Prof. Luftulla Peza: Dhjetori 1990 dhe shpresa e humbur

811
Dhjetori i vitit 1990 është përvjetor mjaft i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve: U rrëzua regjimi i vjetruar komunist, për t’u zëvendësuar me regjimin demokratik të qeverisjes. Studentët e Tiranës, si pjesë e popullit shqiptar, të pakënaqur me kushtet e jetës, me mungesën e lirisë dhe të drejtës së fjalës dhe të mbyllur brenda kufirit shtetëror, filluan revoltën me kërkesat e tyre fillimisht ekonomike, që më pas u pasuan me kërkesa për pluralizëm politik. Kjo shënoi shkërmoqjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe fillimi e rendit pluralist. Kjo ka rëndësi të madhe politike për vendin, që ende nuk është studiuar plotësisht nga historiografia jonë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, përmendet si fenomen me rëndësi kombëtare dhe arritja e saj më e rëndësishme ishte vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri. Kështu Lëvizja Studentore e dhjetorit 1990 hapi kapitullin e ri në historinë tonë, të ndërtimit të shoqërisë pluraliste demokratike, nën shembullin e demokracive perëndimore, kryesisht ShBA. 

Kjo aspiratë e pastër plot ndjenja të dashurisë për vendin e shumë vuajtur dhe popullin fukara dhe të demokratizimit të jetës nën shembullin e demokracive perëndimore, shoqëruan lëvizjen studentore të dhjetorit nga fillimi në fund. Por kjo lëvizje nuk ishte e vetme dhe e para e llojit të vet në vendin tonë. Ajo as nuk erdhi nga qielli. Disa revolta të popullit, që e lodhën, e dobësuan dhe e krisën regjimin totalitar e paraprinë atë. Shpejt, pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985, në Shqipëri vihen re ndryshime të rëndësishme: Situata ekonomike e popullit në fshat dhe qytet u vështirësua më tepër, radhët e gjata për vezë, perime, mish etj. shiheshin kudo. Fshatari nuk kishte prodhime për të shitur, nuk prodhonte gjë. Me ligjet në fuqi ai nuk kishte as tokë dhe as të drejtë të mbante as pula. Mungesat ekonomike dhe politike sollën rritjen e pakënaqësisë së popullit dhe frikën e udhëheqjes komuniste. Prandaj masat e rrepta shtrënguese të regjimit pësuan zbutje, që në jetën e vendit nuk sollën dobinë e premtuar. E njihja mirë gjendjen në të gjithë vendin, si gjeolog punoja në malësinë e veriut, Shkodër, Kukës, Tropojë, Korçë, Malësinë e Llogarasë, Elbasanit, Krujës etj., ku kisha parë varfërinë e madhe dhe pakënaqësinë e thellë dhe në rritje të popullit. Ishte koha, kur nuk mund të flisje, sepse kudo kishte provokatorë dhe spiunë, por në heshtje i dënoja të gjitha dhe u jepja kurajo njerëzve. Gjatë vitit 1987 u kap një grup, që përhapte trakte anti-qeveritare në Shqipërinë e Veriut, që bënte thirrje për kryengritje të përgjithshme. Në këtë kohë së bashku me shokun tim D. Shkupin përgatitëm një trakt anti-qeveritar: “POPULL NGRIHU”, që me ndihmën e një inxhinieri, shef reparti në shtypshkronjën “Mihal Duri”, do ta shtypnim dhe më pas do ta shpërndanim.

 Nuk mundëm ta bëjmë këtë punë nga arrestimet e bëra atë kohë dhe kontrollet e forta që u vunë në shtypshkronjë. Shpirti revoltues i popullit ishte në ngjitje, kërkonte jetë më të mirë dhe liri më të mëdha. Gjatë vitit 1989 filluan grevat ekonomike në Kavajë. Punëtorët e Fabrikës së Qelqit dhe punëtorë të tjerë të Kavajës kërkonin përmirësim të kushteve ekonomike në mënyrë masive. Kërkesat e tyre vunë në lëvizje udhëheqjen e lartë të PPSh, por pa e zbutur situatën. Këto ditë në muret e pallateve në sheshin qendror të Kavajës, aty ku sot është bashkia, u shkrua parulla me germa të mëdha: “O Enver – O Hitler”, që shprehnin pakënaqësinë dhe urrejtjen për regjimin totalitar. Është fatkeqësi, që kavajasit e rinj nuk e dinë rëndësinë e veprës së baballarëve të tyre dhe as që i përkujtojnë këto data. Pakënaqësia më e fortë për regjimin u shpreh, më 3 korrik 1990, kur rinia e Tiranës dhe më pas nga e gjithë Shqipëria, çau gardhet e policisë dhe mbushi ambasadat e huaja në Tiranë. Hapja e ambasadave ishte goditja më e rëndë për regjimin në fuqi, prandaj shpejt udhëheqja komuniste mori masat diskriminuese dhe shtrënguese. Intelektualë të njohur të Tiranës u vunë në shërbim të udhëheqjes, duke i mallkuanr në televizion dhe mitingje të gjithë ata që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja, me fjalët fyese “jashtëqitje e kombit”. Plus kësaj nëpër lagje filluan mbledhjet e kolektivit, për të dënuar prindërit e të rinjve, që kishin hyrë nëpër ambasada. 

Ato ditë të nxehta korriku takoj në rrugë vajzën e hallës, Sofijen, e cila sapo më pa, filloi të qajë. E dija që dy djemtë e saj kishin hyrë në ambasadën gjermane dhe mendova se kishte shqetësim djemtë. Por ajo me lot në sy më tregoi, se sapo kishte mbaruar në lagje mbledhja e frontit, ku atë e kishin demaskuar si grua që nuk ka edukuar djemtë e saj, që po veprojnë kundra partisë dhe shtetit. Ajo ishte gjithë frikë nga ndonjë internim i mundshëm dhe për fatin e djemve. E mora në qafë Sofijen për ta ngushëlluar dhe i thashë, “Mos ki frikë se këta tashti nuk kanë më forcë të internojnë njerëz. Edhe djemtë tuaj do të shkojnë në Gjermani dhe do të jetojnë shumë më mirë se këtu dhe do të ndihmojnë ty”. Sofia fillojë të më puthë dhe të më falënderojë për fjalë t e ngrohta dhe e pashë që e ngriti kokën lart. Në gusht 1990, dy të rinj shkodranë marrin guximin të arratisen nga fshati Pentar në buzë të Bunës. U rrethuan nga forcat e kufitare dhe njësitë e sigurimit në gërmadhat e fshatit të vjetër. Kur e panë veten të rrethuar lajmëruan se janë dorëzuar. Megjithë këtë komandantët e forcave të sigurimit urdhëruan vrasjen e tyre dhe më pas trupat e tyre i shëtitën me kamion nëpër rrugët e qytetit, për t’i shtënë frikën popullit. Edhe në luftë robërit nuk vriten, por dy të rinjtë u vranë dhe më pas trupat e tyre u poshtëruan nëpër qytet. Vrasësit asnjë herë nuk u dënuan dhe sot punojnë në organet e Ministrisë së Brendshme shqiptare. Por fajin e kanë prindërit e dy të rinjve, që nuk kërkojnë të vihen vrasësit para ligjit. Në Shkodër në vjeshtë të vitit 1990, disa të rinj kishin filluar përgatitjet për rrëzimin e bustit të Stalin, që ishte vendosur në qendër të qytetit pranë Kafes së Madhe dhe këtë e kishin bërë publike. Sigurimi i shtetit e dinte këtë aksion të planifikuar për datën 11 janar 1991 dhe kishte vënë kamera për të filmuar ngjarjen. 

Dhe kështu ndodhi, më 11 janar aktivistët morën litarin për të rrëzuar bustin, por në këtë kohë ndërhyjnë forcat e rendit, arrestojnë organizatorët. Të gjithë u rrahën barbarisht dhe i sollën në Tiranë, ku u dënuan me burgime të gjata. E kam ndjekur nga afër këtë aksion të rinisë shkodrane dhe pashë trimërinë e tyre, që nuk u trembën aspak nga arrestimet. Këto qenë disa grimca heroike të popullit tonë, që i kam ndjekur nga afër dhe i ruaj në kujtesën time, që kanë ndodhur para dhjetorit 1990. Këto veprimtari antikomuniste kanë rëndësi të madhe politike, prandaj duhet të kujtohen me nderimet më të mëdha, sepse aktivistët që i bënë ata qenë trima të mëdhenj dhe u mbështetën nga populli. Këto vepra revolucionare e plasaritën regjimin komunist shqiptar dhe i dhanë zemër dhe i hapën rrugën lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, nuk ishte akt i shkëputur, por vazhdim i kësaj ndjenje popullore të rëndësishme antikomuniste në Shqipëri. Gjendja mjaft e vështirë ekonomike dhe politike në vend dhe ndryshimet politike në vendet ish-socialiste i dhanë shtysë shoqërisë shqiptare të lëvizte për të dalë nga kriza e thellë. Lëvizja studentore pat si parrullën “Liri – Demokraci”, që ishte qëllimi i saj kryesor. Në sajë të kërkesave të kësaj lëvizjeje, më në fund në Shqipëri u vendos pluralizmi dhe mundësia për tu shprehur i lirë. Lëvizja studentore dhjetor 1990 ka rëndësi të madhe, sepse në sajë të saj dhe të gjitha lëvizjeve të tjera në vend në Shqipëri u vendos pluralizmi politik dhe jeta e shoqërisë u bë më e lirë, Shqipëria ju hap botës dhe filloi lëvizja e lirë jashtë shtetit etj. Por me vendosjen e pluralizmit politik dhe me krijimin e partive politike, jeta në vend mori drejtim tjetër dhe kërkesat e studentëve shpejt u venitën. Në partitë politike të sapokrijuara u bë luftë e ashpër për të zënë vendet drejtuese, që më pas të vinin privilegjet. Shpejt u harrua parrulla Liri-Demokraci për të gjithë popullin.

Ajo u kthye në luftën për vendet drejtuese në parti dhe shtet, për të siguruar sa më shumë fitime personale. Partitë politike shqiptare nuk u krijuan nga studentët dhe aktivistë të lëvizjeve popullore për Liri-Demokraci, as edhe nga ata që kryesuan veprimet antikomuniste para dhjetorit, por nga zyrtarë dhe në zyrat e PPSH, sepse ajo donte ende të ruante ndikimin e saj në jetën politike të vendit. Këto i kanë vërtetuar R. Alia, S. Pullumbi dhe Xh. Gjoni, ish-zyrtarë të lartë të PPSh në intervistat e tyre, por dhe fakte të tjera të pamohueshme. Nga kjo, në drejtimin e këtyre partive nuk erdhën studentë dhe individë të devotshëm për demokracinë, që drejtuan lëvizjen studentore me shpirtin, për t’i sjellë vendit LIRINË DHE DEMOKRACINË. Në krye të partive të reja politike erdhën karrieristë dhe egoistë të zgjedhur nga KQ i PPSh, për të siguruar asaj pushtetin, që më pas degjeneruan në përvetësues të pasurisë kombëtare. Në fillim qeveria F. Nano- G. Pashko filloi zbatimin e programit “terapia së shokut në ekonomi” dhe me këtë ekonomia shqiptare, uzinat, fabrika, kombinate, minierat etj. filluan të shkatërrohen deri sa u rrafshuan. Këto vepra të rëndësishme për ekonominë e vendit shiheshin nga zyrtarët e rinj dhe politikanët egoistë si vepra komuniste me qëllim të caktuar. Janë të njohura thirrjet e A. Hajdarit për të shkatërruar çdo gjë të ndërtuar gjatë socializmit, sepse vetëm kështu, mendonte ai, mund të rrëzohet regjimi komunist.

 Duke shkatërruar ekonominë, u bë më i lehtë përvetësimi i saj, por u krijua papunësia e madhe, që ata me demagogji ja faturuan regjimit që po largohej. Zgjedhjet e para pluraliste më 1992 sollën në pushtet Partinë Demokratike. Populli i lodhur me PPSH dhe pasuesen e saj PS votoi ndryshimin e pushtetit, që i kushtoi shumë shtrenjtë. Pushtetin e morën në dorë karrieristët dhe egoistët, që për interesat e veta i harruan premtimet e marra gjatë fushatës elektorale. Lufta për pushtet midis krerëve të PD dhe PS polli kolapsin 1997, që tundi themelet e shoqërisë shqiptare. Kjo ishte dhurata më e madhe që i sollën vendit dy partitë PS dhe PD, që polli pluralizmi dhe kryesuesit e tyre. Në zgjedhje pluraliste 1992 ende pata besimin në arritjen e demokracisë dhe kam qenë kandidat për deputet në Kuvendin Shqipërisë nga krahu i PD, por shpejt u binda në luftën e brendshme për të zënë poste drejtuese jo për të ndërtuar vendin dhe mirëqenien e popullit, por për ta zhvatur atë. PD dhe aleatët e saj sapo erdhën në pushtet e mbushën administratën me partizanët e tyre, filluar nga rojet e objekteve e deri në krye. Vetëm në Shqipëri kanën ndodhur shkatërrime masive dhe të mëdha, të papara në Europë: Si shkatërrimi i vitit 1997, vjedhja e thesarit të Shqipërisë, vjedhja e flotës detare, vjedhja e flotës ushtarake ajrore, shkatërrimi i bazës ushtarake të Pasha Limanit, vjedhja e 230 milionë eurove në Rrugën e Kombit, vjedhja dhe tragjedia e Gërdecit, falja Greqisë të qindra kilometra katror nga deti shqiptar, vjedhja e 7.3 milionëve lekë në Bankën e Shqipërisë, vjedhjet marramendëse në dogana, CEZ, shëndetësi etj. etj. dhe asnjë njeri nga përgjegjësit nuk u vu para drejtësisë…
Sigal