Edmond Nikolla: Lidhja ime me muzikën dhe bashkëpunimi me këngëtaren e talentuar Kristina Marku

725
Sigal

Personazh / Flet Artisti i mirënjohur i diasporës, këngëtari Edmond Nikolla

Është lindur dhe banon në qytetin e Lezhës. Vjen nga një familje muzikantësh, pasi babai i tij, i ndjeri Mark Nikolla “artist popullor i skenës” ka qenë dhe do mbetet instrumentist dhe këngëtar i mirënjohur i koncerteve dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë vendit. Që nga mosha 6-vjeçare ndoqi pasionin dhe dëshirën e madhe të babit  muzikën. Profesioni i tij aktual është muzikant dhe këngëtar.

 -Ndërkaq, ju njohim si artist, por … cilat janë studimet tuaja?

 Kam studiuar violinë në liceun “Prenk Jakova” në Shkodër. Më pas kam vazhduar studimet për fizarmonikë në liceun”Jordan Misja” në Tiranë.

 -Jeni për martesë, apo bashkëjetesë ?

Besoj tek dashuria dhe jam për martesë.

 -Familja juaj përbëhet nga … ?

Familja ime përbëhet nga nëna dhe 2 vëllezër që, jetojnë jashtë vendit, nusen dhe një djalë që më jep jetë. Tek ai gjej kuptimin e gjithçkaje.

 -Si do ta përkufizonit shijen e dashurisë?

Dashuria është ndjenja më e bukur që, e shoqëron njeriun në rrugëtimin e tij jetësor.

 -Klipi juaj më i fundit, është?

Klipi im më i fundit është një bashkëpunim me këngëtaren e mirënjohur Kristina Marku, i titulluar “Merrja kangës me shoqni”.

 -I kënaqur nga bashkëpunimi me Kristinën?

Patjetër që po, jo vetëm nga Kristina, por nga i gjithë bashkëpunimi. Them se kemi bërë një punë të mirë .

 -Cilët ishin bashkëpunëtorët e këtij projekti?

Bashkëpunëtorët e këtij projekti ishin: teksti A. Trebicka, Muzika dhe ork: A.Fortuna si dhe “Tv musical”. I falënderoj nga zemra të gjithë.

 – E ke arritur suksesin që ke dëshiruar kohë më parë?

Mendoj se po. Por punoj vazhdimisht që kohën ta kaloj dhe jo të më kaloj ajo mua. Në muzikë nëse nuk ndoqe kohën del jashtë mode.

 – 24-orëshi i Edmondit, si është?

Shumë i ngarkuar me punë në studio e aktivitete muzikore.

 -Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë. Apo cilat modele keni për zemër?

 Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja askënd. Dua dhe jam vetvetja. Në këngë nis nuk je i tillë je i detyruar të stonosh.

 -Pjata juaj e preferuar është …?

Pjata ime e preferuar janë frutat e detit dhe gjithçka që, ka lidhje me specialitetet e detit.

 -Impenjimet aktuale, cilat janë?

Aktualisht ndodhem në Zvicër, ku këtu gjej ngrohtësinë prej 13 vitesh si muzikant dhe këngëtar. Për momentin performoj live në një restorant në  Zvicër.

 -Edi, je penduar ndonjëherë që, ke zgjedhur rrugën e muzikës që, jeni bërë këngëtar ?

Asnjëherë, pasi nuk ka qenë një përzgjedhje momentale, nuk jam bërë këngëtar rastësisht. Ajo është një ëndërr që, ka filluar realizimin e saj që në fëmijërinë time.

Ju falënderoj juve, stafin së pari dhe lexuesin e falënderoj përzemërsisht që, ndanë kohën e tyre për të lexuar intervistën time.

Albert Z. ZHOLI