Martin Camaj, pishtar i kulturës tonë kombëtare

896
Sigal

VIZITA E FUNDIT NË KOSOVË

Vizita e prof. Camajt në Kosovë mbetet e pashlyer në kujtesën time. Në një bisedë telefoni më njoftoi se ishte ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës të merrte pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që zhvillohej në Prishtinë, në fund të gushtit 1990-të. Ftesën e kishte marrë nga Kryetari i Shoqatës, dr. Ibrahim Rugova. Meqenëse vizita e tij kishte një rëndësi të veçantë për “ Zërin e Amerikës ”, bëmë planin si të rrinim në kontakt gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë.
Seksioni shqip i “Zërit Amerikës” përcolli me vëmendje zhvillimin e punimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe vizitën e prof. Camajt në Kosovë. Me 26 gusht zhvilloi një intervistë me Camajn, i cili i bëri jehonë ndërkombëtarizimit të çështje së Kosovës në ato punime shkencore. Ai foli më shumë për të tjerët se për temën e vet. Kritikoi ashpër Serbinë për shpalljen e gjendjes ushtarake në Kosovë dhe përdorimin e mënyrave më çnjerëzore kundër shqiptarëve. Shprehi bindjen e plotë se fitorja e Kosovës ishte e pashmangshme. Pas kthimit në Gjermani, me të bëmë një intervistë tjetër lidhur gjendjen në Kosovë.
Pyetjes, kohët e fundit ju vizituat Kosovën pas 36 vjetësh, prof. Camaj iu përgjigj: “ Prej datës 24 deri me 29 gusht pata fatin të shoh përsëri Kosovën, mbas 36 vjetësh, si po thoni. Për mue, si vetje, kjo ka kenë nji ndër përjetimet ma të prekshme të kohëve të fundit. Atje m’janë botue veprat e para letrare, ku jetojnë plot shok të mij nga koha e studimeve. Ndonëse fytyrat tona kishin ndrrue sa mos të njiheshin, ndjenjat tona kanë mbetë të reja. Tepër prekëse qe pamja e Fushës së Kosovës, Kaçanikut etj.. Por të trishtueshme rrethanat. Para 36 vjetësh kur kesh së fundi në Kosovë rrugët dhe vendbanimet ishin të mbushuna përplot me njerëz të armatosun. Ishte në zhvillim e sipër nji aksion famëkeq, që ka mbet në kujtesë tek kosovarët edhe në anale me emërtimin “Mbledhja e armëve”. Gjithashtu edhe në gushtin e vitit 1990-së po ajo skenë. Ushtarë të rinj, kësaj here, të armatosun deri në fyt nëpër rrugë e kudo tjetër. Por na bamë punën tonë. Në Universitet mbahej Seksioni Shkencor Albanologjik që pati për temë të përgjithshme ndërlidhjet e kulturës shqiptare me kulturën evropiane, mbi të cilën folën edhe të huej edhe nga Evropa Perëndimore e Lindore që merrnin pjesë në Konferencë. Unë fola për letërsinë arbëreshe. Kuptimplotë ka qenë në ato rrethana të vështira për Kosovën që kongresistet e huej disi qenë të shtërnguem të pyesin: “A jemi në Evropë, a ku jemi?”. Shoqata e Shkrimta rëve të Kosovës ka pezullue çdo ndalim autorësh shqiptarë. Në këtë frymë ktheva edhe unë në Kosovë, ku me 26 gusht në nji takim të përgjithshëm të shkrimtarëve m’u dha antarësia e nderit e Shoqatës. Gja që bjen në vete edhe ribotimin e veprave të mija letrare botue në perëndim, dhe natyrisht kontaktin me lexuesit. Gja që e kam prit tash 37 vjet”. ( “VOA” – transmetuar, 2 shtator, 1990).

TRI DEGËT E LETËRSISË TONË
( Intervistë )

Hyrje
Në vijim të emisionit do të dëgjoni një intervistë që bashkëpunëtori ynë Idriz Lamaj sapo zhvilloi me profesor Martin Camajn, shef i Katedrës Albanologjike pranë universitetit të Mynihut dhe një ndër poetet e shkrimtarët më të shquar shqiptarë, veprat e të cilit janë të censuruara në Shqipëri.

Profesor Camaj, kohët e fundit u botua në Nevv York përkthimi i një përmbledhje të poezive tuaja. Si e pritët këtë përkthim?

Shumë mirë, ky botim kështu si ka dalë, i përgjigjet plotësisht konceptit tim si duhen përgatitur për shtyp lirikat shqipe, të cilat paraqitën në gjuhët e mëdha. Përkthimi anglisht ka përballue edhe tekstin origjinal. Dalja e këtij libri në gjuhët shqip-anglisht me hymje dhe nota gjithfarë, e mbyllja me ambientin shqiptar e gjuhë me gëzon, sepse me jep mundësi, ndër të tjera, me ju paraqit gjeneratave shqiptare lindun në Amerikë apo ndër vendet e gjuhëve angleze. Poezitë e mija, të cilat janë marrë nga dy faza të krijimtarisë sime poetike, 40 poezi të botueme para vitit 1967 dhe 45 lirika fare të reja. Dhe këto përmbyllen me ciklin e poezive me titull “Bualli”, që përmban simbole të ndryshme të kohës mistike dhe të buallit real të sotëm, i cili paraqitet gjithkund gjatë brigjeve të buta të lumenjve të mëdha shqiptarë, sidomos në lugun e Drinit.

Profesor Camaj, për afër 40 vjet jeni marrë me krijimtari letrare dhe studime të ndryshme të gjuhës shqipe. Me sa dimë ne, ju nuk jeni angazhuar asnjëherë me veprimtari politike. Si e shpjegoni censurimin e veprave tuaja në Shqipëri?

Arsyeja që në Shqipni qysh nga fillimi u ndaluen veprat e mija letrare asht e qartë. Ma së pari këto vepra nuk ishin në rrymën e realizmit socialist, dhe fare të ndryshme nga autorë të tjerë të kohës dhe të lidhuna ngushtë edhe me traditën. Prandaj veprat e mija në Shqipni nuk mund të kanalizoheshin me kurrnjë mënyrë në kohën, e në intencionet e qëllimet e një letërsie të kontrollueme qind për qind.

Po për rehabilitimin e shkrimtarëve të tjerë të censuruar ç’keni për të thënë?

Pranimi i autorëve të ndaluem apo kthimi i tyne mbrenda letërsisë shqipe asht një imperativ i kohës dhe i proceseve të demokratizimit në Evropën Lindore e Juglindore. Pranimi i klasikëve si Fishta, Konica, Koliqi, Skiro, etj. Etj., do të bijen nji freskim ndfër lexuesit shqiptarë. Në Kosovë ka nisë ky proces, ma parë se në Shqipni. Ka prirje tek kritikët e autorëve bashkëkohorë të vlerësojnë autorët e vjetër, kryekreje Fishtën. Më duket se asht herët për vlerësime. Ata duhet njëherë të botohen dhe të lexohen nga gjeneratat e reja.

Profesor Camaj, çfarë roli mund të luajnë shkrimtarët shqiptarë në demokratizimin e Shqipërisë?

Mund të kemi vetëm spekulime. Në Shqipni e në Kosovë dhe në perëndim janë zhvillue tri degë të ndryshme të letërsisë shqiptare në këto dyzet e ma shumë vjet. Ma vështirë se askush për një zhvillim normal e patën dhe e kanë autoret mbrenda shtetit shqiptar. Përmbledhtas mund të thuhet se Letërsia e realizmit Socialist, me pak përjashtime, dhe përjashtimet ma të shqueme mund të mbahen veprat e Kadaresë, kanë nji model ku individualiteti i autorit nuk del në pah. Kështu kemi të bajmë me nji profesionalizëm si pasojë e burokratizimit të autorëve. Mosdallimit të talentit nga autori i patalentuem, etj. etj. Letërsia kosovare ka pasë, përkundër, nji zhvillim të natyrshëm. Autorët kosovarë kanë kërkue gjithmonë kontekst edhe me autorët shqiptarë të perëndimit. Për luejtjen e nji roli të shkrimtarëve dhe të inteligjencës në përgjithësi, për ripërtrimjen e shoqnisë, sidomos në Shqipni, mvaret edhe prej bashkëveprimit të këtyne tri degëve të inteligjencës shqiptare në botë. Ky asht edhe qellimi jonë që nji ditë prej ditësh, domethanë pakspaku të vimë në kontakt, të diskutojmë me njanitjetrin edhe për probleme jetësore të popullit tonë. Ky asht edhe amaneti kryesor i rrymës edhe ideologjisë së Rilindjes Kombëtare Se çfarë roli mund të luejnë ato shtresa të inteligjencës dhe shkrimtarëve në Shqipni, sot për sot nuk jemi në ghjendje të japim përgjegje. E, natyrisht, gjendja ka ndrrue me strehimin e shkrimtarit të shquem Ismail Kadare në Francë.
(“VOA” – transmetuar, 25 nëntor, 1990)

DUKAGJINAS I SHUAR NË MËRGIM

Martin Camaj vdiq me 12 mars 1992. Ceremonia fetare u bë në Bad Tolz, një qytet i vogël afër Lengries, në kishën Pfarrstadtkirche. Mesha u çua nga Dom Pren Nërvashaj, shok i vjetër i tij. Në varrim morën pjesa afër 150 veta nga shtete të ndryshme dhe qytete gjermane. Midis shumë miqve të tij shqiptarë e të huaj, dalloheshin edhe personalitete të shquara të shkencës dhe kulturës europiane. Fjalimin e rastit e mbajti prof. Arshi Pipa. Në një intervistë të prekshme për “Zërin e Amerikës”, Pipa tha ndër të tjera: “…Martin Camaj ka qenë përfaqësuesi ma i naltë e ma i denjë i kulturës shqiptare në kohët tona…”
Martin Camaj, me gjakftohtësi e durim të pashoq, studioi pandërprerje. Arriti kulmin e njohurive shkencore-linguistike dhe prodhimeve letrare. Si pishtar i kulturës tonë kombëtare, edhe në mërgimin e hidhur ruajti traditat lashta të malësorit shqiptar. Ashtu si në Malet e Dukagjinit, mbajti në dhomën e burrave oxhak, lahutë, qylyma e jastëkë. Prof. Pipa e përshkruan kështu shtëpinë e tij:
“… Ai ruejti në kujtesë ndjenjën e dheut amtar shkelun me kambët zbathë në krahinën e tij malore, dhe nguli në nji fshat alpin rranzë Alpeve bavareze. Shtëpinë që aty ndertoi e paisi me orendi druni dhe me rrasa mali, mbolli në kopsht jo veç lule, por edhe hudra; muret e dhomavet i la pa suvatue, tue i lye veç me gëlqere. Te nji dhomë në katin përdhes ndërtoi nji votër, tue shtrue dhomën me qylyma Kosove dhe e dekoroi me bakra kuzhine dhe almise pune, ndër to nji lahutë. Të kjo shtëpi priti e përcolli ashtu si bahet ndër malet tona, te kjo shtëpi bujtën miq e dashamirë, por edhe të huej…”
Në atë dhomë burrash, në katin përdhes të shtëpisë së tij, edhe unë kam patur nderin të ulem këmbëkryq e të bëj muhabet me Martin Camajn.

* Ish -Gazetar i Zërit të Amerikës
Idriz Lamaj është pjesë e bordit të Vatrës dhe së shpejti del me një libër të ri për historinë e Vatrës nga viti 1925.