Tragjedia “Pirro” e autorit Ethem Haxhiademi në regjinë e Ilirian Llurit

1494
Sigal

Teatri profesionist “Zihni Sako”, Gjirokastër

Në kuadër të Festivalit Mbarë Kombëtar teatror me rastin e 550-vjetorit të Skëndërbeut, Shfaq tragjedinë “Pirro” në Akademinë e Arteve TIRANË, datë 26.09.2018, ora 19.00.

Autori: Hetem Haxhiademi lindi në 8 Mars 1902 në qytetin e Elbasanit dhe vdiq në 18 Mars 1965 në burgun e Burrelit. Gjatë jetës së tij të shkurtër e dramatike autori pati dy kontakte krejt të ndryshme me Gjirokastrën. Gjatë viteve 1933-1936 ai punoi si kryesekretar në Prefekturën e qytetit, ndërkohë që pas çlirimit të Shqipërisë, diktatura e dërgoi të vuajë një pjesë të dënimit në burgun e kështjellës së qytetit. Tragjedia “Pirro” u shkrua prej tij, në vitin 1934 në Gjirokastër. Në një letër që autori i dërgonte Lasgush Poradecit në vitin 1938, mes të tjerash lexojmë:

“Tragjedia Pirro, është vepra ime më e dashtun dhe kam besim të pa tundun se do të mbesi për shumë kohë, kryevepra e Melpomenës shqipe. Dramatika ka gjetë mbarimin tek unë sikundër ka gjetë lyrika ke ty e novela tek Koliqi.”

Me vendosjen në skenë të kësaj vepre në kuadër të “Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut”, duket se kryetarja e Bashkisë së qytetit, Zamira Rami, Këshilli Bashkiak dhe intelektualët e Gjirokastrës gjejnë rastin të nderojnë autorin Haxhiademi, që frymëzimin për ta shkruar këtë tragjedi e gjeti në qytetin e tyre. Stafi realizues falënderon zotin Selaudin Haxhiademi, djalin e autorit, për mbështetjen e dhënë në realizimin e kësaj nisme. Në tragjedinë “Pirro” trajtohet tema e luftës për pushtet. Përmes ngjarjeve me intensitet të lartë dramatik, me anë të të cilit duket sikur autori i jep përgjigje pyetjes që shtrohet në fillim të saj: A mundet të mbretërojnë dy mbretër në brigjet e Epirit? Tragjedia e shkruar në vargje nga autori, është përshtatur në gjuhën letrare nga regjisori Ilirijan Lluri. Ajo është vendosur në skenë në për herë të parë në vitin 1937 nga trupa amatore e teatrit të Elbasanit. Për herë të parë një tragjedi shqiptare dhe aktorët interpretues u ngjitën në dy site të rëndësishme arkeologjike të jugut përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe Misionin Arkeologjik Shqiptaro-Italian. Vepra u interpretua në qytetin antik të Antigonesë, të cilin Pirro i Epirit e themeloi për nder të gruas së tij Antigona dhe në teatrin antik të Adrianopolit, i cili ndodhet në fshatin, Sofratikë, në bashkinë Dropull.