Akademik Vasil S. Tole: Ajdin Asllan Leskoviku, promovuesi i parë në nivel ndërkombëtar i mjeshtrit Petro Luka Halkias (1934-2025)

32
Sigal

Ndarja nga jeta e mjeshtrit të gërnetës epirote Petro Luka Lalkias, na shtyri që të paraqesim një detaj shumë domethënës të marrëdhënieve shqiptaro-greke nisur nga jeta e mjeshtrit Petro. Në autobiografinë e tij, ndër të tjera ai thotë: … pas dasmës, në fillim të viteve ’50, u ktheva përsëri në Athinë. Nxora këngë të tjera dhe pati shume bujë. Pastaj mora një letër nga Amerika me ftesë të shkoja atje për të incizuar një long play.

Dymbëdhjetë këngë, gjashtë nga njëra anë e gjashtë nga tjetra. Më ofronin biletat dhe 1000 dollarë – shumë para. Kështu shkova në Amerikë pak para vitit 1960 – pata kohë të takoj edhe Kennedyn!

Lind pyetja, se kush e ftoi në Amerikë mjeshtrin e ri Petro, djalin e klarinetistit të madh Pericles “Klis” Halkias, nip i këngëtarit, lautarit dhe daullxhiut me dajre Lazaros Harisiades dhe vëllain e violinistit Achilleas Halkias, pra cila qe shtëpia diskografike që do të promovonte mjeshtrin dhe regjistrimet e tij?

Familja e muziktarëve Halkias erdhi në Nju Jork rreth vitit 1960 ku babai dhe xhaxhai i tij u vendosën përgjithmonë aty, ndërsa Petroloukas dhe i vëllai Achilleas qëndruan për afro 20 vjet. Pikërisht në Amerikë ai dhe familja regjistruan muzikë pranë shtëpisë diskografike BALKAN MUSIC RECORDS e themeluar dhe e drejtuar nga muziktari dhe patrioti i madh shqiptar, Ajdin Asllan Leskoviku. Disku LP I prodhuar në vitet 1960, nga Balkan Record Company shënon edhe promovimin e parë ndërkombëtar të Petro Lukës si mjeshtër dhe të muzikës popullore epirote të interpretuar prej tij dhe familjes.

Po cili qe Ajdin Asllan Leskoviku?

Ai kishte lindur në Leskovik me 12 mars 1895 në familjen e madhe muzikore të Asllan Leskovikut, themeluesit të sazeve të Shqipërisë së Jugut dhe vëlla i Selim Leskovikut, mjeshtrit unik të sazeve të Leskovikut për të cilët kam botuar librin “Sazet e Selim, Hafize dhe Ajdin Leskovikut”-2017. Studimet i pati kryer në shkollën turke dhe greke të vendlindjes, pasi nuk kishte shkollë shqipe. Mësimet shqip dhe ndjenjat atdhetare, siç shprehet në shënimet e veta biografike, Ajdini i mori prej prindërve, të cilët i përcollën ndjenjat kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Ndërkohë që mësimet e gjuhës shqipe ai i mori prej patriotit Stefan K. Postenani.

Pas Luftës Ballkanike, Ajdin Asllani dhe familja e tij u vendos në Stamboll të Turqisë. Prindërit, pasi u sistemuan në Stamboll, vendosën që ta shkollonin të birin. Dëshira e tij ishte muzika, prandaj prindërit e regjistruan në shkollën e muzikës, e cila i jepte përveç njohurive teorike edhe mundësi praktikimi. Djali kishte talent dhe prindërit e mbështetën. Më 1915 Ajdini, që tashmë ishte 20-vjeçar e la Turqinë dhe shkoi në Bukuresht të Rumanisë, ku emigracioni shqiptar ishte më i madh në numër, tepër i organizuar dhe vendimtar për formësimin e çështjes kombëtare së bashku me komunitetin shqiptar në Turqi dhe Egjipt. Ajdini edhe në Bukuresht vijoi studimet për muzikë. Në shënimet e veta ai shkruan se: … në Bukuresht punoja në variete për të nxjerrë harxhet dhe për të plotësuar praktikën për të cilën kisha aq shumë nevojë. Në Bukuresht Ajdinit i dhanë kurajë dhe e ndihmuan shumë shqiptarët, por ai veçon ndihmën që i dhanë “Vëllazëria korçare”, Peço Korça dhe Themistokli Bozhani. Ajdini dëgjon se Banda Kombëtare që kishte krijuar “Vatra” në SHBA, së bashku me vullnetarët e stërvitur në Amerikë, po shkonin në Shqipëri. Mori rrugën dhe shkoi në Shqipëri dhe iu bashkëngjit bandës. Këtë moment, vetë Ajdini e përshkruan kështu: “… më 1920, kur banda ‘Vatra’ shkoi në Shqipëri bashkë me vullnetarët, me zjarrësinë që kisha për kombësinë t’onë dhe për vendlindjen time vajta në Shqipëri, ku pa humbur kohë mora pjesë në bandën ‘Vatra’, që në atë kohë u emrua Banda Presidenciale.” Ajdin Asllani qëndroi në radhët e bandës “Vatra” deri në vitin 1926, moment kur merr rrugën e gjatë për t’u kthyer në Amerikë ku qëndroi për gjithë jetën. Aty kompozoi edhe himnin e federatës “Vatra” me poezi të Refo Caparit (1844–1944).

Për më shumë se 25 vjet në Nju-Jork, pas hapjes së një kafe-restoranti, ai arriti që të krijonte dhe të aktivizonte sazet dhe kompaninë e vet tregtare me të cilën prodhonte dhe tregtonte pllaka muzikore në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera të Ballkanit. Kompaninë e tij e kishte pagëzuar me emrin “Balkan Phonograph Record Co”. Është e vërtetuar se ai ishte mjeshtër në shumë instrumente, si: Klarinetë, Oud, llautë, lauto, ishte njëkohësisht instruktor dhe pronar i pavarur. Me mjaft vlerë janë edhe transkriptimet që ai u ka bërë këngëve dhe valleve popullore, një pjesë të të cilave e popullarizoi përmes botimeve që bënte për publikun. Dikur, ai ka pasur edhe një dyqan të njohur, që tregtonte pllaka me muzikë ballkanike. Dyqani ishte në 42 Rivington në anën e ulët dhe me pas, përfundimisht u vendos në “27 street”, mes avenusë së 7-të dhe të 8-të. Prodhimet e tij shënoheshin me iniciale dhe etiketat: “Mi-Re-Rekord Shqiptare” dhe “Balkan Phonograph Record Co”.

Fatkeqësisht Ajdini nuk la pasardhës. Ai ishte një shuminterpretues që kishte lënë gjurmë në jetën muzikore të emigrantëve nga shumë vende të Ballkanit, ndër ta edhe të familjes muzikore Halkias, nga Janina, Greqi për të cilët publikoi një disk me 12 numura muzikore popullore në vitin 1960.

Në fotot shoqëruese gjejmë Ajdin Asllan Leskovikun me Llautë së bashku me mjeshtrin Petro Lluka dhe familjarët e tij si dhe Asllan Leskovikun në materialet promovuese të Balkan Phonograph Records.