Kastriot Myftaraj/Kufijtë e Shqipërisë dhe doktrina amerikane e kaosit kreativ

758
Sigal

Berisha i kyçur në axhendën gjeopolitike, ndërsa Edi Rama e neglizhon kontekstin global të deklaratave të kryeministrit

Kur në dhjetor të vitit të kaluar ambasadori amerikan në Tiranë Arvizu qortoi publikisht ata që kishin shkallëzuar retorikën nacionaliste në Shqipëri, çka u perceptua nga publiku me të drejtë si një qortim në radhë të parë ndaj kryeministrit Berisha dhe pastaj ndaj Kreshnik Spahiut të Aleancës Kuqezi, u duk se nga ky moment veçanërisht Kryeministri Berisha, do të ndërpriste retorikën nacionaliste. Një deklaratë e tillë ishte e llogaritur që të perceptohej si jehonë amerikane e shqetësimit të krijuar në vendet ballkanase përreth Shqipërisë nga përmasat që kishte marrë ushtrimi në retorikë nacionaliste në Tiranë, që arriti deri në nivelet e larta qeveritare. SHBA po kumtonte se distancohej nga ky qëndrim i Berishës dhe nuk e kishte nxitur atë.

Askush nuk e priste që pas kësaj, kur tashmë ambasadori amerikan kishte hequr vijën e kuqe, Berisha të shkelte këtë vijë duke vazhduar të ushtrohej në sportin e rrezikshëm të retorikës nacionaliste. Por çuditërisht ndodhi e kundërta e asaj që pritej. Derisa Kreshnik Spahiu i uli tonet nacionaliste, Berisha i rriti ato në kulm. Madje këtë herë Berisha zgjodhi një forum ndërkombëtar të rangut global për të bërë deklarimin e tij më të fortë nacionalist. Në fillim të shkurtit, në Konferencën për Sigurinë në Munich të Gjermanisë, e cila është forumi më i rëndësishëm për sigurinë në Perëndim, Berisha e shkallëzoi në kulm retorikën nacionaliste. Për t’u zbërthyer enigma e retorikës së shkallëzuar nacionaliste të Berishës, duhet që ajo të vihet në kontekstin gjeopolitik global. Vërtet që nuk duhet ekzagjeruar rëndësia e Shqipërisë, Kosovës në zhvillimet gjeopolitike globale, por as nuk duhet pakësuar. Shqipëria dhe Kosova kanë rëndësi në zhvillimet globale si fushëbeteja të Rendit të Ri Botëror.

Që prej 4 tetorit 2012, ditës kur Rusia dhe Kina vunë veton në Këshillin e Sigurimit ndaj rezolutës të mbështetur nga SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore, me të cilën i hapej rrugë një aksioni ushtarak të NATO-s në Siri, të ngjashëm me atë në Libi, një konflikt lokal në një vend arab, u shndërrua në një konflikt global, përfundimi i të cilit do të përcaktojë formësimin e Rendit të Ri Botëror për dekadat e ardhshme. Siria është vendi ku u verifikua për herë të parë seriozisht aleanca Ruso-Kineze e arritur që në vitin 2001 me Traktatin e Moskës. I ashtuquajturi Traktati  Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor mes Rusisë dhe Kinës i nënshkruar në Moskë, në 16 korrik 2001, nga dy kryetarët e shteteve përmban në fakt termat e një aleance ushtarake të mirëfilltë. Neni 4 i traktatit thotë: “Pala kineze mbështet palën ruse në politikat e saj të mbrojtjes së unitetit nacional dhe të integritetit territorial të Federatës Ruse. Pala ruse mbështet palën kineze në politikat e saj të mbrojtjes së unitetit nacional dhe të integritetit territorial të Republikës Popullore të Kinës”.

Integriteti territorial

Këtu shkohet përtej stereotipit juridik të pohimit të integritetit territorial të palëve, që gjendet rëndom në dokumente të tilla. Këtu bëhet fjalë për mbështetje reciproke për ruajtjen e unitetit nacional dhe integritetit territorial. Kjo nuk do të thotë thjesht se të dy palët mendojnë se uniteti nacional dhe integriteti territorial i tyre janë të kërcënuar, por se ato duken të bindura se nëse njëri nga të dy shtetet shpërbëhet, atëherë këtë fat do ta ketë dhe tjetri. Traktati reflekton perceptimin e Rusisë dhe Kinës se këto vende gjenden të rrethuara nga SHBA dhe aleatët e kësaj të fundit nëse njëra palë, pëson kolaps dhe shpërbëhet, mbi tjetrën do të bjerë krejt presioni i SHBA dhe aleatëve të saj. Si Kina dhe Rusia janë të vetëdijshme se ka një simetri mes asaj që ndodh në njërën anë të botës, në Ballkan dhe në Mesdhe, dhe asaj që ndodh në anën tjetër të botës, në Azinë Lindore, ku SHBA nxit zhvillime gjeopolitike që tek e fundit synojnë jugosllavizimin e Kinës. Rusia është e vetëdijshme se nëse ndodh një gjë e tillë, në vakuumin gjeopolitik të krijuar në Azinë Lindore, do të rritet shumë presioni Amerikano-Japonez ndaj saj nga kahu lindor. Duket se frika tradicionale e Rusisë nga ekspansioni kinez në Siberinë e paanë me popullsi të rrallë, nuk është aq e fortë sa të mposhtë frikën që ka Rusia nga rrethimi amerikan i saj, nga perëndimi, lindja jugu dhe veriu. Jo rastësisht Traktati Ruso-Kinez erdhi në korrik 2001, fill pas aksionit ushtarak të NATO-s kundër Serbisë, që nga Rusia, por edhe Kina, u perceptua si pjesë e agjendës amerikane për ndryshime gjeopolitike globale në dëm të Rusisë dhe Kinës. Prandaj neni 10 i traktatit flet për bashkëpunim strategjik mes dy palëve dhe neni 12 flet për angazhimin e të dy palëve për ruajtjen e balancës globale të forcës. Kur dy fuqi të mëdha angazhohen për ruajtjen e balancës globale të forcës, kjo do të thotë se ato synojnë që të kundërbalancojnë një fuqi të tretë apo një koalicion fuqish që e ka përmbysur këtë balancë. Kuptohet se në këtë rast bëhet fjalë për të kundërbalancuar SHBA dhe aleatët e saj në perëndim dhe lindje.

 

Angazhimi ruso-kinez

Angazhimi ruso-kinez në Siri është rezultat i neneve 9 dhe 14 të Traktatit të Moskës. Neni 9 përmban termat tipike të një aleance ushtarake, të definuar lirshëm: “Kur gjykohet një situatë në të cilën njëra nga palët gjykon se paqja është kërcënuar dhe prishur, ose se interesat e saj të sigurisë janë implikuar, apo se ajo ballafaqohet me kërcënimin e agresionit, palët kontraktuese do të ndërmarrin imediatisht kontakte dhe konsultime, në mënyrë që t’i japin fund këtij kërcënimi”. Neni 14 i traktatit përcakton se palët do të mbështesin njëra-tjetrën për të krijuar dhe konsoliduar zonat përkatëse të influencës përreth kufijve të tyre, çka shprehet me eufemizmat e rëndomtë që përdoren në raste të tilla: “Palët kontraktuese do të promovojnë energjikisht konsolidimin e stabilitetit të zonave përreth kufijve të tyre, duke krijuar një atmosferë të mirëkuptimit të ndërsjellë, besimit dhe bashkë¬punimit, si dhe promovojnë përpjekjet që synojnë ngritjen e një mekanizmi shumëpalësh koordinimi, i cili do të përshtatet me situatat e tashme të zonave të përmendura, sa u përket çështjeve të sigurisë dhe bashkëpunimit”.

      Siria është pikërisht rasti i parë kur Kina zbatoi detyrimet që ka sipas traktatit të Moskës, për t’ i ardhur në ndihmë Rusisë, deri edhe ushtarakisht. Siria nuk bën pjesë në atë që mund të quhet si sfera e influencës e pretenduar nga Kina, dhe kjo e fundit që prej pajtimit me SHBA në fillim të viteve shtatëdhjetë, është treguar shumë e kujdesshme që të mos i sfidojë seriozisht interesat amerikane në regjione aq larg kufijve të saj sa Lindja e Mesme, apo edhe Mesdheu pjesë e të cilëve është Siria. Merret vesh, Kina nuk do ta bënte këtë gjë pa patur në krah Rusinë, madje pa qenë Rusia një hap para saj në këtë sfidë gjeopolitike. Që prej nisjes së luftës në Siri Rusia e afirmuar praninë e saj tradicionale ushtarake në këtë vend, ku ish-Bashkimi Sovjetik kishte bazën e tij të vetme detare në Mesdhe, pas humbjes së bazës së Vlorës, atë të Tartus, pranë kufirit siriano-libanez, e cila është tashmë një bazë ushtarako-detare ruse në Mesdhe. Madje, Rusia duket se i ka kërkuar edhe Kinës që të bëjë të njëjtën gjë, se është qartësisht pas një kërkese ruse që Kina, i ka bërë me dije Egjiptit, në bazë të ligjit ndërkombëtar mbi rrugëkalimet detare, se eventualisht një skuadër e flotës ushtarake detare kineze do të lundrojë përmes Kanalit të Suezit për të dalë në Mesdhe, duke pasur si pikëmbërritje të qartë Sirinë.

Konflikti në Siri

Konflikti në Siri është bërë për zhvillimet globale ai çka ishte konflikti në Kore, në vitet pesëdhjetë që ishte rezultat i Traktatit Sovjeto-Kinez të shkurtit 1950. Në të dy rastet, ishte fjala për një bashkëpunim ruso-kinez. Si Rusia, ashtu dhe Kina e dinë se çka është në lojë në Siri. Në lojë është formësimi i Rendit të Ri Botëror për shekullin e ardhshëm, në atë që quhet Nevv Great Game, duke iu referuar garës gjeopolitike mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe në gjysmën e dytë të shekullit XIX në Azinë Qendrore. Zona ku zhvillohet Loja e Re e Madhe përfshin Ballkanin, Afrikën Veriore dhe verilindore, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore.  Nëse Rusia dhe Kina triumfojnë në Siri duke u siguruar qëndrimi i Assadit në pushtet, atëherë do të ndalet zbatimi i agjendës gjeopolitike amerikane të shpallur që në 2006 nga Sekretarja e Departamentit të Shtetit për Çështje të Jashtme, Condoleezza Rice për “Lindjen e Mesme të Re”, çka ajo e bëri në mënyrë domethënëse gjatë një vizite në Izrael në kulmin e aksionit ushtarak izraelit ndaj Libanit, në verën e atij viti. Duke komentuar kaosin dhe shkatërrimet e mëdha që solli aksioni ushtarak izraelit në Liban, Rice i quajti këto si “dhimbjet e lindjes” së Lindjes së Mesme të Re. Kështu zuri fill ajo që tashmë njihet si Doktrina “Rice”, ndryshe doktrina e kaosit gjeopolitik kreativ, apo konstruktiv. Teza e Rice ishte një shtjellim i idesë së shprehur më herët, në vitin 2003, nga Presidenti Bush për rimodelimin e asaj që ai e quajti Lindje e Mesme e Madhe. Doktrina e kaosit konstruktiv konsiston në krijimin e një situate që do të sjellë ndryshimin e kufijve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, në atë hapësirë të nxehtë gjeopolitike për të cilën pas 11 shtatorit 2001 nisi të përdorej gjithmonë e më shpesh termi i mëhershëm gjeopolitik “Lindje e Mesme e Madhe”, që shënjonte hapësirën që shtrihej nga Afganistani në Afrikën Veriore, duke përfshirë Kaukazin, Azinë Qendrore, Turqinë, Pakistanin. Ekspedienti i zgjedhur për të ndërmarrë këto ndryshime është pikërisht kaosi kreativ, domethënë përmbysja e regjimeve stabile autokratike dhe çlirimi i forcave centrifugale religjioze dhe etnike në këto vende, që do të çojnë deri tek ndryshimi i kufijve shtetërorë. Ngjarjet tregojnë se fjala është për një agjendë të mirëpërpunuar nga establishmenti strategjik amerikan, e cila po zbatohet nga të dy administratat amerikane, ajo e Bushit dhe ajo e Obamës, dhe që tekefundit ka si synim marrjen nga ana e SHBA të fruteve të fitores së Luftës së Ftohtë. Lufta e SHBA ndaj Irakut për përmbysjen e Sadam Hussein ishte pjesë e agjendës së kaosit kreativ gjeopolitik. Ndonëse administrata e Presidentit Bush i Ri u kritikua shumë për luftën në Irak, sot është e qartë se ndërhyrja ushtarake amerikane në Irak dhe përmbysja e Saddam Hussein qenë parakushti për atë që ndodhi më pas në Lindjen e Mesme dhe më gjerë në botën islame, në Afrikën Veriore, dhe që njihet si Pranvera Arabe.

Pranvera arabe

Në një vështrim më të thelluar të asaj që njihet si Pranvera Arabe, duke e këqyrur edhe aksionin ushtarak amerikan për përmbysjen e regjimit të Saddam Hussein në kornizën e saj, shihet se në shënjestrën e SHBA dhe NATO-s kanë qenë vendet myslimane që gjatë Luftës së Ftohtë kanë qenë më afër Bashkimit Sovjetik, trashëgimtare e të cilit sot është Rusia. Gjatë Luftës së Ftohtë, Iraku që shumë kohë para ardhjes së Saddam Hussein në pushtet, ishte një aleat i afërt i Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme, dhe marrëdhëniet e Irakut me Perëndimin u përmirësuan vetëm në kohën e luftës së Irako-Iraniane, për shkak se SHBA e këqyrnin Iranin e sunduar nga ajatollahët si rrezikun kryesor për to në Lindjen e Mesme. Gjithsesi, edhe gjatë kësaj lufte, Bashkimi Sovjetik mbajti anën e Irakut. Egjipti ka qenë aleati më i ngushtë i Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme që prej ardhjes së Naserit në fuqi në vitet pesëdhjetë dhe deri në Luftën e Jom Kipurit në 1973. Egjipti ndryshoi kahje, duke kaluar me Perëndimin, vetëm pasiqë u bind se nuk qe në gjendje ta mposhtte ushtarakisht Izraelin e mbështetur nga SHBA, çka do të thoshte se nuk mund t’ i rimerrte territoret e humbura në Sinai, që për Egjiptin ishte një situatë katastrofike, në çdo pikëpamje. Kështu që me përmbysjen në 2011 të Mubarak, një ushtarak i shkolluar në Rusi, u shlye në njëfarë mënyre një llogari e vjetër e Luftës së Ftohtë.

      Tunizia ka qenë një tjetër vend arab, i cili në kohën e Luftës së Ftohtë mbajti praktikisht qëndrime armiqësore ndaj Perëndimit. Në janar 1974 Tunizia e Presidentit Habib Bourguiba arriti një marrëveshje me Libinë e Kolonelit Gadaffi për shkrirjen e dy vendeve në një shtet të vetëm. Ky u konsiderua një veprim antiperëndimor i Presidentit Bourgiba se Gadaffi mbante një qëndrim thellësisht antiamerikan. Bashkimi i dy vendeve nuk arrit për shkak se të dy autokratët të cilët sundonin vendet respektive, nuk pajtoheshin mbi atë se kush duhet të ishte i pari në shtetin e bashkuar. Gjithsesi, nisma për bashkim ishte një sinjal i qartë për Perëndimin mbi prirjet e Tunizisë. Kur Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) u dëbua nga Libani në 1982, pas aksionit ushtarak izraelit në Liban, OÇP u strehua në Tunizi. Në 1985 Izraeli, me mbështetjen logjistike amerikane, ndërmori një sulm ushtarak ajror kundër bazave palestineze në Tunizi. Pas kësaj Tunizia adoptoi një qëndrim antiamerikan përveçse antiizraelit deri në përmbysjen e Bourgibas me një grusht shteti të mbështetur nga shërbimet inteligjente perëndimore dy vjet më pas. Me këtë rast erdhi në pushtet Zine El Abidine Ben Ali, i cili ishte kryeministër nën Presidentin Bourguibha, dhe që do të rrëzohej nga froni i autokratit në 2011.

Rezistenca e Ben Aliut

Me rrëzimin e Ben Aliut në 2011 u mbyll një tjetër llogari e hershme e Luftës së Ftohtë se Ben Ali pati qenë njeriu i ngarkuar nga Bourgibha për të mbajtur lidhjet me Bashkimin Sovjetik. Kur në 1980 Presidenti Bourgibha emëroi shefin e shërbimit të fshehtë, Ben Ali, si ambasador në Poloni, një vend i bllokut sovjetik, kjo gjë u interpretua nga monituruesit perëndimorë të marrëdhënieve ndërkombëtare si një mënyrë diskrete e autokratit tunizian për të krijuar një kanal të rëndësishëm komunikimi me Bashkimin Sovjetik, pa e dërguar një njeri si Ben Ali drejtpërdrejt në Moskë. Rrëzimi i Gadaffit në 2011 përbënte padyshim një tjetër llogari të pambyllur të Luftës së Ftohtë se Libia e Gadaffit ishte një vend ashpërsisht antiamerikan gjatë Luftës së Ftohtë, dhe që ishte i afërt me Bashkimin Sovjetik. Një aleat i Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë ishte Siria e sunduar nga Assad, babai i Bashar Al-Assad. Kështu, të pesë vendet arabe, të cilat gjatë Luftës së Ftohtë kanë qenë të afërta me Bashkimin Sovjetik dhe në pozita antiamerikane, u vunë të parat në shënjestrën e amerikanëve, për t’iu nënshtruar aplikimit të doktrinës së kaosit kreativ. Sigurisht se në shënjestër është edhe Irani me të cilin SHBA kanë një llogari të hershme se e ka poshtëruar fuqinë ushtarake amerikane në 1980 gjatë aksionit ushtarak amerikan për lirimin e pengjeve në Iran.

      Edhe aksioni ushtarak i NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 ishte në një pikëpamje mbyllja e një llogarie të Luftës së Ftohtë se Serbia nuk e pranoi kurrë me zemër prishjen e Titos me Stalinin, domethënë shkëputjen e Jugosllavisë nga blloku sovjetik. Serbia pranoi benefited ekonomike që erdhën nga afrimi i Titos me Perëndimin, por në zemër mbeti proruse dhe staliniste. Kur në vitin 1961, pas largimit të Ushtrisë Sovjetike nga Vlora, SHBA e ndërprenë furnizimin me armë për Ushtrinë Jugosllave Tito u detyrua që t’ i bënte një lëshim thelbësor establishmentit ushtarak jugosllav të kohës, i cili ishte kryesisht serb, duke pranuar kërkesën e tij për marrëdhënie të ngushta ushtarake me Bashkimin Sovjetik që konsistonin në furnizimin me armë sovjetike dhe shkollimin e ushtarakëve në Rusi.

Ndryshimet gjeopolitike

Ndryshimet e dëshiruara gjeopolitike për SHBA në hapësirat e Lindjes së Mesme të Madhe implikojnë dhe ndryshimin e kufijve shtetërorë që i përkasin periudhës koloniale dhe asaj sovjetike. Nga situata e kaosit kreativ do të dalin shtete të rinj dhe kufij të rinj, ku ndryshimet më spektakolare gjeopolitikisht do të jenë krijimi i një shteti të madh kurd që do të marrë territore nga Iraku, Siria, Irani dhe eventualisht Turqia. Gjithashtu, pritet të ndodhë zgjerimi i Azerbajxhanit në territorin e Iranit të sotëm në atë që njihet si Azerbajxhani iranian, çka do të kompensojë humbjen e Nagorni Karabagut dhe një pjese tjetër të territorit azer në dobi të Armenisë. Nga pjesa shiite e Irakut dhe pjesa shiite e Arabisë Saudite do të lindë një shtet i ri shiit, territor i të cilit do të zgjerohet në dy anët e bregdetit të Gjirit Persik që sot zotërohen nga Arabia Saudite dhe Irani.

      Jordania do të zgjerohet në veri të Arabisë Saudite, me kusht që të marrë popullsinë e sotme palestineze të Bregut Perëndimor dhe popullsinë arabe që gjendet brenda shtetit të Izraelit. Në zonën e Hexhazit në Arabinë Saudite, ku gjenden qytetet e shenjta islamike, Meka dhe Medina do të krijohet një shtet i shenjtë islamik, i ngjashëm me atë çka qenë Shteti Papal në Italinë qendrore deri në vitin 1870. Nga territori i jugperëndimit të Iranit dhe i juglindjes së Pakistanit të sotëm do të krijohet shteti i Baluçistanit. Territori i Pakistanit do të zvogëlohet edhe më në dobi të Afganistanit, i cili duke marrë pjesën pashtune të Pakistanit do të bëhet vend solid nga pikëpamja etnike. Libani do të zgjerohet në Siri, duke marrë territore shiite të Sirisë së sotme, duke përfshire pjesën më të madhe të bregdetit sirian, dhe kështu do të bëhet solid etnikisht si një vend kryesisht shiit që do të kundërbalancojë Sirinë e mbetur sunite. Israeli dhe Kurdistani pas të cilëve do të qëndrojnë SHBA do të bëhen arbitrat e Lindjes së Mesme, pasiqë të gjithë këto vende do të kërkojnë mbështetjen e tyre në konfliktet me fqinjët. Afganistani i zgjeruar pashtun, do të bëhet “Kurdistani” i Azisë Qendrore”, duke qenë një aleat i SHBA, dhe ekspedient strategjik amerikan për të depërtuar më thellë në Azinë Qendrore. Afganistani i zgjeruar në territor pakistanas dhe iranian, nuk ka alternativë tjetër veç aleancës me SHBA, se të gjithë fqinjët e tij do të kenë llogari të pambyllura me të. Irani i mbetur dhe Pakistani do të bëhen shtete minore pa peshë të madhe gjeopolitike. Ndryshime do të ndodhin edhe në Ballkan, në dëm të Serbisë, aleates tradicionale të Rusisë. Aksioni ushtarak amerikan kundër Serbisë në 1999 ishte pjesë e agjendës globale gjeopolitike amerikane të kaosit kreativ. Këtu u godit një aleat tradicional i Rusisë, Serbia. Qëkurse ra bomba e parë amerikane mbi Beograd në 24 mars 1999 në Moskë dhe në Beograd e kuptuan se në agjendën gjeopolitike amerikane ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë- nuk është nevoja që të flasë apo të heshtë Sali Berisha mbi këtë temë që serbët e rusët të shqetësohen apo të qetësohen. Procesi gjeopolitik në Ballkan u ngri për një periudhë, ashtu që të ecte edhe në pjesët e tjera të hapësirës globale të shënjuar për ndryshime kufijsh.

      Për Rusinë dhe Kinën janë të papranueshme ndryshimet e kufijve që përmban agjenda e kaosit kreativ në Lindjen e Mesme të Madhe. Në Moskë dhe Bejing (Peking) këto ndryshime perceptohen si plotësim i rrethimit të Rusisë dhe Kinës dhe pikënisje e fazës së re të agjendës: shpërbërjes së tyre. Ndryshimet në këto hapësira do ta vendosin SHBA në një pozitë të mirë gjeopolitike në kufijtë e Rusisë dhe Kinës çka do të bëjë të mundur vazhdimin e zbatimit të agjendës gjeostrategjike amerikane për shpërbërjen e Kinës dhe Rusisë, me anë të ekspedientit të kaosit kreativ. Prej këtej ndjenja e alarmit e përftuar tek Rusia dhe Kina dhe arritja deri tek aleanca e tyre ushtarake në 2001. Paradoksisht aleanca krijoi atë realitet gjeopolitik që i bën SHBA dhe Perëndimin ta shohin si të papranueshme ekzistencën e Rusisë dhe Kinës në kufijtë e sotëm. Traktati Ruso-Kinez ezauron konceptin tradicional anglo-sakson, britanik fillimisht dhe më pas ame¬rikan, të rrezikut të patolerueshëm që vjen nga kontrolli i masivit më të madh tokësor të botës, Eurazisë, nga një koalicion fuqish konti¬nen¬tale. Rusia dhe Kina, që janë në aleancë mes tyre, duke konsideruar shtrirjen gjeografike të tyre, fuqinë e kombinuar ushtarake dhe ekonomike, dominojnë Eurazinë, madje edhe më gjerë.

      Duke qenë se Rusia dhe Kina e shndërruan Sirinë në fushëbetejën ku do të provohej të ndalej aksioni global amerikan, atëherë amerikanët vendosën të japin sinjale në pjesë të tjera të hapësirës gjeopolitike të shënjuar për ndryshime kufijsh. Prej këtej deklaratat nacionaliste të Berishës. Që zhvillimet në këto skaje të botës janë të lidhura kjo u kuptua dhe nga fakti se pak kohë më parë ambasadorët e Japonisë dhe Kinës në Shqipëri u përfshinë në një polemikë të paprecedent në shtypin shqiptar mbi konfliktet kufitare mes dy vendeve. Kjo gjë nuk ndodh rastësisht në kohën e konfliktit në Siri dhe kur Korea është një tjetër fushëbetejë e Luftës së Ftohtë e riaktivizuar me projektin bërthamor të Koresë së Veriut, një fushëbetejë ku Kina dhe Japonia janë të përfshira, pa harruar SHBA dhe Rusinë. Kina i shikon Shqipërinë dhe Kosovën si fushëbeteja të Rendit të Ri Botëror. Prej këtej refuzimi i Kinës për të njohur Kosovën, gjë që më tepër se me problemet e brendshme të Kinës ka të bëjë me detyrimet që Kina ka ndaj Rusisë, sipas Traktatit të Moskës.

Berisha në axhendën amerikane

Berisha tregoi edhe një herë sekretin e jetëgjatësisë së tij në politikë dhe në pushtet, që është se ai gjendet gjithmonë i kyçur në agjendën gjeopolitike afatgjatë amerikane, pavarësisht nëse është në opozitë apo në pushtet. Rivali i Berishës, Edi Rama duket se e neglizhon kontekstin gjeopolitik global të deklaratave të Berishës. Në paskqyrje është e qartë se Edi Rama pagoi një çmim shumë të rëndë për atë që bëri në 21 janar 2011, kur krijoi situatën që t’ u jepte mundësi atyre që donin të frenonin agjendën gjeopolitike amerikane të kaosit konstruktiv në botën arabe që të pengonin ndërhyrjet ushtarake të NATO-s në vendet arabe ku kishte protesta ndaj autokratëve, me arsyetimin se njerëz në protesta vriten edhe në vendet e NATO-s. Atyre që u duket e pasaktë kjo analizë e imja u bëj pyetjen se ç’ shpjegim tjetër mund të ketë për atë që bëri ambasadori amerikan në zgjedhjet vendore që u bënë pas 21 janarit, kur Arvizu përveshi mëngët për t’ ia hequr fitoren Edi Ramës në Tiranë. Si për ta nervozuar edhe më tepër establishmentin e NATO-s, dhe veçanërisht amerikanët, Edi Rama ideoi spektaklet mediatike në skenën globale pas ngjarjeve të 21 janarit, siç ishte rasti me korrespondenten e Top- Channel në Bruksel, Arta Tozaj, e cila pa ekzagjerim u bë yll televiziv në Siri dhe në Libinë e Gadaffit, me situatat e pakëndshme në të cilat e vuri Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Rasmusen dhe Presidentin francez Sarkozi, kur këta po flisnin për ndërhyrje ushtarake në Libi dhe Siri.

      Në 24 mars 2011 Arta Tozaj, bëri praktikisht skandal gjatë konferencës për shtyp që Presidenti Sarkozy mbajti pas takimit Këshillit Europian (mbledhja e krerëve të shteteve ose qeverive të Bashkimit Europian), ku u duk qartë se synohej ndërhyrja ushtarake perëndimore në Siri. Kur Presidenti Sarkozy, duke folur për ngjarjet në Siri, tha se ishte e papranueshme që të përdoret ushtria për të vrarë protestues civilë të paarmatosur, Tozaj  e pyeti se a vlente deklarata e tij edhe për një vend të NATO-s, si Shqipëria, ku qenë vrarë katër demonstrues nga forcat qeveritare. Sarkozy, i cili u duk shumë i befasuar nga kjo pyetje, krejt jashtë temës së konferencës së tij për shtyp, nuk mund të përgjigjej ndryshe nga sa u përgjigj, pra se ajo që po thoshte ai, nuk ndryshonte pavarësisht nga vendi për të cilin bëhej fjalë. E njëjta situatë u krijua nga kjo korrespondente edhe në një konferencë për shtyp të Rasmusen. Pyetjet e Tozajt, merret vesh, u bënë sipas instruksionit të drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Këto qenë fruta në pjatë të artë për ata që kundërshtonin ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vendet e revoltuara arabe.

      Përtej rëndësisë për politikën e ditës në Shqipëri, procesi gjeopolitik i kaosit kreativ mund të rezultojë i dobishëm për shqiptarët nëse nuk bëhemi trofe për Turqinë, e cila eventualisht do të kompensohet në Ballkan për humbjen eventuale të territoreve në lindje, në dobi të shtetit të ri kurd. Rikthimi i Turqisë në Ballkan, qoftë edhe me anë të një zone influence neo-otomane, do të bëhej shkak për luftëra të reja në Ballkan, ku shqiptarët do të jenë të humburit më të mëdhenj, ashtu që trojet shqiptare do të bëhen fushëbeteja të palëve.