Sandër Prosi, legjenda e kinematografisë shqiptare

718
Sandër Prosi, mjeku me shikim magjepsës, u bë artisti që, me origjinalitetin e vet, i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve
Në galerinë e një piktori, ruhet ende me fanatizëm që prej prillit të vitit 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar 30 vjet dhe ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto, tani pak kush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekulibri ka humbur shtratin e përhershëm e ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në këto momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër, në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty mori vesh lajmin e kobshëm. 
Ç’farë u fiksua në kamera ato ditë?
Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që nuk luante në një film dhe dëshirohej për një rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte të krijonte një personazh që do të mbetej në mendjen e njerëzve? “Konsultohej çdo ditë për rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë tjetër nga Sandër Prosi”- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.
.
Kush ishte Sandër Prosi?
Sandër Prosi mbaroi studimet për stomatologji, duke qenë profesionalisht larg artit dramatik, por brenda dhimbjes artistike të njeriut. Kjo do ta shtynte drejt skenës për të depërtuar në karaktere dhe figura historike dhe artistike, të cilat do të nxirrnin në pah aftësinë e tij për t’i tejkaluar ata dhe për t’i bërë pjesë të karakterit të vet. Burri me pamje fisnike, do të thirrej herë pas here me emra të ndryshëm dhe do të linte mbresa të veçanta për spektatorët, duke sjellë para syve të tyre Abdyl Sharrën, kapitenin e Bigës, dr. Kristo Borovën, peshkatarin Vranen, Jaho Labin, profesorin, Miti Vozarin, Sefedinin, Dhaskal Todrin, Ismail Qemalin, prof. Mirushin, kolonelin Xhon, Brunon, Markun, gjeneralin, Pilo Mullixhiun etj.
Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film. Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël, ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm, që u bë artist i madh. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Më vonë, ai luajti në mjaft filma të suksesshëm, si: “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Mëngjese lufte” , “Yjet e netëve të gjata”, “Në fillim të verës”, “Fijet që priten” , “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni” , “Udha e shkronjave”, “Plaku dhe hasmi”, “Kush vdes në këmbë”, “Detyrë e posaçme”, “Oshëtimë në bregdet”, “Guximtarët”, “Shtigje lufte”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Njeriu me top”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Plumba perandorit” etj.
Sandwr Prosi , si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, është nderuar me disa çmime, kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës. Kështu, në vitin 1975, ai u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë, për rolin e Jaho Labit në filmin “Në fillim të verës”. Realizimi i figurës së Ismail Qemalit, ishte imponuese, kështu që ai u nderua me Medaljen e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Për mëse tre dekada krijoi mbi 80 role në 75 vepra të autorëve të huaj dhe tanët. Por klasi i lartë i tij bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit: trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës.
Thanë për Sandër Prosin 
Vangjel Gjikondi: Mbetet i pavdekshem
Ishte artist i gjithanshëm. Me origjinalitetin e vet, ai i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve. Me të mund të flisje për gjithçka, për të gjithë artet, e për të gjithë gjërat që shqetësojnë një njeri. Ai njihte autorët e ndaluar dhe veprat e ndaluara me përsosmëri. Diskutonte me pasion për filozofët e mëdhenj dhe e donte shumë Niçen. Ndërsa nga muzika klasike pëlqente më shumë Vagnerin. E të mendosh se në atë kohë të dëgjojë muzikën e tij, ishte si të dënoje vetveten.
Ilia Terpini: Sandri, një artist i madh që vdiq i varfër
Është një nga figurat më të talentuara të artit teatral dhe kinematografik shqiptar. Karakteristikë kryesore e Sandrit ishte se ai punonte me shumë pasion. Përveç se ai ishte një kollos i artit, dinte të ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Kam patur fatin të punoj me të në disa filma. Mbresat i kam ende të gjalla. Mjaft të kujtoj “I teti në bronx” ku Sandri kishte rolin e doktorit, një rol shumë i vështirë e kompleks. I duhej të kuronte ushtarë gjermanë, kur në familje strehonte një partizan. Kishte një dhëndër që i përkiste forcave regresiste. Imagjino se në ç’rreth duhej të vërtitej ai për të nxjerrë figurën e tij komplekse. Do të doja ta krahasoja me aktorin francez Zhan Gaben tek “Të mjerët”. Ai dallohej në interpretimet e tij por edhe jetën e jetonte si t’i vinte. Ndaj edhe ishte shumë i vërtetë në rolet e tij. Më vjen keq vetëm për një gjë, që një artist kaq i madh sa ai vdiq, dhe vdiq i varfër”.
Disa nga filmat ku ka luajtur
“Vitet e para”
“Horizonte të hapura”
“I teti në bronz”
“Mëngjese lufte”
“Yjet e netëve të gjata”
“Në fillim të verës”
“Fijet që priten”
“Përballimi”
“Gjeneral Gramafoni”
“Udha e shkronjave”
“Plaku dhe hasmi”
“Kush vdes në këmbë”
“Detyrë e posaçme”
“Oshëtimë në bregdet”
“Guximtarët”
“Shtigje lufte”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Njeriu me top”
“Vajzat me kordele të kuqe”
“Plumba perandorit”, etj.
Sigal