-Impresione-
Naxhi Kasoruho
“Mjeshtër i Madh”

Ishte shtatori i vitit 1983 kur e pashë për herë të parë Katina Bejlerin në skenën e kalasë historike, në sofrën e këngës, në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.
Ishte një vajzë e re, që sapo kish mbushur 17 vjeç kur me zërin e saj brilant emocionoi publikun artdashës, që e duartrokiti me dashuri këtë “meteor” të ri që zbriti nga “qielli i këngës” në skenën magjike të Festivalit të Gjirokastrës. Katina Bejleri nis kështu rrugëtimin e jashtzakonshëm të interpretimit të këngës polifonike të Himarës, Pilurit dhe trevës së Bregut duke u kthyer në simbol si polifone e papërsëritshme dhe e pakrahasuar me askënd tjetër e ndoshta do të presim edhe shumë vite e dekada deri sa të zbresi një tjetër “meteor i shndritshëm” në polifoninë shqiptare.
Në këto katër dekada të rrugëtimit të saj me këngë në buzë Katina këndonte në mbi 3500 koncerte si askush tjetër në skena, podiume, festa lokale dhe kombëtare, në festivale e aktivitete artistike në gjithë qytetet e vendit dhe deri në shtete të ndryshme të Europës e mirëpritur dhe duartrokitur për talentin e zërin e bukur dhe këngët e saj, ku përcjellin mesazhe dashurie për popullin dhe atdheun që i do aq shumë.

Gjatë këtij viti rrugëtimi i polifonisë dhe polifonëve u ndal në tre stacione festivalesh nga Piluri i Lefter Çipës me “Bejkë e bardhë“ në Festivalin Folklorik Kombëtar në kalanë madhështore të Gjirokastrës, në panteonin e folkloristikës shqiptare, në sofrën e këngës dhe në Libohovën e Shamishasë, kardilarëve dhe Avni Rustemit ku u befasua edhe Bajroni kur qëndroi aty në vitin 1809. Në këto stacione të trashëgimisë tonë kam patur fatin dhe unë të emocionohem nga zëra brilantë të korifejve të këngës dhe veçoj për zërin e bukur të veçantë e të papërsëritshëm, Mbretëreshën e Polifonisë Katina Bejleri.
Për të arritur në këto nivele të sotme të interpretimit të polifonisë Katina Beleri qysh në fëmijërinë e saj u përkund me këngët e Neço Mukës, korifeut të legjendës të këngës himariote që i dha jetë, zë dhe popullaritet të jashtëzakonshëm kësaj perle të folkloristikës tonë qysh 90 vjet më parë kur realizoi pllakën e parë të gramafonit në Parisin e largët. Katina duke u rritur në prehërin e gjyshit të saj Koço Çakali një nga polifonët e mirënjohur të këngës himariote do të bashkonte në zërin e saj aromën dhe flladin e malit të Çipinit, dallgët e detit dhe shpirtin e këngës të himariotëve të saj të dashur, duke sjellë në polifoninë tonë një zë hyjnor, të bukur dhe emocionues që të mrekullon kur e dëgjon.
Kështu më ndodhi edhe mua në 6 dhjetor 2023 kur e dëgjoja përsëri me respekt dhe dashuri në Festivalin e Polifonisë në Libohovë ku juria ku bëja pjesë vendosi unanimisht dhe i dha Katina Bejlerit çmimin e madh “Zëri më i bukur i festivalit”, që mbante emrin e legjendës së polifonisë Neço Muka. Janë të shumta këngët që ka kënduar dhe këndon Katina Bejleri nga fillimet e saj si polifone e këngës himariote, por për bibliografinë e saj në këto katër dekada do të sjellë në kujtesën tuaj këngën e parë “Llaj çobani” të kënduar në Festivalin e Gjirokastrës të vitit 1983 dhe me rradhë “Thëllëza që shkel mbi vesë“ e deri tek “Vajza e valëve” si simbol i këngës himariote.

Për Katina Bejlerin ka çmime të shumta deri tek titulli “Mjeshtër i Madh” si dhe vlerësime të larta me superlativa nga korifejtë e muzikës shqiptare nga kompozitori i madh Tish Daija, dirigjenti dhe udhëheqësi artistik Haxhi Dalipi i grupeve folklorike të rrethit të Vlorës, që promovonin në Festivalin e Gjirokastrës dhe shumë personalitete deri vlerësimi masiv i publikut artdashës, që i ngritur në këmbë e duartrokiste me tërë dashurinë e shpirtit.
Por ai që do të ishte profesori i të gjithë grupeve të Bregut e rrethit të Vlorës dhe Katina Bejleri do të ishte Princi i Polifonisë “Nderi i Kombit” i paharruari Lefter Çipa që i gdhëndi me gërma të arta fjalët e këngëve që i këndonin polifonët e Bregut dhe që ka krye këngë: “Këngët e Atdheut tim,/ Janë ilaç, janë shërim”.
Le të jetë ky shkrim një kartolinë urimi për Katina Bejlerin me rastin e Vitit të Ri 2024 me urimin: “Mos t’u harroftë kurrë kënga o Katina Bejleri e Bregut, vajza e valëve, Mbretëresha e Polifonisë”.



















