Prof.Dr. Ago Nezha/Dritëroi, njeriu që lëshon dritë për të gjithë

595
Sigal

PORTRET/ Madhështia e njeriut, qëndron te imazhi popullor, jo vetëm te veprat e tij, por edhe te figura,

Dëshira, dashuria  dhe kënaqësia për të shkruar portrete për njerëz të mëdhenj që i kanë dhënë dhe i japin dritë kombit, është e pakufishme. Nuk është thjesht një obligim, por është edhe një përgjegjësi e vështirësi  e madhe për të skalitur figura të tilla, që në imazhin popullor janë ikona të mençurisë, modestisë, madhështisë, patriotizmës dhe atdhedashurisë, siç është personaliteti i shquar i letrave shqipe Dritëro Agolli. Por e marr kurajën ta nis këtë ndërmarrje, me besimin  se edhe ato që s’do të mund të arrij t’i transmetoj unë në këtë shkrim, nuk do ndihet mungesa e tyre, sepse vlerësimet për Dritëroin, janë të shkruara nga çdo person dhe janë gati t’i thonë gjithë mendjet dhe zemrat popullore,  ashtu natyrshëm, pa qëndisje e stisje letrare. Madhështia e njeriut, qëndron te imazhi popullor, jo vetëm te veprat e tij, por edhe te figura, personaliteti, integriteti, dinjiteti njerëzor, afria me njerëzit e thjeshtë, etj..

Dritëroi dhe emocionet

Nuk kam ndeshur qoftë edhe një njeri, që ka takuar Dritëro Agollin dhe të mos ketë përjetuar emocione, mbresa të bukura, kujtime të këndshme, mësime të vyera, që kanë ngelur të pa shlyera në ndërgjegjen e vet. Imazhi i njerëzve të mëdhenj të tundon, por edhe të mundon psikologjikisht, se si do mund të komunikosh e bisedosh duke qëndruar në lartësi  të pabarabarta, me diferenca të mëdha kulturore, krijuese, por edhe moshore. Kur kërkon të ngjitesh një mali të lartë, krahas kuriozitetit, ke edhe sikletin se si do të arrish deri në majë të tij. Shpesh herë njeriu, djersitet jo vetëm nga vapa e nxehtë e korrikut, por edhe nga  sikleti kur ndodhet para figurave të shquara të kombit. Këtë ankth të pazakontë,  e rrëzon madhështia e dritës që lëshon gjatë bisedës i madhi Dritëro Agolli. Me madhështinë e tij, që shkrihet si një copëz akulli nga ngrohtësia e bisedës, me modestinë, mençurinë dhe mirësinë e tij që përcjell ndaj kujtdo që i rri pranë, pa u kuptuar, shumë shpejt,ndihesh si i barabartë me këtë gjeni të letrave shqipe dhe të mendimit të mençur popullor. Atë  e duan shumë njerëzit e të gjitha shtresave dhe krahinave të Shqipërisë.  Intelektualët dhe fshatarët, labët dhe malësorët, korçarët dhe shkodranët, myzeqarët dhe kosovarët, nga të gjitha trevat shqipfolëse.  Siç shkruan vetë Dritëroi, “ai thotë se, unë e mbaj shpirtin gjallë me dashurinë e njerëzve . Unë kam miq, vazhdon ai, që më vijnë në shtëpi  e nuk më lenë të mërzitem, sepse sjellin me vete  ndonjëherë edhe ndonjë shishe me raki. Bashkëbisedojmë për gjëra të ndryshme, e kështu kalon koha”.

Shtëpia e Dritëroit

Shtëpia e Dritëroit, është me dyer të hapura, muze familjar, që vizitohet në çdo kohë të ditës nga të gjitha shtresat dhe rrymat, të majtë e të djathtë, komunistë e ballistë, socialistë e demokratë (në qoftë se ka të tillë ).  Aty hyjnë e dalin çdo ditë me dhe pa orar, intelektualë e fshatarë, jugorë e veriorë, pa dallime politike e krahinore. Më ka rënë rasti të jem për vizitë disa herë në shtëpinë e Dritëroit, e kam pirë për kënaqësi  edhe ndonjë gotë raki  me të, por për aq pak kohë që kam qëndruar, kam parë që nuk pushonin së ardhuri miq e dashamirës, jo vetëm me raste përvjetorësh, por edhe në ditë të zakonshme, normale. Aty kam takuar të ndjerin Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Moikom Zeqon  e plot të tjerë.  Vizitorët te Dritëroi s’kanë gjeografi e as kufi. Vijnë nga vendlindja e tij Devolli, vijnë lebër, malësorë, myzeqarë e kosovarë. E kjo dukuri,  është një nga cilësitë e tij të veçanta, që ja rrit madhështinë dhe e bën të dallueshëm nga të tjerët. Shtëpia e Dritëroit është një shtëpi e hapur për të gjithë, është një muze mendimesh, kujtimesh, historish,  kulture e idesh.  Aty gërshetohen mençuria popullore me traditën dhe eksperiencën jetësore. Sami Frashëri thotë: “Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”.  Dhe eksperiencën njerëzore, popullore, kulturore, politike e demokratike, i gjen të qëndisura e të shprehura me urtësinë e Biblës te fjala dhe veprat e tij kolor. Burimin popullor, këtë pasuri shoqërore të pamatë, me mjeshtërinë e penës së tij, kurrkush më shumë e më mirë nga shkrimtarët shqiptarë, nuk ka ditur ta vjelë e ta ngrejë  në art  si Dritëro Agolli. E kjo cilësi vjen nga mençuria, tradita dhe thjeshtësia që e karakterizon këtë model të shqiptarizmës. Ka shumë shkrimtarë të shquar, por veprat e tyre janë mbyllur në kullën e fildishtë dhe nuk komunikojnë me masën e gjerë popullore, me njerëzit e thjeshtë, që përbëjnë shumicën e popullsisë. Rrallëkujt mund t’i ndodhë që t’i ketë të gërshetuara kaq ngushtësisht madhështinë me modestinë, duke sfiduar mendjemadhësinë, krenarinë, megalomaninë, që pjell të qenit personalitet i shquar. Shumë njerëz të mëdhenj, qofshin këta shkrimtarë apo shkencëtarë, e kanë të vështirë të afrohen me njerëzit e thjeshtë, të bisedojnë në ambiente sociale. As që mund të pretendohet që tu shkohet për vizitë në shtëpi që është një mjedis intim, familjar.

Afërsia e Dritëroit

Afërsia e Dritëroit me njerëz të gjithë shtresave ka bërë që  fjala e tij të ketë një muzikalitet të veçantë, me karakter popullor, që lexohet e kuptohet nga masa e lexuesve. Vargu poetik rrjedh si  uji i kristaltë nga bjeshkët që s’ngopesh kurrë duke  pirë. Kur lexon poezinë e Dritëroit ndihesh sikur je në një lëndinë në stinën e pranverës ku lodrojnë shqerrat, lulëzojnë luledelet dhe gurgullojnë burimet e kristalta të bjeshkëve.  Ato janë të pasura me nektarin popullor, me një varg melodioz dhe lëngëzim, që të shtojnë oreksin t’i kesh gjithmonë pranë.  Dashurinë e poetit për Shqipërinë  e gjen të shprehur në të gjithë veprat e tij poetike, por maja e këtij motivi është hedhur në vargje te poema “Nënë Shqipëri”.  Sa aktuale tingëllojnë edhe sot vargjet: “Lërmë të bie në prehrin tënd të ngrohtë, o hallemadhja ime shekullore! “ E Shqipëria, kjo hallemadhja e përjetshme edhe sot lëngon nga hallet, varfëria, korrupsioni, prostitucioni dhe siç po duket horizonti politik, (me dhimbje e themi) ajo s’ka për t’u shëruar kurrë.    Ndërsa dashurinë për vendlindjen, e gjen të qëndisur si një nuse të bukur te poema “Devoll Devoll”.

“Po, Devoll, i tillë qenkam unë,

Paskam marrë baltën tënde arave,

Në një trastë leshi ndënë gunë,

Për t’ja sjellë, Lidhjes së Shkrimtarëve”…

 Ky lirizëm romantik shpaloset edhe te poema “Baballarët”.

Nga shpate ngjiti e nga shpatet zbrisni,

Të hollë si kosorë e jataganë”…

 Aty, vargjet  derdhen si gruri në lëmë , që kur i mbledh e lexon  të ngjallin nostalgji.  Këto vargje flasin për origjinalitetin, tabanin popullor, për natyralizmin, për bukurinë dhe thjeshtësinë e fjalës. Vepër pas vepre, hap pas hapi, në krijimtarinë e tij, ai është i veçantë. Dritëroi i ka përcjellur  mendimet e kohës me nervin e tyre origjinal. Te vëllimi poetik “Lypësi i kohës”  shkruan: “Në vendin tim, e në vendin tënd, një kokë e çmendur një vend e çmend”. E gjithë vepra, pa folur për vargjet që cituam më sipër, është një refleksion i situatës kritike që kalon vendi. Por, në veprat e tij poetike nuk kanë munguar të përcillen edhe poezitë romantike për fshatin, parmendën, rrushin dhe rakinë, “dy miq” të ngushtë të jetës së tij të trazuar, që si ka tradhtuar kurrë, për asnjë rast, as në rini e as në pleqëri.  Ai është karakterizuar sa nga humanizmi aq edhe nga sentimentalizmi, qytetaria dhe guximi i Devolliut.  Ai, në krijimtarinë e tij të pasur, stigmatizon fenomenet më evidente të jetës, si gëzimet, ashtu dhe hidhërimet, të cilat na i përcjell si bashkudhëtare të njeriut, duke i përshkruar në thellësinë e origjinalitetit të tyre. Në veprat e Dritëro Agollit, e sheh realitetin si në pasqyrë.  Jeta aty na vjen e gjallë, konkrete, reale, pa artifica. Është besnik i paepur i gjithë vlerave njerëzore. Njëkohësisht është besnik edhe i gjithë realiteteve kohore. Nuk di të stisë, të kamuflojë, të zmadhojë e hiperbolizojë. Për çdo ngjarje, fenomen apo dukuri, ai flet me emrin e vërtet. Me gjithë kufizimet që kishte në kohën e monizmit,  përsëri ai nuk ka ndenjur duarkryq, pa fishkëllyer fenomenet frenuese të shoqërisë,  si burokratizmin, paaftësinë degjenerimin e pushtetit etj.  Si  kundërvajtje ideologjike janë parë veprat në dramë “ Mosha e Bardhë “,  “ Fytyra e Dytë“ dhe romani “Dështaku “.  Për këtë këndvështrim, me gjithë autoritetin që gëzonte në sferat e larta të shoqërisë e të pushtetit,  nuk shpëtoi dot pa ju ndaluar botimet në prozë, si “Zhurma e Erërave të Dikurshme” dhe nuk kaloi pa kritika edhe romani satirik “ Shkëlqimi dhe rënia e zotit Zylo”.