Neritan Liçaj:Rendet pas telenovelave të huaja, pasi nuk prodhojmë dot vetë

863
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktori i mirënjohur i Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj: Shteti duhet të investojë më shumë për filmin dhe teatrin

 Ai është bërë më i njohur me serialin “Njerëz dhe fate”, por rolet më të bukur dhe më të spikatur i ka në teatër. Në skenë nuk është supersticioz, por beson në punën përgatitore, kjo punë është çelësi i suksesit për të. Në bisedë thekson se televizionet shqiptare rendin pas telenovelave të huaja, pasi nuk prodhojnë dot të tilla pasi kanë kosto të lartë, njëkohësisht vëren se luhen më shumë pjesë të autorëve të huaj pasi dramaturgët shqiptarë nuk janë të motivuar të krijojnë. Afërisht ka në arkivin e tij 30 role, por në fakt ai nuk rend pas sasisë por pas cilësisë.

NOA

 “Edipi Mbret”-rolet:

 Helidon Fino -Edipi, Yllka Mujo – Jokasta, Ema Andrea- Korifeu, Neritan Liçaj-Kreonti. Në role të tjera: Olta Dako, Eriona Kakeli, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja. Kori: Eftiola Laçka, Ermela Teli, Florant Veizi, Roel Llupa, Amos Zaharia, Anila Muça, Florian Agalliu, Adriana Tolka.

  Si e ndjeni veten me rolin e Kreontit në dramën  “Edipi Mbret” i Sofokliut?

 Ky personazh është i dyti në pushtet ose më saktë vjen Edipit dhe Jokastës  njëkohësisht  i bie dhe daja i Edipit. Vetë Edipi është djali i Jokastës. Këto tre personazhe përbëjnë nj treshe shumë të bukur, që vetëm në fund zbërthehet. Mbas tragjedisë se Edipit dhe të Jokastës, Kreoni rrëmben fronin. Pra pushteti i kalon personazhit tim dhe në bazë të këtij personazhi Sofokliu ka bërë tragjedinë tjetër Antigona. Kur ma besuan këtë rol e pranova menjëherë pasi të gjithë personazhet e antikitetit janë të bukur dhe kanë shumë gjallëri. Edhe rolet e vegjël në këto tragjedi kanë vlera dhe janë të papërsëritshëm. Pra, pavarësisht nga madhësia e rolit  personazhet kanë rëndësi jo të pakët nga personazhi kryesor. Roli im pavarësisht kohështrirjes ka një vend të rëndësishëm.

 Kush është e veçanta e kësaj drame?

E veçanta  është tek fati i keq i Edipit fat, i cili më vonë u shfrytëzua nga Frojdi  për “kompleksin e Edipit” . Fati i një djali që është pak a shumë dhe historia e Iliadës  edhe Historia  e Trojës me Paridin që kur lindi Kasandra u parashikua se do të ishte fatkeqësia e Trojës. Pak a shumë ky është dhe fati i Edipit.

 Rolet në teatër i keni të shumtë, por megjithatë emrin më popullor e vutë në serialin “Njerëz dhe fate”. Mund të na thoni diçka më konkrete nga realizimi i këtij seriali?

 Mendoj se ky serial ngjiti shumë në publik. Duke trajtuar problemet e kohës, për  marrëdhëniet familjare, se çfarë ndodh me shqiptarët dhe Shqipërinë ën ato vite, skenari, regjistra dhe loja e aktorëve bënë që filmi të ishte jashtëzakonisht  i shikueshëm. Nga ana tjetër kur luan në jetë realitetin edhe suksesi është më i shpejtë më i drejtpërdrejtë.  Në ato vite që është realizuar seriali, ishte sikur ne po luanim jetën e përditshme me të gjitha gëzimet dhe hidhërimet.  Çdo gjë në atë seria ishte konkret.

 N.q.s do të heqim paralele mes rolit në këtë seria dhe roleve në teatër ku jeni ndjerë më mirë?

 S’mund të them se patjetër që tek ky serial është roli im më i mirë. Çdo rol ka të veçantën e vet, bukurinë e vet, situatat e tij. Edhe filmi artistik, edhe telenovelat, edhe rolet në teatër kanë bukuritë e veta, pra rolet s’janë të ndara me sëpatë.  Kur ke të bësh me skenar të mirë apo me regjisurë të mirë,  kënaqësia për çdo rol sado i vogël qoftë kënaqësia është e madhe.

  Keni luajtur në filma artistik, në telenovela dhe në teatër, ku jeni ndjerë më komod, në teatër apo në film?

 Ndihesh komod kur punohet me përgjegjësi. Por duke pasur parasysh se unë më shumë role i kam në teatër them se ndoshta jam ndjerë më komod këtu. . Nga ana tjetër dihet që prodhohen më shumë pjesë teatrale se sa filma kështu që angazhimi i përditshëm është teatri.  Fusha ku luan më shumë të jep më kënaqësi.

 Teatri shqiptar a është konkurrues në Rajon apo dhe në Europë?

 Absolutisht po. Ne kemi një teatër shumë të mirë. Po ta krahasojmë dhe me nivelin e teatrove fqinje  apo ato  europiane ne kemi qenë në po ato nivele kur shfaqjet kanë qenë të mira. Kjo për vetë faktin se, asnjëherë si kanë munguar talentet ne fushën e aktrimit Shqipërisë. Ne jemi popull me temperament.  Nga ana tjetër dihet se shfaqje të dobët nuk ka vetëm në Shqipëri, por ka dhe në vendet me teatër shumë të zhvilluar. Pra ne e kemi provuar se kur kemi vënë në skenë shfaqje shumë të mira kemi konkurruar me dinjitet jashtë.  Kjo është faktuar, mbasi në shumë Festivale ndërkombëtare ku kemi marrë pjesë kemi marrë çmime dhe çmimet nuk janë dhënë për miqësi.

 Aktualisht në Tiranë janë tre teatro, Teatri Kombëtar, Teatri Metropolit dhe Universitetit të Arteve, a janë të mjaftueshme këto për Tiranën dhe ai përmbushin kërkesat e aktorëve këto teatro?

 Unë them se jo. Tirana  tashmë po mbushet me një milion banorë dhe duhet të shtohet numri i teatrove dhe mundësisht këto teatro të mos jenë vetëm në qendër. Të gjitha teatrot ekzistuese janë në qendër dhe jo çdo banor i Tiranës mund të ketë hapësirë lëvizje patjetër në qendër. Pra duhen shtrirë këto teatro edhe në periferi.  Prandaj politikbërësit e kulturës duhet të mendojnë për këtë problem. Pse të mos ketë një teatër dhe në Bathore, pse jo dhe në Institut Bujqësor?  Sa më pranë ta ketë teatrin, qytetari aq më i lidhur bëhet ai me të. Jo vetëm teatrin, por dhe Galerinë e Arteve, kinemanë, bibliotekën, të gjitha këto sa më afër të jenë aq më mirë është, pasi forcohet lidhja e ndërsjellë.

 Pra i njëjti problem qëndron dhe me kinemanë?

Sigurisht, të njëjtat fjalë duhen thënë dhe për kinemanë. Madje, kinemaja duhej të ishte dhe më e frekuentueshme, pasi ka shfaqje të filmave të huaj.

 Megjithatë Shqipëria është në krizë për prodhimin e filmit. Përse vjen kjo krizë?

E vërtetë. Duhet të prodhohen më shumë filma, pasi aktorët janë madje shumë të mirë. Kjo vjen  pasi nuk ka financime në film. Filmi ka shpenzime të mëdha. Madje, të shumëfishta në lidhje me teatrin. Kjo bën të shikohet si më i realizueshëm teatri. Një film i Hollivudit dihet se sa kushton.  Mendoj se politikbërësit duhet t’i rrisin fondet për filmin ashtu sikundër dhe për Teatrin. Bota investon shumë në këtë drejtim. Ne kemi realizuar filma artistikë shumë të mirë. Madje që kanë zënë shumë çmime në Europë. Po ashtu kemi aktorë shumë të mirë. Pra të gjitha veç fondeve ekzistojnë. Brumi është, regjisorët po ashtu, gjetiu çalon kjo punë.

  Si ju pëlqen t’ju thonë më mirë aktor teatri apo aktor filmi?

Për mua janë njëlloj, por bota i ka të ndara. Ne nuk kemi një shkollë të mirëfilltë filmi. Pjesa më e madhe e vendeve të botës ka shkollë për aktor filmi dhe shkollë për aktor teatri. Pra nuk i kemi të specifikuara. Kështu që dhe aktorët e filmit në Shqipëri vijnë nga aktorët e teatrit. Duke qenë se, s’kemi dy lloj shkollash nuk mund të bëhet dhe diferencimi që kjo lloj shkolle është më e mirë se tjetra. Nuk e kemi këtë komoditet për të bërë krahasimin.

 Diskutuam që hapësirat për aktorët janë të kufizuara. Mos vallë jeni penduar që jeni bërë aktor?

Aspak. Është një profesion që më pëlqen. Kjo s’ka të bëjë fare për hapësirën. Në çdo hap, në çdo rol, në çdo shfaqje unë jam me profesionin tim. Mendoj se, jemi dashuruar me njeri-tjetrin.

  Ju keni realizuar afërsisht 30 role jeni i kënaqur.

 Po, jam i kënaqur, në raport me kohën. Sigurisht që, njeriu kërkon gjithmonë më shumë kështu besoj se dhe unë do të rris sasinë, por gjithmonë këmbëngul në cilësinë. Edhe nis do kem pak role, por të arrira do jem i kënaqur. E theksoj se kam pasur fat në art, pasi kam pas oferta, kam pas role, etj… Shansi më është dhënë. Ky shans s’mund t’u jepet atyre që mbarojnë shkollat tani aq më tepër që Universiteti Arteve është 5 vjet.

  Thuhet se mes aktorëve ka shumë xhelozi. A ka në qenien e tij xhelozi Neritani?

 Xhelozia është pjesë e jetës. Xhelozia profesionale në kuptimin e mirë të fjalës. është kudo dhe bën mirë që është. Ndonjëherë xhelozia të stimulon më tepër.  Edhe mes ekonomistëve, edhe mes inxhinierëve apo avokatëve ka xhelozi, ai që është më i miri nxit xhelozia. Me xhelozi profesionale ecën më mirë dhe të tilla ka në çdo vend të botës. S’mund të them se mes aktorëve është më e theksuar xhelozia.

 Cili rol mendon se të mungon?

Ah, ka plot. Sa më shumë luaj dhe shoh, aq shumë mendoj se më mungojnë. Bota  është aq shumë e pasur nga role të mira sa shpesh herë them të mos i numëroj… Pastaj jo çdo rol varet nga unë, por nga regjisori.

 Jeni supersticioz në skenë?

Jo. Jam i kujdesshëm. Po të bësh mirë punën përgatitore mirë, shfaqja do të dalë mirë. Impenjimi im në skenë është të luaj mirë rolin që kam përgatitur.

 Shpeshherë në  drama të ndryshme kritika më të shumta ka pasur ndërtimi i skenës. Mendimi juaj?

Për mua nuk ka kritikë. Gazetarët e kulturës kanë ngelur thjeshtë në stadin e informacionit. Pak gazetarë bëjnë analizë të mirëfilltë. Që bëjnë kritikë dhe jo kritizer, pra që ta japin shfaqjen në shumë plane. Pra nuk na takon neve të bëjmë analizën e shfaqjes pasi ne jemi pjesë e shfaqjes, por i takon kritikëve gazetarëve. Ndaj them se nuk janë objektive kritikat në adresë të skenografisë.

 Përse vihen në skenë  më shumë  pjesë të huaja?

Pas ka rënë shumë dramaturgjia shqiptare. Nuk ka pjesë shqiptare me nivel. Ndoshta nuk investohet në këtë drejtim dhe dramaturgët nuk marrin penën në dorë. Çdo aktor do të kishte dëshirë të luante nj dramë shqiptare, sepse ën fund të fundit jemi shqiptar. Kështu do të bëhej dhe alternimi, pjesë të huaja dhe me ato të autorëve vendas. Por jo, autorët shqiptarë nuk po krijojnë.

 Pse tendenca televizioneve shqiptare sot është drejt telenovelave të huaja?

 Pasi është më praktike, ka problemet e kohës, ka shumë seri, të mban në ankth. Tjetra është sepse ne nuk prodhojmë dot, pasi kanë kosto të madhe. Historia e telenovelave ka nisur në SHBA që ka një kinematografi të zhvilluar.