Gjendja e grave në strehimet e refugjatëve, duhet të mbrohen nga sulmet seksuale

516
Gratë dhe vajzat në strehimet e refugjatëve duhet të mbrohen më mirë nga sulmet seksuale. Shpesh në strehime mungojnë edhe gjërat praktike, si dhomat e ndara të gjumit dhe WC-të e ndara.
Sigal

“Këtë duhet ta shohim më mirë”, thotë ministrja e Grave, Manuela Schwesig (SPD) kur flet për situatën e grave dhe të vajzave në strehimet e refugjatëve. Strehimet shpesh janë të tejmbushura, burrat dhe gratë flenë në një dhomë ose përdorin të njëjtat pajisje sanitare. Herë pas here ka raporte për sulme seksuale ndaj grave, që përbëjnë një të tretën e azilkërkuesve në Gjermani. Sa i madh është numri i sulmeve, këtë ministrja nuk mund ta thotë. “Çdo sulm është një sulm që nuk duhet të ndodhë”, thotë ajo.

Mungojnë edhe statistikat e besueshme për atë se sa gra vijnë vetëm në Gjermani dhe sa me bashkëshortin ose anëtarë të tjerë të familjes. Por për Schwesig është e qartë se nevojat e posaçme të grave në strehime deri tani nuk respektohen si duhet. Gratë kanë marrë arratinë prej luftës, terrorit dhe shtypjes dhe shumë prej tyre e përjetojnë dhunën edhe në ikje e sipër, thekson ministrja. “Këto gra kanë nevojë për mbrojtjen tonë”.

Çertifikatë për sjellje të mirë për ndihmësit e refugjatëve

Në praktikë, këto mund të jenë dhoma ndenjieje për gratë në strehime, pajisje sanitare të veçanta ose një strehim ndaras i nënave me fëmijë. Një program investimi prej 200 milionë eurosh, të cilin qeveria gjermane do ta zbatojë që prej marsit, do të ofrojë ndihmë për këtë situatë. Përsa i përket përkujdesjes për fëmijët, qeveria gjermane synon të mbyllë një boshllëk: të gjithë ndihmësit në strehimet e refugjatëve në të ardhmen duhet të paraqesin një dëshmi për sjelljen e tyre, në të cilën të jenë shënuar dënimet e mëparshme – si p.sh. për vepra penale seksuale. Në përgjithësi, personeli në strehimet e refugjatëve do të sensibilizohet dhe shkollohet për këtë temë.

Qasja te oferta për ndihmë

Kur në strehimet e refugjatëve gratë bëhen viktima të dhunës seksuale ato shpesh nuk dinë kujt t’i drejtohen. Këtë e ngarkuara për Integrimin, Aydan Özoguz kërkon ta ndryshojë – me informacione të caktuara për ndihma. “Këtu kemi të bëjmë me një fushë shumë të ndieshme, e cila ka të bëjë edhe me përvoja gjuhësore dhe kulturore dhe kësaj fushe ne do t’i kushtohemi si duhet tani”, thotë Özoguz. Që tani është ngritur një linjë direkte telefonike, e cila punon njëzetekatër orë në ditë. Gratë e prekura i këshillojnë në 15 gjuhë të ndryshme. Informacione si këto do të shpërndahen në të ardhmen më fort në strehimet e refugjatëve.

Edhe në kurset e integrimit duhet të bëjë pjesë tema e barazisë gjinore, kërkon ministrja Schwesig. “Ka rëndësi që ta dinë të gjithë meshkujt se pikërisht çështja e barazisë gjinore është shumë e rëndësishme në kodin tonë të vlerave”, thekson politikania e SPD.

(DW)