Aban Tafaj: “Shpresoj te hapat fals të Skënderbeut dhe Teutës”

493
Sigal

Trajneri i Tiranës flet pas fitores me Tomorin: “Terreni nuk na lejoi të shënonim më shumë gola”

Trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, ishte i kënaqur me tri pikët e mara në ballafaqimin me Tomorin e vendit të fundit, që e mbylli takimin me dhjetë lojtarë, por jo nga loja me dy pamje e skuadrës së tij. Bardheblutë e reduktuan në tetë pikë diferencën me Skënderbeun e vendit të parë, dhe tekniku Tafaj shpreson në hapat e tjerë fals të kampionëve në fuqi.

 – Tafaj, faza e dytë nisi me fitore për Tiranën, duke përsëritur po atë fitore 1-0 me Tomorin edhe në fazën e parë. Si do ta gjykonit takimin e sotëm (djeshëm)?

– Siç e parashikova dhe gjatë analizës me ekipin para fillimit të ndeshjes, patëm probleme me terrenin, pasi ishte luajtur një ditë më përpara (Partizani-Ada), çka na vështirësoi edhe lojën e skuadrës, që kërkoi të zhvillojë një lojë ofensive dhe të shënojë sa më shumë. Cilësia e fushës na pengoi. Jam më i kënaqur me pjesën e dytë të lojës.

 – Një fitore e ngushtë me Tomorin, edhe pse të gjithë prisnin goleadë?

E nisëm mirë, për rreth pesëmbëdhjetë minuta lojë. Patëm më pas një rënie, por e rimorëm veten duke shënuar dhe golin. Pjesën e dytë, ndoshta dhe nga terreni, por mbase dhe nga nervozizmi brenda grupit të lojtarëve për të dalë sa më shpejt te goli, por dhe rastet e humbura e bënë lojën tonë pak më nervoze dhe nuk dolëm te goli, pse të fitonim me rezultat më të thellë.

– Debutuan sot, vetëm dy nga katër blerjet e merkatos dimërore: Fortunat dhe Hysenbelliu. Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e tyre?

– Në përgjithësi, po, por duhet ende koalidimi. Dihet që, blerjet e janarit kanë problematikën e tyre, pasi lojtarët kanë vetëm pak ditë që janë bashkuar me skuadrën. U nevojitet pak kohë për t’u përshtatur. Megjithatë, jam i bindur se do të na shërbejnë gjatë 13 ndeshjeve të fazës së dytë.

 – Tirana ruajti pozicionin e saj, pra vendin e tretë, duke parë që dhe Teuta e vendit të dytë fitoi me Shkumbinin. Reduktuat në tetë pikë diferencën me Skënderbeun e vendit të parë. Sa ju kënaq kjo situatë?

 – Jam i kënaqur për tri pikët e marra me Tomorin, pavarësisht se të doja të shënonim sa më shumë. Gjithsesi, do të doja që hapat falsë që ne kemi bërë në fazën e parë, të shpresoj t’i vazhdojnë skuadrat sipër nesh.

 Trajneri i Tomorit

Muxhaj: “E patë, Tirana s’na mundi me goleadë!”

 Tomori vazhdoi serinë e humbjeve, duke qenë gjithmonë e më i rrezikuar për të rënë në Kategorinë e Parë. Për Tomorin kjo ishte humbja e 8-të në 14 ndeshje, duke qenë kështu edhe skuadra e vetme që nuk ka regjistruar ende një fitore këtë sezon. Megjithatë, trajneri Madrid Muxhaj ruajti tonet optimiste: “Ndeshja ishte shumë e bukur për ekipin tonë, pavarësisht humbjes. Të paktën, i mbyllëm gojën ekipit kundërshtar që kishte deklaruar se do të fitonte me goleadë. Ne kemi një ekip të ri, në ngritje e sipër. Besoj se do të përmirësohemi. Shpresoj se, nuk do t’i humbasim ndeshjet brenda. Objektivi? Të krijojmë një ekip për vitin tjetër, por pa i hapur rrugë të tjerëve në kampionatin në vazhdim”.

  Tirana-Tomori 1-0, vendos kosovari Limani

 Bardheblutë vërtet kanë përfituar nga humbja e Skënderbeut për t’iu afruar me pikë, por kanë vuajtur shumë përballë Tomorit (1-0), në praninë e vetëm 200 shikuesve. Në letër kryeqytetasit kishin një përballje të lehtë në shtëpi me skuadrën e vendit të fundit, por 90-minutëshi i luajtur ka treguar krejt të kundërtën. Arbër Abilaliaj shpërdoroi një rast të artë për Tiranën, në dhjetë minuta e para. Miqtë nga Berati kanë bërë një rezistencë të fortë, teksa pas një gjuajtje të lirë nga Klodian Duro, topin e rikthyer në lojë nga portieri Llani, e shfrytëzoi maksimalsisht kosovari Mensur Limani, i cili realizoi një eurogol nga 25 metra. Në pjesën e mbetur të lojës nuk ka më gol dhe Tirana merr tri pikët, duke rifituar vendin e tretë. Rexha i Tomorit doli me karton të kuq në minutën e 86-të, ndërkohë që duhet theksuar fakti që, beratasit kishin në formacion katër lojtarë të huaj, që të gjithë nigerianë: Çarls Ofejen, Sandej Oluuatos,, Xhejms Aden dhe Kehinde Ouoje.

  Kukësi “çarmatos” Luftëtarin brenda në Gjiroksatër

 Derbi i dy skuadrave debutuese të këtij sezoni në Kategorinë Superiore mes Luftëtarit e Kukësit është fituar nga verilindorët, të cilët marrin tri pikë të arta në rrugën e tyre për në Evropë. Takimi që u luajt në Gjirokastër, përfundoi me fitoren 3-1 të kuksianëve, të cilët tashmë nuk mund të quhen më surprizë, por një ekip që i ka të gjithë mundësitë për të siguruar një vend për në Kupat e Evropës. Alikaj në minutën e 35-të ka kaluar në avantazh skuadrën e Armando Cungut, ndërsa kundërpërgjigjja e vendësve vjen menjëherë me Cacon (40’), i cili barazon shifrat. Dhe kur dukej se pjesa e parë do të përfundonte pa fitues, Malota kalon sërish në epërsi Kukësin. Në pjesën e dytë Popoviç në të 51’ realizon dhe golin e tretë, i cili deri në fund nuk shoqërohet më nga të tjerë e kështu kuksianët marrin tri pikë të arta, ndërsa Luftëtari vazhdon të mbetet në zonën e rënies nga kategoria.

   Bardhësi në fushë, por Kastrioti “nxin” Apoloninë

  Krutanët vazhdojnë të tregojnë se në fushën e tyre janë mjaft të fortë, ku dje kanë mundur Apoloninë 4-1, në një terren të mbuluar krejtësisht nga bora. Pritej një ndeshje e lehtë për Kastriotin, por vendësit e kanë zgjidhur më shpejt se sa mendohej çështjen e fitores. Që në minutën e tretë Shehaj zhbllokon shifrat dhe vetëm 120 sekonda më pas Çela dyfishon. Fierakët dorëzohen mjaft shpejt, ndërsa krutanët vazhdojnë të sulmojnë e në të 22’ Hysa realizon dhe golin e tretë. Kastrioti siguron tri pikët, madje gjen momentin dhe për të kënaqur tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit. Në minutën e 42-të vendësit fitojnë një 11-metërsh, ku për ta gjuajtur afrohet portieri Moçka, i cili nuk gabon dhe shënon golin e katërt. Në pjesën e dytë djemtë e drejtuar nga Dollaku e ulin ritmin e lojës, madje i lejojnë vetes që kundërshtari të shënojë një gol në fund, por sa për të vulosur rezultatin final 4-1. Kastrioti me tri pikët e marra i largohet disi zonës së ftohtë, ndërsa Apolonia tashmë ka shumë pak shpresa për mbijetesë.

 Shpërthen Teuta, Magani “shpërfytyron” qytetin e tij

  Teuta kishte dje një ndeshje relativisht të lehtë në fushën e vet me Shkumbinin, ku për objektivat e kësaj skuadre vetëm fitorja i bënte punë. Të besuarit e Gugash Maganit e kanë bërë si duhet detyrën e tyre, duke shënuar tri herë në portën e peqinasve dhe duke e ruajtur të paprekur të vetën. Durrsakët e kanë nisur mirë takimin, ku që në minutën e 15-të sulmuesi i tyre më i mirë, Daniel Xhafaj, zhbllokon shifrat. Më pas miqtë janë munduar të rezistojnë, por në të 56’ Tefik Osmani shënon dhe golin e dytë. Tashmë, çështja e fitores mbyllet, por jo për Xhafajn, i cili realizon golin e dytë personal në minutën e 82-të dhe vulos suksesin 3-0 të ekipit të tij. Për t’u theksuar është debutimi me fitore i trajnerit të “djemve të detit”, Gugash Maganit, e pikërisht ndaj Shkumbinin, skuadrës së qytetit të tij.

  KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIV

Të premten, 08.02.13

Skënderbeu-Vllaznia 0-1

Të shtunën, 09.02.13

Besa-Laçi 1-2

Të dielën, 10.02.13

Luftëtari-Kukësi 1-3

Kastrioti-Tomori 4-1

Tirana-Tomori 1-0

Teuta-Shkumbini 3-0

Të mërkurën, 14.02.13

Flamurtari-Bylis

1    Skënderbeu      14   +18  33

2    Teuta           14   +6   26

3    Tirana          14   +6   25

4    Kukësi          14   +7   24

5    Laçi            14   +2   24

6    Bylis           13   +6   21

7    Vllaznia        14   +2   20

8    Flamurtari      13   +5   19

9    Kastrioti       14   -4   18

10   Besa            14   -3   16

11   Shkumbini       14   -10  12

12   Luftëtari       14   -8   11

13   Apolonia        14   -14  8

14   Tomori          14   -13  6

  LEGJIONARËT

 Berisha-Del Piero, duel golash në Australi

 Besart Berisha shënoi golin e radhës në kampionatin australian – i 11-ti sezonal, por rrjeta e kosovarit nuk e ndihmoi dot Brisbejn Roarin të shmangte humbjen 2-1 me Sidnejin e Alesandro Del Pieros. Sulmuesi i njohur italian shënoi pa kaluar shtatë minuta lojë, ndërkohë që goli i Berishës erdhi përmes pikës së bardhë në fund të pjesës së parë. Golin fitues të ndeshjes e realizoi Triantis në minutën e 69-të. Në kampionatin azerbajxhanas, Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit barazoi 1-1 me Kabalanë.

 Lila dhe Vila çojnë Janinën në Europë

 PAS Janina e Andi Lilës dhe Emiljano Vilës arriti një fitore shumë të rëndësishme në transfertë me Panionosin, duke triumfuar me rezultatin 1-0, në javën e 21-të të kampionatit grek. Të dy ekipet e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë. Të dy lojtarët shqiptarë, nisur edhe nga fakti që kishin luajtur në mesjavë me Shqipërinë në miqësoren kundër Gjeorgjisë, u aktivizuan në pjesën e dytë: Andi Lila nga minuta e 51-të (në vend të Keitës), ndërsa Emiljano Vila nga minuta e 85-të (në vend të De Vinsentin). Fitorja – 8-të në 21 javë – e çoi PAS Janinën në vendin e pestë, me 30 pikë, duke u futur në zonën kualifikuese për ndeshjet “play-off”, për Ligën e Europës.

  Meha, eurogol për Padebornin

 Alban Meha ndihmoi skuadrën e tij, Padebornin, të regjistronte një fitore komode 3-1 në transfertën kundër Ingostadtit. Mesfushori i Kombëtares, i cili nuk mundi të ishte nën urdhrat e Xhani De Biazit për ndeshjen kundër Gjeorgjisë, për shkak të gjendjes së rënduar gripale, realizoi golin e tretë të skuadrës së tij, në minutën e 87-të, me një gjuajte të bukur duke vulosur edhe fatin e ndeshjes. Ingolshtadt luajti nga minuta e 76-të me dhjetë lojtarë. Për Mehën ky ishte goli i tretë sezonal, pas atyre kundër Hertës së Berlinit dhe Bokumit. Meha po kalon një formë të shkëlqyer, pasi dhe në fazën përgatitore realizoi katër gola në pesë ndeshje.

  “Greku” Kone i shënon Bogdanit

 Në Serinë A, pas duelit të së shtunës midis Lorik Canës (Lacio) dhe Valon Behrami (Napoli), takimi i mbyllur në barazim 1-1, e diela ofroi ballafaqimin e dy lojtarëve të tjerë shqiptarë: Panajot (Gjergji) Kones së Bolonjës me Erjon Bogdanin e Sienës, edhe ky takim po i mbyllur 1-1. Madje ishte tiranasi i natyralizuar si grek shënoi në minutën e 41-të duke barazuar golin e Imegherës së Sienës. Për Konen ky ishte goli i tij i dytë rresht për Bolonjën. Erjon Bogdani hyri në lojë në minutën e 88-të dhe u ndëshkua me një karton të verdhë, në fundin e ndeshjes. Kjo ishte pika e parë në transfertë për bardhezinjtë e Sienës. Në Serinë Lega Pro 1, Leçe e Ledian Memushajt fitoi 3-0 me Tritiumin. Mesfushori shqiptar luajti minuta të plota. Të hënën, në Serinë B, Empoli i Elseid Hysajt do të luajë kundër Livornos.