Prof. Emil Lafe: Fjalorët latinisht-shqip dhe latinishtja në shkollat shqiptare

1139
Më 15 janar, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës u zhvillua konferenca shkencore me temë “Fjalorët latinisht–shqip dhe latinishtja në shkollat shqiptare”. Me këtë veprimtari organizuesit e saj, Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja hapin një program më të gjerë konferencash shkencore me temën kuadër, “Leksikografia shqipe dygjuhëshe: gjendja, problemet, perspektivat”. Në konferencë morën pjesë anëtarë të Shoqatës, pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si dhe dekania e këtij Fakulteti prof. Klodeta Dibra. Fjala e hapjes u mbajt nga prof. Emil Lafe; u mbajtën fjalë përshëndetëse nga prof. Raullilo, zv.dekan i Fakultetit dhe prof. Zeqirja Neziri (Universiteti i Shkupit). 

Programi i konferencës përmbante një varg kumtesash nga pedagogë dhe studiues si më poshtë: Xhevat Lloshi (Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave), “Fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit si vepër leksikografike dhe si përmendore e gjuhës shqipe”; Zeqirja Neziri (Universiteti i Shkupit), “Personaliteti i Frang Bardhit”; Nermin Basha (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë), “Fjalorët latinisht–shqip nga Frang Bardhi deri në ditët tona: vështrim i përgjithshëm dhe detyra të reja”; Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë), “Botimet dhe studimet për fjalorin e Frang Bardhit”; Albert Riska (Universiteti i Elbasanit”Aleksandër Xhuvani”); “Fjalë shqipe të gjalla dhe fjalë të bjerra nga fjalori i Frang Bardhit”; Mustafa Ibrahimi (Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë), “Frazeologjia dhe fjalët e urta në Fjalorin e Frang Bardhit”; DanielaS toica – Anila Maxhe (Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë), “Mësimi i latinishtes në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë”; Eliana Paço (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë), “Fjalori i madh latinisht–shqip (dorëshkrim) i Henrik Lacajt dhe mundësitë e përgatitjes së tij për botim”; Elona Gjata, “Zanorja ë e patheksuar në Fjalorin latinisht-shqip të F. Bardhit”.

Në konferencë u paraqit i përkthyer shqip për herë të parë edhe një artikull i latinistit të njohur Henrik Lacaj (1910–1991) “Mësimi i latinishtes në Shqipëri dhe latinistët shqiptarë”, i botuar së pari gjermanisht në një revistë gjermane (1961). Kumtesat dhe diskutimet e konferencës sollën vëzhgime, analiza e të dhëna të reja për punën e Frang Bardhit, për vlerat dhe veçoritë e fjalorit të tij latinisht-shqip, për rëndësinë e tij si dëshmi e gjuhës shqipe të shek. XVII, për ribotimet dhe studimet rreth këtij fjalori, për personalitetin e Frang Bardhit si veprimtar i paepur për liri, për ndjenjat e krenarisë kombëtare të tij, për meritat si historian, mbledhës i folklorit dhe i të dhënave etnografike. U sollën gjithashtu të dhëna me interes për mësimin e latinishtes në Shqipëri, për fjalorët latinisht-shqip të hartuar deri tani, duke përfshirë fjalorët e mbetur dorëshkrim, dhe u theksua nevoja e shkollave të larta dhe e institucioneve shkencore për më shumë specialistë të cilësuar të gjuhëve klasike. Në konferencë u vu në dukje roli i fjalorëve dygjuhësh për saktësinë e shprehjes në përkthimet, për zhvillimin e interkulturalitetit, për pasurimin e gjuhës shqipe dhe për të penguar hyrjen në përdorim të fjalëve të huaja të panevojshme.

 U shtrua si detyrë që gjuhësia shqiptare ta drejtojë vëmendjen në një fushë shumë të rëndësishme, por të mbetur thuajse vetëm në nivel empirik, siç është leksikografia dygjuhëshe, e lëvruar kryesisht nga individë të pasionuar. Studimet dhe përgjithësimet teorike në këtë fushë do të ndihmojnë që të rritet cilësia e fjalorëve dhe të shtohet llojshmëria e tyre, në mënyrë që ata të përmbushin më mirë kërkesat në rritje të shkollës dhe të publikut të interesuar në gjithë hapësirën shqiptare. Për këtë Shoqata dhe Fakulteti kanë marrë përsipër të organizojnë një projekt studimor afatmesëm me pjesëmarrjen edhe të departamenteve të gjuhëve të huaja, në universitetet e tjera shqiptare dhe gjithashtu të organizmave dhe specialistëve të tjerë të interesuar.

Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare
Sigal