Në Pogradec e në Shën Naum…!

3318
Sigal

Nga Evdal Nuri

1-Pak gjeografi!

Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të mëdhenj të Ballkanit. Ai është më i larti e më i thelli në gadishullin ballkanik . Gjendet në një lartësi mbidetare prej 695 m dhe ka një sipërfaqe prej 349 km². Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen qyteti i Ohrit , Struga e Shën Naumi në Maqedoni dhe Pogradeci në Shqipëri. Liqeni i Ohrit furnizohet me ujë nga burimet e shumta përreth. Një nga burimet më të mëdha gjendet në kufirit shqiptaro-maqedonas pranë Manastirit të Shën -Naumit në Maqedoni. Aty buron uji që vjen nga liqeni i Prespës, niveli i të cilit është 200 metra më i lartë se ai i liqenit të Ohrit. Në anën e Shqipërisë gjendet gjithashtu një burim i madh në parkun e Drilonit pranë fshatit Tushemisht. Uji largohet nga liqeni në drejtim të Veriut nëpërmjet lumit Drini i Zi, i cili rrjedh përmes qytetit të Strugës. Liqeni i Ohrit llogaritet si një nga liqenet më të vjetër në mbarë botën. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri më 5 milionë vjet. Liqeni u krijua nga një shembje e tokës. Këtë e vërtetojnë aktivitetet e shumta tektonike si dhe ekzistenca e një mali prej 100 metrash nën nivelin e liqenit. Liqeni i Ohrit është tërheqës i shumë turistëve vendas dhe të huaj . Pogradeci gjendet në perëndim, kurse Shën- Naumi në lindje të liqenit. Të dy qytete turistike dhe mjaft të bukur.

2-Pak histori, Shën –Naumi Manastiri duhet të jetë ndërtuar në vitin 905 nga Shën -Naumi. Sipas traditës përcillet dhe e ka varrin në kishë. Shën- Naumi dhe Vermoshi janë emrat e dy territoreve ,të cilat Ahmet Zogu, ia dhuroi Jugosllavisë në vitin 1925 (dhuratë, e cila u legalizua në vitin 1926) si shpërblim për ndihmën politike, financiare dhe ushtarake që atij i dha kryeministri serb Nikolla Pashiçi për të shtypur, në dhjetor 1924 qeverinë revolucionare të Fan Nolit dhe për të rivendosur autoritetin e vet pushtetor në Shqipëri. Dimrin e vitit 1924/1925, Jugosllavia me gjithë vendimin e gjykatës , Shën-Naumin nuk donte t’ia dorëzonte Shqipërisë . Komisioni i Kufijve këshillonte që të bëhej një marrëveshje me Jugosllavinë për të shkëmbyer manastirin e Shën-Naumit me një vend tjetër, sepse Shën-Naumi është një shenjt sllav dhe popullsia sllave i jepte një rëndësi morale këtij manastiri. Rreth kësaj çështjeje, midis Jugosllavisë e qeverisë zogiste në Tiranë rrodhi një korrespondencë rreth vendeve që do të shkëmbeheshin si kompensim i manastirit të Shën-Naumit. Qeveria e Tiranës, si kompensim kishte kërkuar disa katunde që ndodhen në fushën e Dibrës afër qytetit që mban këtë emër. Ndërmjetësi i marrëveshjes ishte Komisioni i Kufijve. Jugosllavia këtë propozim nuk e pranoi, sepse qyteti i Dibrës, që i mbetej Jugosllavisë, do të vetmohej krejt prej katundeve më të afërta të tij. Ishin kohë shumë të vështira . Shën -Naumi mbeti jashtë kufijve. Edhe pse ishte disa km larg Pogradecit ndaheshin me tela me gjemba. Kjo vazhdoi për shumë dekada. Shiheshin, por s’mund të flisnin. Mësonin nga të tjerët se si ishte njeri e si tjetri qytet. Por kohërat ndryshuan. Telat me gjemba u hoqën e tani të dy qytetet gëzohen për njeri -tjetrin. Shikojnë ndryshimet e gëzohen me vizitorët që janë të shumtë e që çdo ditë i prekin të dy me përshtypje të mira.

3-Turizmi në Pogradec

Në përgjithësi kalova mirë. Koha mbajti. U njoha më shumë pushues, sidomos të moshës së tretë. Tek hoteli ku pushoja më bëri përshtypje , se burrat në përgjithësi ishin të kërrusur, kurse gratë të shëndosha . U binda për atë që kam trajtuar më parë se: “Gratë ankohen , burrat vdesin”. Temperatura 8- 0 gr.c më e lartë se në Tiranë. Pra s’ndjehet vapa. Për 10 ditë me kursime shpenzova mbi 70.000 lekë baras katër pensione . Jo të gjithë e kanë mundësinë. E theksoj këtë se diku lexova se 65% e familjeve shqiptare për arsye ekonomike s’kanë mundësinë të pushojnë ! Në hotele 30-40 euro vetëm me mëngjes. Në shtëpi private 2500-3000 vetëm fjetje ! Të na rrojnë fëmijët se me çka na jep shteti edhe mundësitë i kemi të kufizuar! Çmimet të “kripura”. Në Drilon një pjatë vetëm me dy peshq belushka ishte 1000, kurse peshkun Koran që gjendet vetëm në këtë leqen e shihje tek dikush tjetër, por s’mund ta shijoje! Në pllakat anash liqenit kishte shume leshterik. Duhej të tregoje kujdes se shkisje dhe e pësoje s’i dy turiste holandez e kolegu im S. Mborja. Atje ku ishin restorantet apo pista, uji kishte ngjyrë të herët nga mbeturinat që derdheshin e s’mund të laheshe. Mbeturinat në kazanët e plehrave pastroheshin në orët e para të mëngjesit, kurse në Shën Naum e kudo pastrohen gjatë natës. Pamjet e më poshtme i përkasin datës 17 Korrik ora tetë, ku njerëzit kishin mbi dy orë që kishin filluar shëtitjen e mëngjesit . Qentë i gjeje në tufa 15-20 së bashku me pushuesit! Pronarët ankoheshin se 30-40% e dhomave ishin bosh. Varfëria ndjehesh dhe tek pushuesit. Kur hanin mëngjesin merrnin diçka për të shtytur drekën apo darkën. Mbrëmja ishte e bukur, por xhirua më e pakët se vitet e tjera. Pronarët ia hidhnin fajin kohës që s’po mbante, por dhe varfërisë. Miku im, Muhameti ka mundur të blejë një shtëpi në Pogradec. Në mbrëmje më sqaroi, duke më treguar dhjetëra pallate që janë ndërtuar paralel me liqenin. Në pallatet me qindra hyrje shihje vetëm disa drita, të tjerat errësirë. Lulishtet ishin të bukura , edhe pse më tepër stola duheshin. Nuk e mohoj se kishte pamje si kjo…!