Spahiu kërkon mbrojtjen e kufijve dhe simboleve kombëtare, grekët minoritarë hedhin valle

539
Sigal

SARANDË/Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, zhvillon takime me qytetarët

Dy ekstremet e politikës së sotme shqiptare, AK-ja dhe PBDNJ-ja, kanë zhvilluar në të njëjtin mjedis dhe në të njëjtën orë dhe ditë takime elektorale dhe ceremoni festive. Ka qenë pasditja e së shtunës që ka sjellë këtë zhvillim politik, paksa të çuditshëm dhe paradoksal në qytetin jugor. E themi këtë, pasi parë horizontalisht çdo gjë duket normale, por vertikalisht ky fjalëkryq politik shoqërohet me problematikën e ditës brenda klimës së nxehtë të marrëdhënieve dhe ndodhive të kohëve të fundit midis dy vendeve,sidomos në jugun shqiptar. Ora 17:00 e pasdites së të shtunës Saranda ka jetuar entuziazmin e brohoritjeve patriotike dhe borimën e borive të automjeteve zbukuruar me flamuj kombëtar. Pas demonstrimeve, kanë filluar takimet, ku sekretari i përgjithshëm i Kuqe Zinjve, Myslim Pasha ka mbajtur një takim me ish ushtarak dhe më pas ka vijuar takimi elektoral ku kreu  i AK-së, Kreshnik Spahiu, ka përsëritur nga tribuna thirrjet për kufijtë e Shqipërisë Natyrale, mbrojtjen e dinjitetit të simboleve, luftës kundër korrupsionit dhe sidomos ngjarjes së fundit të kufijve detar. Por pikërisht kur zoti Spahiu bënte deklarata të tilla,vetëm 10 cm. distancë, në të njëjtin mjedis të të njëjtës godinë, ku vijë ndarëse ka qenë muri ndarës,minoritarët grek në Shqipëri kanë nisur të festojnë, ndonëse ora e lejimit të takimit ka qenë pakë më vonë nga policia. Ka qenë ceremonia tradicionale greke e prerjes së Pitës, ajo që ka sjellë grumbullimin e minoritareve në festë me pjesëmarrjen e krerëve drejtues të PBDNJ-së dhe “OMONIA”-s, Vasil Bollano, Vangjel Dule, drejtues të pushtetit lokal të minoritetit si dhe përfaqësues të diplomacisë greke në Shqipëri me konsullin e Gjirokastrës, z.Kotrokoi, ndonëse këta kanë qenë korrekt me orarin. Por fillimi para kohe i orkestrës dhe valleve, është parë si provokim dhe ka rritur tensionet në të dy kampet e manifestuesve, duke tronditur paksa bashkëjetesën që karakterizon qytetin e Sarandës si qytet multietnik, multikrahinor e multikulturor. Kjo ka detyruar që takimet të zhvillohen nën masa të rrepta të policisë, duke garantuar mbarëvajtjen e të dy takimeve, por gjithsesi opinioni publik ka përcjellë shqetësimin se organet kompetente duhet të jenë më të kujdesshme në dhënien e lejeve për zhvillimin e takimeve politike, apo kulturore, sidomos kur ato janë në krahët ekstreme të tyre dhe në një datë, orë dhe ditë.