Pëllumb Kulla:Aty ca kohë më parë vdiq Qamil Buxheli

1498
Sigal

Vdekja e një njeriu të moshuar e për më tepër me sëmundje që ia bëjnë atij jetën të vështirë, vjen gati-gati si një ngjarje që nuk do të sjellë aq pikëllim. Në të vërtetë, ajo sjell dhe sjell shumë. Vdekja është ai moment pikëllues kulmor, kur i vdekuri na thërret të ndahemi me të, të zgjohemi dhe të ndërgjegjësohemi se kush na iku. E pasi kalojmë nëpër këtë zinxhir, pikëllimi bëhet më i madh. Nuk na iku ai plakush i pafuqishëm, me atë frymëmarrje të rënduar, i thinjur dhe i lodhur, jo! Tani më shumë se kurrë më parë, ne rikthehemi pas dhe sjellim në përfytyrim portretin e tij të shëndetshëm. Na iku Qamil Buxheli, ai burri energjik, me ata sy gazmorë, paksa të fryrë, që dukeshin sikur bënin zap një gaz të brendshëm që mezi përmbahej. Na iku një cicëron i pavijonit të jetës sonë, ai rrëfyesi me zë të zvargur, të dembelosur e magjik, njëkohësisht. Na iku një vëzhgues i mprehtë, gjahtar i thekur i pjesës qesharake të jetës shqiptare, – dhe parë tani me qetësi, i pjesës më të madhe, – të asaj pamje të jetës, që ai e shquante më shpejt e na ftonte të qeshnin mbi të. Na iku një nga mjeshtrit e humorit dhe të satirës, ai që shtroi shinat e para të një traseje të gjatë, të një humori të paparë ndonjëherë: dinamik, modern dhe thellësisht popullor, të zhdërvjelltë dhe të tejpashëm. Qamili ishte një autor që e tërhiqte të tërë, sa ç’ mbante, llastikun e groteskut. Gjatë gjithë jetës së tij, na solli tipa e karaktere në kufijtë më të tepruar të qesharakërisë së tyre. Lumi i humorit buxheljan na ka ardhur tërë kohën i fryrë buzë më buzë, gati të teptiste e të na përmbyste. Tregimet, komeditë dhe romanet e Buxhelit dukeshin sikur ishin shkruar pa pikë mundi, sikur puna mbi ta nuk e pat lodhur fare mjeshtrin. Përkundrazi! Dukej sikur vepra ia kish dhënë vetë shpërblimin autorit, duke e zbavitur pa masë, para ne të tjerëve, në shkrim e sipër! Qamil Buxheli nuk do të ndahet kurrë nga mjedisi shqiptar, se atë do të na e sjellin karakteret e tij të pavdekshëm… Do të na e sjellin ata burrat e politikës që nuk po vdesin kurrë, që në ndërrimin e regjimeve, sulen të futen prapa hekurave të burgut, për të regjistruar ca-pak vuajtje, ca-pak persekutim, që u duhet për regjimin e ri. E gardianët, në vend që t’i mbajnë mbyllur, duan t’i nxjerrin e ata kapen me thonj brenda hekurave që regjimi i ri t’i gjejë atje, (“Karriera e z. Maksut”) Qamilin do të na e sjellin burokratët legjendarë të administratës së Komandantit… Do të na e sjellin nihilistët e ksenomanët, që përbuzin çdo gjë shqiptare – edhe hënën, edhe gripin që nuk të shkund mirë, siç të telekos gripi  i huaj, ai i jashtmi! Do të na e sjellin oratorët që marrin fjalën të përkujtojnë të tjerët e përkujtojnë veten. Do të na e sjellin ndodhitë e plazhit, që do të jenë të njëjtat në jetë të jetëve! E ish komandantët e batalioneve partizane që lavdia u dha cilësitë e verës që forcohet, teksa kujtesa u bëhet kaçurrele e u sjell ndërmend kohën në male, me zyra me telefon, me sekretare të hijshme e vetura në vend të mushkave! Dhe sidomos nuk do të harrohet Buxheli edhe për guximin e marrë në përgojosjen e tabuve enveriane: censurës së padeklaruar “ç’është shtylla e telefonit? Hiç, një pishë e redaktuar mirë e mirë!”, apo shakave me sloganet lapidare, të vendosur tek ai muri i mëngjesores, ku piktori kish ngjitur gjysma tabelash, që nuk shkonin me njëra – tjetrën e i dilnin të martuara me njëra – tjetrën, si mos o Zot: “Proletarë të të gjitha vendeve – veresie s’ka!” dhe “Klientë të dashur – bashkohuni!” që  bënte Marksin, t’i dridhej mjekra nëse nuk i qe tretur akoma nën dhe! Ndarja me Buxhelin më shtyn të nënvizoj edhe ca përgjithësime. Këtë përsiatje të pikëlluar e pata edhe vite më parë, kur na la i miri Miço Kallamata, një burrë i heshtur me një vëzhgim të pamëshirshëm, gjahtar edhe ai i karaktereve qesharake të bashkëkohësve. Kallamata dhe Buxheli u bënë nga shtyllat më solide të satirës në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi. Si stile të të shkruarit ata ndryshonin mjaft, por, o dreq! sa goditje të ngjashme morën në karrierën e tyre! Vinin që të dy nga radhët e të rinjve komunistë idealistë. Ishin që të dy njerëz mjaft të kulturuar e bënin ferk në kontingjentet e komunistëve që erdhën në pushtet nga malet. Buxheli qe caktuar që në agimet e pushtetit të ri Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë e shokët e rangut të tij, – pa dyshim me vlera më të pakta se ai – zunë me dorë tavanin e pushtetit! Lëreni Kallamatën, ai ishte një nga ata të 1941-shit, zotëronte që atëherë gjuhën angleze, komisar gjatë luftës e atashe ushtarak pas saj! Këta dy mjeshtra të humorit, unë do t’i quaja edhe besnikët më të marrë të tij. Me ta ka ndodhur një nga rastet më të rralla, kur dhuntia e madhe bëhet gjyle e lidhur pas këmbeve e nuk të lë të ngrihesh hiç. Vëzhgimi satirik, ndërgjegjja e shenjtë e kritikës, i shpuri  “gabim pas gabimi”, u solli mosbesimin e plotë të udhëheqjes së shtetit e u shkaktoi njëmijë strese e kokëçarje… Kallamata u end pyjeve e qyteteve periferike. Buxheli u sha dhe u mallkua, u ul e u qarkullua lart e poshtë. Dy anëtarë potencialë për Byronë Politike shkelmuan të gjitha ambiciet komuniste e iu falën shkrimtarisë të humorit, asaj zeje shpesh të përbuzur, por të shëndetshme që mban gjallë prushin e jetës. Të dy lëvruan atë fjalë të mprehtë e të pabujshme, që në salla nuk të fton kurrë të ngrihesh në këmbë, të duartrokasësh e brohorasësh, siç bëjnë ushtarakisht më të majtë e më të djathtë teje. Fjala e tyre ish më e thjeshta, më demokratikja në gjithësi: me të nuk të skuqeshin shputat, por ishe i lirë bile të mos e vije as buzën në gaz! Jo të gjitha të këqijat vijnë për të të dëmtuar: letërsia që bënë Buxheli dhe Kallamata ishte një letërsi pa ngarkesa. Ata nuk patën se ç’të fshijnë e ç’të krasitin në këto kohëra që erdhën.  Në faqet e librave të tyre, për fat të mirë, nuk shkonin himnizimet e partisë dhe të socializmit, që kërkoheshin gjatë mobilizimit ushtarak të shkrimtarëve të realizmit socialist. Nuk gjen te faqet e shkruara nga këta dy miq, as Sekretarë të Parë, as heronj të lavdishëm e sidomos asnjë kooperativist të lumtur! Ata dëshmuan atë pjesë të jetës socialiste që ish e vërtetë: burokratike deri në palcë dhe qesharake, sa nuk bëhej më! Ata ikën faqebardhë nga kjo jetë e na sollën një pikëllim të thellë, por që rresht menjëherë, sapo kujtojmë pasazhe e pjesë të veprave të tyre të çmuara. Pikëllimi i lë vendin diellit të buzëqeshjes. Shkakun për këtë shkrim ma dha Qamili, që na la… Personalisht  unë pata privilegjin e çmuar të gëzoja miqësinë e të dyve, por me Buxhelin pata lidhje më shpesh. Shokët  e mi të kursit, në fakultetin  e teatrit e dinin adhurimin tim për guximin e tij satirik e me tallje më thërrisnin Eskamiljo, një version spanjoll i emrit Qamil. Ai atëherë nuk e dinte këtë dhe kalonte përditë indiferent  para nesh, studentëve, nga të cilët njeri e adhuronte e të tjerët e kishin marrë adhurimin për të si infeksion gazmor. Qamil Buxheli e kish zyrën në të njëjtin korridor, ku e zhvillonim mësimin ne. Ishte kryeredaktor i Yllit dhe kish mbledhur rreth vetes shkrimtarë të përkushtuar të satirës, si ai vetë. Kin Dushi dhe Naum Prifti, mes të tjerësh…Si episod mbyllës  do të kujtoj, se si, një ditë shpura në zyrat e “Yllit” një tregim, që për lumturinë time, m’u botua. Isha vetëm një student 22- vjeçar dhe nuk më mbante vendi. Por vura re se në tregimin tim kishin futur duart dhe e patën redaktuar rëndë. Miqtë e mi spiunë, që punonin te “Ylli”, më thanë se këtë punë e kish bërë pa teklif vetë kryeredaktori! Gjeta rast të bëja një veprim me dy përmbajtje të ndryshme që nuk shkonin hiç: të protestoja dhe të njihesha me idhullin tim të atyre kohërave. Qamili më priti me mirësjellje dhe më përcolli duke m’i fashitur protestat. Më tha që isha i ri dhe ai më kish ndihmuar e, sipas tij, tregimi kish fituar mjaft. Kur dola, mora frymë e shqiptova një frazë që e kisha bluar net me radhë, që t’ia përplasja në fytyrë Qamil Buxhelit. Ish një nga ato fraza, që unë ëndërroja që të hynte në enciklopeditë e anekdotave historike të rruzullit, ku të tregohej se si njëherë ai “shkrimtari i famshëm, ia përplasi atij shkrimtarit tjetër të famshëm”! Por nuk isha fort i nxehur dhe e ndjeja që nuk nxehesha dot me një njeri që e desha, prandaj edhe fraza historike nuk ngjiti në histori. “Kështu, shoku Qamil”,- i thashë,- “unë atë tregim nuk e njoh më dhe nuk e quaj timin. Keni vënë aq shumë dorë në të, sa jeni i lirë, kur të doni, ta përmblidhni me tregimet tuaja, tek “Një Ndodhi në Plazh”, a ku të keni qejf!” Ai u befasua nga guximi im i brishtë, por e mblodhi veten dhe më tha i zemëruar, ashtu, me ato buzët e shtrënguara dhe me atë zërin e zvargur e të dembelosur: “Ç’thua mo?! Unë atë tregimin tënd, nuk e fut dot as tek ajo dera, në fund të korridorit!”. Unë ula kokën e ika duke u përpjekur të mbaja gazin. Nuk kisha se si të fyhesha, se e desha. E kam dashur shumë atë njeri…