, ku për 3 muaj mbush 1 shekull, gjendja e tij shëndetësore paraqitet relativisht e mirë për këtë moshë. Fizikisht është i mbajtur mirë, lëviz pa e ndihmuar njëri, ushqehet vetë, ka memorie të kthjellët dhe të respekton, kur i shkon për vizitë në shtëpi, shikon mirë dhe në raste të veçanta del nga shtëpia për të marrë pjesë në sebepe te të afërmit e komshinjtë e tij. Prej vitit 1993 është larguar nga fshati i Vërmikut e jetojnë në fshatin Babicë e Vogël për një jetë e kushte më të mira. Në ditët e beharit ai del edhe në oborr vetë, duke u marrë edhe me ndonjë punë të vogël. Në memorien e tij janë të ngulitur shumë ngjarje e aktivitete të punës dhe jetës së tij dhe të bashkë fshatarëve të tjerë, të cilat ai na i ka treguar me gojën e tij në një takim me të në familjen ku sot banon. Që në moshën 7-vjeçare ai shkonte pas nënës së tij për të ruajtur bagëtitë. Në vitin 1947 mobilizohet ushtar në Gërhot të Gjirokastrës, duke u transferuar më pas në Burrel dhe në Peshkopi, në repartet e mbrojtjes deri ne vitin 1950. Ai tregon se reparti, ku shërbeu, ishte përndjekje dhe asgjësimin e bandave të diversantëve. Kështu në një rast, tregon ai, nga Mamurrasi u vumë në ndjekje të një bande dhe në Bishtin e Pallës u përplas me armë me bandën. Në këtë përpjekje tregon ai u vranë disa ushtarë tanë, si dhe 2 oficerë, një nga Bilishti dhe tjetri nga Kukësi. Edhe nga pjesëtarët e bandës pati disa të vrarë dhe ata që shpëtuan u hodhën në det, Në këtë përpjekje djaloshi ushtarë nga Vërmiku Lolo Koçerri plagoset në kofshë. Më pas atë së bashku me ushtarët e tjerë të plagosur i transportojnë me qerre për në Shijak dhe më pas i çojnë në spitalin e Durrësit, ku i mbajnë deri sa gjendja e tyre shëndetësore u përmirësohet. Interesimi i komandës së repartit tregon ai ashtu edhe i spitalit, ku qëndruan 40 ditë, ishte shërbimi maksimal ndaj tyre. Pasi del nga spitali, e çojnë në familje me leje dhe përsëri ai kthehet në regjiment, ku komandat ishte Vehbi Abazi dhe komandanti i kompanisë Arif Zano nga Çorrushi i Mallakastrës, për të cilët edhe pse kanë kaluar edhe shumë vite. ai flet me më shumë respekt për ta, këta radhë reparti i ishte dhënë detyrë për të kryer në qafën e Kërrabës në Tiranë. Pas çlirimit nga ushtria me 1950 ai kthehet në Vërmik dhe merret po me blegtori, ku kishin si familje mbi 100 kokë dhi dhe disa lopë, gjatë kohës së luftës tregon ai që disa herë gjermanët me tradhtarët e vendit, të cilët i shoqëronin dhe ju tregonin vendet, tentuan të më merrnin bagëtitë, por unë i fusja në ato vende në mal, ku ata nuk mund të m’i merrnin. Gjatë gjithë jetës time, tregon ai, jam marrë me blegtori, edhe në kohën kur ishim në kooperativë, duke qenë një nga barinjtë më të mirë. Për punë të mirë, të pa lodhur e blegtor i dalluar ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Me sakrificat të shumta ai së bashku me bashkëshorten e tij rritën 7 fëmijë, ku nipërit dhe mbesat e shumta tregon ai ma gëzojnë shpirtin dhe më bëjnë të lumtur. Pasi vendosem në fshatin Babicë të Vlorës me shumë mundim së bashku me djemtë arrijnë të ndërtojnë një shtëpi, ku edhe sot banojnë. Megjithëse ai po mbush 100 vjeç, kur e pyet nga se vuan, ai të përgjigjet me atë qetësinë që e ka karakterizuar gjithë jetën, nuk kam pasur edhe nuk kam asnjë sëmundje. Nuk kam pretendime në ushqime, si pas mundësive kam ngrënë çdo gjë, punës nuk i jam shmangur, përkundrazi, kam punuar sa kam mundur. Kam jetuar gjatë, kam vuajtur shumë, por jeta është e bukur. Kam qenë pa shkollë, por kam pasur shoqëri të mirë dhe më kanë respektuar e i respektoj të gjithë. Kur e pyetëm, a të merr malli për Vermikun, ai përgjigjet, “atje kam nënën, babanë dhe njerëzit e tjerë, më çahet buza për vendin, ku kam lindur dhe rrita”. Edhe në këtë moshë të madhe, ai ruante të gjitha sendet e tij personale, ç’ka tregon edhe përkujdesin e pjesëtarëve të familjes së tij. Ai kishte kartën e anëtarit të shoqatës së Vërmikut, dekorata, karta e identitetit të vjetra, librezën e kryerjes së shërbimit ushtarak, teserën e Partisë së Punës e të tjera. Si pjesëtarët e familjes dhe bashkëfshatarë të flasin për të si një njeri i dashur, i qetë, që iu është gjendur njerëzve në çdo sebep e vështirësi. Por gjëja më e dhimbshme në këtë familje ishte kur shikoje plakën e tij të shtrirë në krevat, e cila ka kohë që është e sëmurë dhe që jetojnë me 150 mijë lekë të vjetra, me pensionin e këtyre dy pleqve, djali dhe nusja e tij si dhe nipi janë të pa punë dhe pa përkrahje ekonomike kanë vetëm një lopë, çka tregon për kujdesin e pakët të shtetit ndaj shtresave të tilla shoqërore. Edhe megjithëse në këto kushte të vështira këtij njeriut që po mbushë 100 vjeç i uroj të ketë shëndet dhe të dëgjojë vetëm të mira. Këta janë njerëz jo vetëm me jetë të gjatë, po edhe model i njerëzve të thjeshtë dhe punëtorë, patriot, të cilët tërë jetën e tyre i kanë shërbyer familjeve, shoqërisë dhe atdheut, e si të tillë meritojnë nderime dhe respekt maksimal, ndaj është pak një shkrim për ta, ata meritojnë shumë e më shumë edhe një roman është pak.