Myzafer Xhaxhiu, poeti i mrekullive, që emocionoi lexuesit në çdo kohë

746
Sigal

Meteori
Humba një poezi nuk e di se ku
Më të bukur se ajo nuk pata shkruar,
Ish për një vajzë që u shfaq këtu
Si meteor që lë mall të pashuar.

Erdhi një ditë – u shfaq si hëna e plotë
Dhe tër’ hiret e saj mi pat dhuruar,
Mora pendën të shkruaj, ish e kotë,
Meteori hënën e kish mbuluar

Ditën e Shën Valentinit
Dhe sot u zumë ne të dy
Një histori e vjetër.
Më mirë i zënë veç me ty
Se sa të dua një tjetër.

Çmenduri natyre

Brodha buzë lumit
Etur për shëtitje,
Mjegull, mugëtirë,
ç’është kjo mërzitje.
Diell majë malit
Vallë mos është fanitje,
Qielli murrëtyer,
Në zemër mërzitje.

Aty mug e diell,
paqe midis tyre,
Terr e llamburitje,
Çmenduri natyre

Muzafer Xhaxhiu i laureuar në Beograd dhe Moskë
I laureuar në Beograd dhe në Moskë, për Letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e Muzafer Xhaxhiut i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit. Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939. Deri në mbarimin e Luftës së II-të Botërore, emri i tij ishte bërë i njohur në të gjithë periodikët e kohës si “Fryma”, “Kritika”, “Bleta” dhe “Revistën Letrare”. Të këtyre kohëve janë ese , poezi, skica dhe shumë e shumë përkthime të botuara. Ky bashkëpunim, me shtypin shqiptar periodik, është shtuar sidomos pas mbarimit të Fakultetit Filologjik të Moskës. E vërtet, puna e tij krijuese do të vazhdonte me më shumë intensitet dhe me më shumë autoritet pas laureimit atje. Ai shkruan në organet “Nëntori”, “Ylli”, “Hosteni”, “Drita”, “Bashkimi”, “Zëri i Popullit” dhe pas viteve ’90 edhe në të gjitha periodikët e pavarur. Tematika e shkrimeve të tij ka përfshirë një gamë të gjerë dhe të shumëllojshme. Në shkrimet e tij janë prekur edhe çështje interesante për shumë shkrimtarë dhe vepra të shquara të letërsisë shqipe. Periudhat e studimeve të tij përfshihen nga kohët e hershme dhe vazhdon deri në ditët tona. Një nga problemet, me të cilat Profesor Xhaxhiu ka kohë që i kushton ditë nga jeta e tij është problemi i etnogjenezës së shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve. Numri i madh i shkrimeve studimorë rreth kësaj teme, e bën më të ndjeshëm Xhaxhiun, për shumë nga temat aktuale të shqipes. Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj. Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”. Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999. E gjithë ky korpus duket ende i vogël për profesorin, që çdo ditë vazhdon punën e tij të përditshëm për t’i dhuruar shqipes një diçka të re. Kjo është arsyeja, që 80- vjeçarin Xhaxhiu mund ta gjesh përgjithmonë të ngujuar në skrivaninë e tij, po aq vjeçare të punës.